Zbardhet sekreti i vetëm i ShISh: Emri i drejtorit të ri

Postuar në 18 Mars, 2023 15:45

Vlora Hyseni është propozuar nga kryeministri Edi Rama si drejtuese e re e Shërbimit Informativ të Shtetit. Në një postim në Faceboiok, z. Rama shkruan se:

Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ të Shtetit, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar

Hyseni vjen nga Kosova, ka qenë në drejtim të Agjencisë së Inteligjencës aty dhe sipas raportimeve është shkarkuar nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Siç mund të merret me mend përzgjedhja e saj nga z. Rama, për të gjitha arsyet e kota që mbijnë dhe vdesin në kokën e këtij njeriu, sidomos për të bërë sadopak provokim, ilustrojnë parëndësinë totale të ShISh në shtetin shqiptar. Ky është ndër ato institucione që është përdorur përherë si një lloj kobureje ndaj shqiptarëve që mendojnë ndryshe, në të gjitha regjimet e këtij vendi.

Në këtë kuptim, z. Rama i lejohet të bëjë pak marketing politik edhe këtu, edhe me shërbimin sekret që askush nuk e di se për çfarë duhet, veçse si roje në një gardh të Ballkanit, në një pikë kalimi doganor. Pasi nuk ka rast të ngjashëm kur drejtori i një shërbimi katapultohet sipas mideve të një njeriu, të paktën në formën si funksionon këtu.

Nga ana tjetër, tallja publike arrin majën kur z. Rama e shet propozimin për znj. Hyseni si garanci për reformimin e ShISh, ndërkohë që një drejtor e shumta mund të ndërhyjë për një lloj riorganizimi, pasi reformimi lidhet me legjislacionin dhe kompetencat. Ktheni pas lajmet e do gjeni sesi fliste ky njeri kur përzgjodhi Suela Bedenin për Inspektore të ShISh, sesi ishte habitur nga aftësia e saj, për t’u ftilluar në një univers paralel nga gjenialiteti i Gent Cakajt e kështu me radhë, si gaztor i vetes që është. Ajo që të çudit është mbajtja në fuqi e procedurës: ky propozon, ai dekreton, kur ky që "propozon" në fakt ka emëruar atë që dekreton dhe ndaj pra propozimi është urdhër! 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.