Festa kombëtare?!

Postuar në 29 Nëntor, 2022 14:19

Një video e shpërndarë në Facebook nga kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, na tregon “traditën” e këtij qyteti për të përkujtuar 29 nëntorin. Ca djem me kuaj të veshur me flamuj, në krye të kolonës një fuoristradë e mbuluar edhe ajo me flamur dhe një shëtitje nëpër boulevard me muzikën e Vaçe Zelës në sfond. Sikur kuajt të ishin stërvitur të kryqëzonin veshët si gishtat kur bëhen flamur, kjo do ishe se ç’do ishte!

Padyshim që kjo të bën krenar, shumë madje. Sepse të bën me dije që Shqipëria vetëm nga kësi ceremonish nuk shpopullohet kurrë. Ndaj edhe ata që nuk dinë të shalojnë një kalë, apo të kenë një makinë si ajo, ndihen të huaj përkundrejt një ceremoniali që i ngjan një cirku ambulant. Sepse prej vitesh tashmë e gjithë festa jonë, për çdo gjë, ka brenda diçka karnevaleske, ndaj edhe argëtuese.

Është sforcimi për të mbajtur në këmbë një emërues të përbashkët ai që e bën artificiale të gjithën. Një Shqipëri që përgënjeshtron përditë të ashtuquajturin “amanet” të Rilindjes, që ka në krye krimin dhe korrupsionin, nuk ka sesi të ketë solemnitet për ndonjë gjë. Ndaj edhe festat tona, kombëtare apo fetare, kanë përherë e më shumë elementë të argëtimit, të spektaklit dhe improvizimit. Ne nuk kemi çfarë të tregojmë për ngjarjet që na serviren si festa tonat, sepse paraprakisht duhet besuar në diçka.

Kush do ta harrojë vallë mënyrën sesi u prit kombëtarja e fubollit, apo Luiza Gega? Një demonstrim që të kujton dasmat e pasanikëve apo funeralet e mafiozëve, por jo një festë përbashkuese. Apo të paktën e përbashkët.

Po e njëjta gjë në sport, ku futbolli është në krye të shndërrimit të tij në një aktivitet ku bluhet brenda korrupsioni, gangsterizmi, lupenizmi dhe çdo gjë që nuk ka të bëjë as me një karikaturë të qytetarisë. Po të ashtuquajturat festivale apo koncerte vipash dhe «pjeshkash» me radhën e parë të zënë nga protektorë që janë eventualisht edhe juria faktike. Është pikërisht uzurpimi i hapësirës publike nga forca e një pushteti – ku kullat dhe hotelet nuk sjellin asgjë për urbanizimin funksional por thjesht shërbejnë si shenjues territori – që e bën manifestimin tonë nacional kaq të huaj.

Është uzurpimi i kohës publike dhe institucioneve që e plotëson mandej këtë kuadër me finacimin e duhur dhe vëmendjen që nevojitet për efekte protokollare. Në të dyja rastet ata që janë në të vërtetë aderentë të historisë kombëtare, vlerësues dhe njohës të saj, por edhe kritikë për mënyrën sesi është shkruar dhe sesi është zhvilluar ajo, janë të spostuar dhe të tëhuajëzuar, sepse Shqipëria nuk u takon. U takon vetëm të ekzistojnë në këtë vend, për aq sa e toleron këtë rendi i gjërave, por jo të flasin dhe riprodhojnë një ritual që do të duhet t’i apelonte mbarë shoqërisë.

Është befasuese megjithatë që elita e tanishme që servir kësi ceremonish banale dhe bajate nuk po do, apo nuk po di të krijojë datat e reja historike, të cilat do i takonin t’i celebronte realisht si të vetat, siç ka bërë me këngët e ngritura, me çmimet e rrëmbyera nga bashki dhe presidentë, apo nga emrat e rrugëve që i ka prenotuar për hir të “shoqnisë” që ka dhe ka patur me kryezotërit e këtij vendi.

Çfarë zhgënjimi?! Jo, fare. Ditën kur ne si shqiptarë kemi njohur veten, e fitojmë pasurinë që të mos i lejojmë vetes të zhgënjehemi. Çfarë keqardhjeje padyshim për kohën kur nuk e njihnim veten dhe çfarë keqardhjeje edhe për prindërit që edhe na flisnin për nocione si kombi, Shqipëria e të tjera si këto, pjata e parë e një menuje që nuk shijon më.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Vetem torta e Pavaresise iu mungonte qe edhe kuajt t'i hynin me turinj duke shfryre mbi te.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.