Vaksina dhe beteja e humbur për pronësinë intelektuale. Një histori lobimi

Postuar në 21 Nëntor, 2022 18:26
Ashleigh Furlong/Sarah Anne Aarup/Samuel Horti

 

A është ky një kërcënim i hapur? Nuk e di." Këshilltari i kryeministrit belg foli me qetësi teksa rrëfente një telefonatë lobuese të vitit 2021. Por e jashtëzakonshmja qëndron te përmbajtja e bisedës.

Telefonata vinte nga një zëdhënës i “Janssen”, krahu farmaceutik belg i “Johnson & Johnson” (J&J) që zhvilloi vaksinën e vetme të kompanisë për COVID-19. Sipas këshilltarit, zëdhënësi i paralajmëroi ata se, nëse Belgjika mbështeste një propozim radikal të bërë nga India dhe Afrika e Jugut në Organizatën Botërore të Tregtisë, atëherë “Janssen”-it do të duhej t’i rishikonte investimet e saj të mëdha miliarda dollarësh në kërkim dhe zhvillim në Belgjikë.

Propozimi që provokoi këtë frikë, i njohur si tërheqja nga TRIPS, do të kishte bërë të mundur që disa të drejta të pronësisë intelektuale (PI) për produktet COVID-19 të hiqeshin gjatë pandemisë. Ambicia ishte t'u jepej “liri e plotë për të vepruar” kompanive që dëshironin të prodhonin vaksina dhe trajtime, shpjegoi një zyrtar nga një vend bashkësponsorizues i propozimit.

Por Big Pharma tha se një tërheqje e tillë do të kërcënonte investimet dhe inovacionin – dhe kombet e pasura, veçanërisht anëtarët e BE-së dhe Britania e Madhe, bënë rezistencë, duke argumentuar se ajo nuk do të kapërcente hendekun e madh të sasisë së disponueshme të vaksinave mes vendeve të pasura dhe atyre më të varfra.

POLITICO dhe Byroja e Gazetarisë Hulumtuese zbuluan se si ky propozim u pengua dhe u hodh poshtë nga negociatorët, derisa më në fund u nënshkrua nga qeveritë e dëshpëruara për të shpëtuar një projekt të një rëndësie të tillë. Nëpërmjet intervistave me diplomatë, zyrtarë, lobistë dhe aktivistë, si dhe analizave të takimeve dhe dokumenteve të brendshme, mund të zbulohen aktorët kryesorë që qëndrojnë pas vdekjes së nismës për t’u tërhequr.

Big Pharma i përdori përpjekjet e saj të mëdha të lobimit dhe ndikimit për të tentuar të vriste një propozim që kërcënonte vetë parimet e industrisë. Drejtuesit kryesorë të industrisë gëzonin akses të drejtpërdrejtë tek zyrtarët e lartë brenda BE-së, i cili ishte kundër propozimit që në fillim dhe inkurajoi vendet anëtare të lëkundura, përfshirë Italinë dhe Francën, të binin dakord me të tjerët. Dhe SHBA, pas një ndërhyrjeje dramatike të vonuar në favor të dokumentit të tërheqjes, tetë muaj pasi propozimi ishte paraqitur, nuk ia doli të vijonte më tej pasi administrata e Biden u vu nën presion nga industria dhe Kongresi, siç raportohet nga Intercept.

Kur më në fund u arrit një kompromis, vlera e tij u vu në dyshim. Rezultati - një ndryshim i vogël në një aspekt të të drejtave të PI (pronësisë intelektuale) - u hodh poshtë si "i padobishëm" nga një diplomat me bazë në Gjenevë, dhe larg nga shembulli plot shkëlqim i solidaritetit global që pretendonte OBT.

Victor do Prado, i cili deri në fillim të këtij viti ishte një nga zyrtarët më të lartë në OBT, tha se ishte e vështirë të thuhej nëse një tërheqje si ajo që u propozua do të kishte rritur prodhimin, por e quan përgjigjen ndaj propozimit simptomatikë të "përgjigjes së njëanshme, nacionaliste" ndaj COVID-19.

Ky është një problem global. Duhet një zgjidhje globale dhe një zgjidhje globale bëhet me bashkëpunim”, tha ai. "Një tërheqje mund ta kishte ndihmuar atë bashkëpunim."

Winnie Byanyima, bashkëkryetar i OJF-së Aleanca e Vaksinave të Popullit dhe drejtor ekzekutiv i UNAIDS, programi i Kombeve të Bashkuara për HIV, tha se gjetjet e POLITICO dhe Byrosë ishin "jashtëzakonisht serioze" dhe bëri thirrje për hetime të mëtejshme.

Hape telefonin

Këshilltarët e qeverisë nuk janë të pamësuar me telefonatat dhe e-mailet nga lobistët. Këshilltari belg punoi me kryeministrin e vendit, Alexander De Croo, dhe mori telefonata të shumta nga përfaqësuesit e Big Pharma gjatë pandemisë COVID-19. Ata ishin të etur të shpjegonin pse mendonin se një tërheqje e mundshme nga TRIPS do të ndikonte në investimin e kompanisë së tyre në kërkim dhe zhvillim. Por telefonata e “Janssen” ka më shumë.

Ashtu si kompanitë e tjera të mëdha farmaceutike, J&J e kundërshtoi dokumentin e tërheqjes, duke paralajmëruar publikisht se hapja e prodhimit të vaksinave për "prodhues të papërvojë" mund të minonte sigurinë e konsumatorit.

Edhe Belgjika, e cila është qendër evropiane për industrinë farmaceutike, e kundërshtoi tërheqjen. Por Janssen duket se ka qenë e shqetësuar se qëndrimi i vendit mund të ndryshonte, ndoshta pasi disa politikanë belgë u shfaqën të hapur ndaj propozimit.

Menjëherë pasi ministrja e Bashkëpunimit për Zhvillim të Belgjikës, Meryame Kitir, u shfaq në TV për të mbështetur heqjen e mbrojtjes së PI (pronësisë intelektuale) të vaksinës në fund të prillit 2021, këshilltari mori një telefonatë nga zëdhënësi i marrëdhënieve me publikun në kompaninë “Janssen”.

“Ata thanë: ‘Nëse Belgjika po e mbështet këtë, selia e [J&J] në New Jersey do të trazohet dhe ata mund të konsiderojnë rishikimin e buxhetit të K&D [Kërkimit dhe Zhvillimit],” tha këshilltari për POLITICO dhe Byronë. “Janssen” e quan veten investitori më i madh privat në R&D në vend, pasi ka investuar 1.54 miliardë euro atje më 2019-n.

Nëntë ditë pas daljes publike të Kitirit, administrata e Biden bëri një kthesë shokuese duke njoftuar se do të mbështeste një dokument tërheqjeje që kufizohej në vaksinat e COVID-19. Kryeministri belg u përgjigj duke thirrur një mbledhje të kabinetit, ku bëri të qartë se vendi i tij nuk do të ndjekë shembullin e Amerikës.

Këshilltari këmbënguli se telefonata e lobistit të “Janssen” nuk e ndryshoi pozicionin e Belgjikës dhe se biseda të tilla ishin "puna që bën çdo lobist". Belgjika beson se një tërheqje mund të ketë rritur prodhimin e vaksinave me një sasi të vogël - jo më shumë se 10 për qind - por se kjo nuk ia vlente aq sa për të prishur industrinë farmaceutike të vendit.

Zyra e De Croo tha: “Në asnjë moment, qeveria belge nuk mori ndonjë vendim ose u detyrua të merrte një vendim për prodhimin e vaksinave COVID-19 nën presionin e industrisë farmaceutike, qoftë në lidhje me patentat apo në ndonjë aspekt tjetër të kësaj çështjeje."

J&J mohoi që një bisedë e tillë të jetë bërë dhe tha se nuk përfaqëson qëndrimin e kompanisë. Megjithatë, kompania shprehu shqetësim në lidhje me përdorimin në rritje të licencave të detyrueshme - ku një qeveri lejon një kompani të ndryshme nga mbajtësi i patentës të prodhojë një produkt - "veçanërisht për qëllimin e favorizimit të industrive vendase".

“[Përdorimi i licencave të detyrueshme] kërcënon sistemin e përgjithshëm të PI, i cili ka mundësuar zhvillimin e ilaçeve që shpëtojnë jetë për miliona pacientë sot dhe ka potencialin për të krijuar terapi të reja për miliona të tjerë në të ardhmen.”

Këshilltari e karakterizoi zëdhënësin si "shkallë shumë të ulët" në J&J dhe tha se ata e morën telefonatën me rezerva. “A është folur kjo me selinë në Nju-Xhersi? Unë nuk mendoj të ketë ndodhur. A është thjesht një mënyrë e lirë për të dalë shpejt atje ku duan? Po, me siguri.”

Atyre përfundimisht u erdhi në majë të hundës nga telefonatat lobuese nga kompanitë farmaceutike në lidhje me dokumentin e tërheqjes, saqë thjesht nuk pranuan. “Sa herë që ata rihapnin temën e IP-së, unë thosha: ‘Shiko, ne e kemi vendosur. Ky ishte pozicioni që në fillim. Unë nuk shoh ndonjë gjë të rëndësishme që e ndryshon këtë”, tha këshilltari.

"I gjithë diskutimi i PI-së u zvarrit aq shumë, sa në fund, unë gjithmonë i injoroja thirrjet e tyre."

Bëj pak presion

Rasti më sipër i bën jehonë të tjerëve anembanë botës. Një zyrtar indonezian i tha POLITICO dhe Byrosë se, në vitin 2020, kur vendi ishte në diskutime me një kompani tjetër farmaceutike rreth një ilaçi për COVID-19, kompania i bëri presion Indonezisë për pozicionin e saj në raport me tërheqjen nga TRIPS. “Shkopi” kishte reduktuar investimet, tha zyrtari.

Ky presion vonoi vendimin e Indonezisë për të bashkë-sponsorizuar tërheqjen, thanë ata. Ajo nuk e bëri këtë deri në maj 2021, pasi grupet e shoqërisë civile dhe kompanitë farmaceutike indoneziane i kërkuan qeverisë ta mbështeste. Në disa raste, industrisë nuk i nevojitej të lëshonte kërcënime të tilla. Disa zyrtarë nga vendet që nuk patën presion të drejtpërdrejtë nga kompanitë farmaceutike thanë ende se vendet e tyre e morën vendimin për tërheqjen duke pasur parasysh Big Pharma. Zyrtarëve kolumbianë në Gjenevë, për shembull, iu tha nga qeveria e tyre që të ndalonin mbështetjen për tërheqjen nga TRIPS, për të shmangur ndërprerjen e negociatave të vaksinës me Pfizer dhe të tjerët, sipas dy personave që kanë dijeni për negociatat. Kur vaksinat e COVID-19 mbërritën për herë të parë në fund të vitit 2020, ato ishin "si ari i pastër", tha njëri. Por vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme si Kolumbia kishin pak ndikim, që do të thotë se negociatat ishin të njëanshme. (Në fillim të vitit 2021, Byroja raportoi se disa vende të Amerikës Latine po mbaheshin për shpërblim nga Pfizer, ndërsa prodhuesi i vaksinave që u kërkonte qeverive të vendosnin asete sovrane si garanci kundër rasteve të ardhshme ligjore.)

Për shkak të këtyre negociatave të vazhdueshme, sipas njërit prej tyre, Kolumbia nuk e mbështeti tërheqjen. "Ne nuk e donim zhurmën e tërheqjes kur ne po i shkurtonim [ato marrëveshje]." Kolumbia filloi shpërndarjen e vaksinave në shkurt 2021. Grupet e shoqërisë civile rritën presionin ndaj qeverisë për të mbështetur tërheqjen - dhe kthesa e Bidenit në maj e rriti paraprakisht. Kolumbia filloi zyrtarisht të mbështeste tërheqjen në dhjetor 2021. "Ne e kuptuam se nuk kishte kuptim që të vazhdonim të kishim një qasje shumë konservatore," thanë ata.

Një zëdhënës i qeverisë kolumbiane tha se i udhëzoi përfaqësuesit e saj në OBT në Gjenevë që të mbështesin pozicionin e vendeve në zhvillim për tërheqjen nga TRIPS. Edhe Meksika e mbante një sy te Big Pharma. Ajo nuk e mbështeti tërheqjen nga TRIPS, sepse besonte se licencimi i detyrueshëm dhe marrëveshjet vullnetare midis kompanive farmaceutike dhe prodhuesve të palëve të treta do të ishin më mirë. Por, në të njëjtën kohë, ajo e dinte se mbështetja e tërheqjes nga TRIPS mund të dëmtonte investimet, i tha një zyrtar meksikan POLITICO dhe Byrosë.

"Meksika ka mbrojtje të mirë PI," thanë ata. "Kjo me të vërtetë ndihmon investimet në vend ... Prandaj, ne ishim 'jo' [për tërheqjen]." Mbrojtja e PI është një “nxitëse e mirë” për industrinë farmaceutike që të ndajë njohuritë e saj, tha zyrtari. “Mendoj se është pak e arsyeshme. Nuk do të investosh në një vend nëse nuk mund të të mbrojnë", thanë ata.

Biseda lobimi

Në muajt e parë të pandemisë, mungesat e mundshme të produkteve COVID-19 - pajisje mbrojtëse, trajtime të mundshme dhe vaksina - ishin shqetësim i madh për zyrtarët shëndetësorë në të gjithë botën. Në Bruksel, zyrtarët e Komisionit Evropian - duke përfshirë Komisioneren e Shëndetësisë, Stella Kyriakides, dhe Komisionerin e Tregut të Brendshëm, Thierry Breton - morën pjesë në 12 takime mbi këtë temë me Federatën Evropiane të Industrive dhe Shoqatave Farmaceutike (EFPIA), një grup lobues.

Por deri në tetor, propozimi radikal për të hequr dorë nga disa pika të Marrëveshjes për Aspektet Tregtare të të Drejtave të Pronësisë Intelektuale (TRIPS), u paraqit për herë të parë në OBT në Zvicër nga India dhe Afrika e Jugut. Megjithatë, industria farmaceutike ishte vënë në lëvizje për të mbrojtur të drejtat e PI. Vetëm disa ditë përpara se të paraqitej TRIPS, EFPIA u takua me një anëtar të kabinetit të Presidentit të Komisionit Evropian për të diskutuar strategjinë farmaceutike të BE-së dhe qasjen ndaj PI në farmaceutikë. Më pas, katër ditë pas propozimit, EFPIA u takua përsëri me Komisionin, këtë herë me anëtarin e kabinetit të komisionerit të konkurrencës, përgjegjës për tregtinë, Nele Eichhorn. 

Nuk ka procesverbale të këtyre takimeve, por drejtuesit e industrisë farmaceutike thanë publikisht se tërheqja do të ishte katastrofike për kërkimin dhe zhvillimin. Pronësia intelektuale është "gjaku i sektorit privat", tha CEO i Pfizer, Albert Bourla, menjëherë pas propozimit të tërheqjes, siç raporton Reuters. Pronësia intelektuale, tha ai, është "ajo që solli një zgjidhje për këtë pandemi dhe nuk është një pengesë tani."

Bashkimi Evropian ishte një nga aleatët e natyrshëm të Big Pharma që në fillim. Është një forcë e fortë e sistemit modern të IP dhe, si e tillë, një fuqi farmaceutike: Evropa përbënte 24 për qind të shitjeve farmaceutike në botë në 2020. Sapo tërheqja u propozua për herë të parë, BE mbajti pozicionin e saj. Në tetor 2020, BE tha se një sistem i fortë PI ishte thelbësor për të siguruar që industria të ishte "e stimuluar dhe shpërblyer në mënyrë adekuate" për zhvillimin e vaksinave dhe trajtimeve COVID-19, dhe nuk kishte "asnjë tregues" që pronësia intelektuale ishte pengesë për këtë proces.

Industria kishte investuar më shumë se 39.6 miliardë euro në Kërkim dhe Zhvillim në rajon gjatë vitit 2020 dhe gjatë dy viteve të ardhshme shpenzoi dhjetëra miliona të tjera për të lobuar te zyrtarët kryesorë të BE-së për COVID-19, tregon analiza. Të dhënat e lobimit tregojnë se kompanitë farmaceutike, së bashku me grupet kryesore të lobimit që përfaqësojnë industrinë, gëzonin akses të gjerë te zyrtarët më të lartë në Bruksel dhe Londër, ku politikanët e Britanisë së Madhe vazhduan të kundërshtonin tërheqjen gjatë gjithë 20 muajve të negociatave. Një zëdhënës i qeverisë i tha POLITICO-s dhe Byrosë se Mbretëria e Bashkuar dëshironte një rezultat që adresonte pabarazinë e vaksinave "duke mos minuar kuadrin ekzistues të IP".

Midis janarit 2020 dhe shtatorit 2022, 13 grupe dhe kompani lobuese farmaceutike zhvilluan afro 100 takime me zyrtarët më të lartë të Komisionit. Në Britani ka pasur më shumë se 360 ​​takime midis janarit 2020 dhe marsit 2022 - ekuivalente me gati një në çdo dy ditë. Boris Johnson mori pjesë personalisht në 11 prej tyre. Kompanitë farmaceutike mund të bëjnë lehtësisht telefonata dhe takime me zyrtarët më të lartë të qeverisë. Figura të industrisë si Bourla kishin akses tek politikanë të nivelit të lartë, siç dëshmohet në mesazhet që ai shkëmbeu me Ursula von der Leyen, presidenten e Komisionit Evropian, komunikime të raportuara fillimisht nga “New York Times”.

Përmbajtja e mesazheve mbetet e panjohur. Ombudsmeni Evropian, Emily O'Reilly, tha në korrik se përgjigja e Komisionit ndaj kërkesës së një gazetari për të parë tekstet e mesazheve përbënte "keqadministrim". (Në shtator, Gjykata Evropiane e Audituesve akuzoi Komisionin për refuzimin e zbulimit të çdo detajimi të rolit personal të Von der Leyen në negociatat për vaksinën e Pfizer.)

Komisioni këmbëngul se tekstet janë dokumente “jetëshkurtra dhe kalimtare”, të cilat nuk mbahen dhe “në përgjithësi nuk përmbajnë informacione të rëndësishme në lidhje me politikat, aktivitetet dhe vendimet e Komisionit”. Një zëdhënës i Pfizer tha: “Pfizer e ka diskutuar hapur pozicionin tonë me të gjitha palët e interesuara, duke shpjeguar ndikimin negativ që do të kishte dobësimi i pronësisë intelektuale nëpërmjet mekanizmave të tillë si tërheqja nga TRIPS në aksesin e barabartë dhe kujdesin ndaj pacientëve”. “Ne mohojmë kategorikisht çdo pretendim se pozicioni i një vendi në lidhje me tërheqjen nga TRIPS ishte në ndonjë mënyrë i lidhur me negociatat e kontratës së vaksinës me Pfizer. Të sugjerosh të kundërtën është e pasaktë, mashtrim dhe e papërgjegjshme.”

Hidhi paratë lumë

Industria shpenzoi miliona duke lobuar në BE gjatë gjithë pandemisë. Në BE gjatë vitit 2021, zhvilluesit e vaksinave dhe trajtimeve të COVID, përfshirë Pfizer dhe Moderna dhe grupet më të mëdha të lobimit farmaceutik, përfshirë EFPIA, shpenzuan të paktën 15 milionë euro për lobim. Një vit më parë, kompanitë shpenzuan më shumë se 15.7 milionë euro. Në vitin 2019, kostot e tyre të lobimit ishin 13.9 milionë euro, sipas të dhënave të analizuara nga LobbyFacts. Të dhëna të ngjashme nuk disponohen në Britani.

Për më tepër, aktorët kryesorë të industrisë paguan edhe të paktën 31 konsulenca private për të lobuar në Komision në emër të tyre. “AstraZeneca” dhe “Johnson & Johnson” kanë paguar secila rreth 700 000 € në vitin 2021 për konsulenca që merren me tema të tilla si politika e BE-së për vaksinat dhe strategjia e bllokut për COVID-19. Edhe grupet e shoqërisë civile që mbështetën tërheqjen lobuan, por kishin vetëm një pjesë të vogël të fuqisë së zjarrit të homologëve të tyre brenda të njëjtës industri. Një analizë e lobimit në lidhje me shëndetin nga 105 organizatat që mbështesin Aleancën e Vaksinave Popullore, së bashku me Mjekët pa Kufij, flet për rreth 60 takime me zyrtarë të lartë të Komisionit, afërsisht dy të tretat e atyre të industrisë farmaceutike. Në Mbretërinë e Bashkuar u mbajtën 20 takime.

Një zëdhënës i shoqatës bamirëse STOPAIDS tha se iu deshën "javë dhe muaj" që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar t'u përgjigjej emaileve për të organizuar një "takim të shkurtër të rastit". Duke folur për një takim të kohëve të fundit "të njëanshëm" në lidhje me trajtimet e COVID shtoi: "Është e vështirë të mos dalësh në përfundimin se angazhimi i qeverisë me organizatat e shoqërisë civile, në qasjen e tyre ndaj negociatave të tërheqjes nga TRIPS, ishte thjesht simbolik".

Në të paktën një rast, zyrtarët me bazë në Gjenevë ishin në kontakt të ngushtë me një zhvillues vaksinash për të garantuar që asgjë për të cilën ishte rënë dakord në OBT nuk do të ndikonte negativisht në prodhim.

Ne po bisedonim sinqerisht edhe me akademikët e Oksfordit, të cilët po e projektonin këtë gjë dhe në fakt u bënim atyre pyetjen: Si do të ndikonte [tërheqja] tek ju?” tha një diplomat me bazë në Gjenevë, i afërt me negociatat.

Hyo Yoon Kang, nga Shkolla Juridike e Universitetit të Warwick, tha: “Duket se Komisioni pagoi një çmim shumë të shtrenjtë të të drejtave të PI-së maksimaliste në favor të pak korporatave farmaceutike, të cilat ishin në kurriz të interesit publik global dhe evropian, në kulmin e një pandemie globale.”

"Kjo vendos një precedent politikisht të padëshirueshëm për gatishmërinë e ardhshme për pandeminë, sepse ne do të përballemi përsëri me të njëjtat pengesa të pronësisë intelektuale për akses të barabartë në teknologjitë shëndetësore."

Për shkak se përmbledhjet e regjistruara të takimeve janë shpesh të paqarta, është e pamundur të thuhet saktësisht se sa takime midis industrisë farmaceutike dhe zyrtarëve të lartë të BE-së përfshinin diskutimin e tërheqjes. Njëra, për shembull, ishte "strategjia farmaceutike", ndërsa tjetra ishte për "vaksinat". Por disa takime ndodhën në pika kyçe në afatin kohor të negociatave.

BE-ja i tha POLITICO-s dhe Byrosë: “BE ka qenë në ballë të punës për përgjigjen e OBT-së ndaj pandemisë COVID-19. Që nga fillimi i pandemisë, Presidenti ka deklaruar vazhdimisht se aksesi i drejtë në vaksina dhe prodhimi i barabartë i vaksinave është thelbësor për të luftuar pandeminë, veçanërisht në rajone të tilla si Afrika, që varen nga importet e produkteve farmaceutike.

Ata shtuan se besojnë që mbrojtja e pronësisë intelektuale është "pjesë e zgjidhjes" për vaksinat e COVID sepse stimulon inovacionin dhe investimet, përfshirë vendet në zhvillim.

Folën paratë

Në maj të vitit 2021, SHBA, të cilat e kundërshtuan tërheqjen në takimet e hershme, ndryshoi qëndrimin e saj, duke tronditur shumë delegatë të OBT-së. U deshën vetëm dy ditë që grupet e lobit farmaceutik të Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me “Pfizer” dhe MSD, të takoheshin me ministrin e politikës tregtare të Mbretërisë së Bashkuar, Greg Hands, ministrin e vaksinave Nadhim Zahawi dhe Sekretaren e Tregtisë Ndërkombëtare, Liz Truss.

Në Bruksel, 12 ditë pas kthesës së SHBA-së, EFPIA u takua me tre anëtarë të kabinetit të komisionerit të BE-së për tregtinë, Valdis Dombrovskis, për të diskutuar politikën e vaksinave të Bllokut. Muajin pasues, Mjekët pa Kufij, Health Action International dhe Human Rights Watch takuan dy anëtarë të kabinetit të Dombrovskis për të diskutuar tregtinë në lidhje me produktet COVID-19.

Në fund të tetorit 2021, ndërsa data për një konferencë ministrore kyçe e OBT-së po afrohej, “Pfizer”, “Sanofi” dhe EFPIA u takuan me anëtarët e kabinetit të Dombrovskis për të diskutuar çështjet e lidhura me tregtinë. Më herët gjatë muajit, Mjekët pa Kufij, Health Action International dhe Human Rights Watch kishin takuar edhe një anëtar të kabinetit të tij.

Në fund të nëntorit, vetëm katër ditë përpara konferencës së planifikuar ku tërheqja nga TRIPS do të ishte një pikë kyçe e diskutimit, Von der Leyen u takua me CEO të “Moderna” dhe “Pfizer”. Mjekët pa Kufij do të takoheshin gjithashtu me vetë Dombrovskis atë muaj për të diskutuar aksesin global ndaj vaksinave dhe ilaçeve për COVID-19.

Konferenca përfundimisht u shty dhe debati mbi tërheqjen vazhdoi në vitin 2022. Pikërisht mbi këtë pikë BE, SHBA, India dhe Afrika e Jugut u mblodhën për diskutime në grupe të vogla mbi tërheqjen, të njohur si "Quad", në përpjekje për të thyer bllokimin. Lobimi i industrisë farmaceutike vazhdoi.

Një lobist i lartë i industrisë i tha POLITICO dhe Byrosë se ata kishin "disa angazhime me zyrtarë të nivelit të lartë" në SHBA, "të cilët treguan se interesi i tyre ishte të mbronin interesat e SHBA". Por kur u bë e qartë se mesazhi i tyre nuk po ndikonte në pozicionin e SHBA-ve, ata i kthyen sytë nga Evropa, përfshirë Britaninë e Madhe, të cilën e shihnin si më të hapur.

Më 5 mars 2022, kur diskutimet Quad po vazhdonin me zell, Dhoma e Tregtisë e SHBA u takua me Komisionin, sipas dokumenteve që disponon POLITICO dhe Byroja, përmes kërkesave për informacion. Në takim ishin grupet e lobit farmakologjik amerikan PhRMA dhe BIO si dhe “Pfizer”, “Eli Lilly” dhe MSD. Sipas detajeve të takimit, amerikanët i "paraqitën shqetësimet e tyre të përgjithshme me propozimin e tërheqjes" si një rrezik kërkimi dhe inovacioni.

Dhe në Britani, dy ditë pasi një dokument mbi pozicionin nga Quad doli dhe u raportua nga POLITICO në mes të marsit, lobi i bioteknologjisë i Britanisë u takua me George Freeman, ministër i Shkencës, "për të diskutuar pronësinë intelektuale dhe sektorin e shkencave të jetës".

Një muaj para takimit ministror të qershorit, në të cilin u vendos rezultati përfundimtar, Mjekët pa Kufij takuan një anëtar të ekipit të Dombrovskis për të diskutuar tërheqjen. Por aksesi që gëzonin grupet e shoqërisë civile ishte tejkaluar mirë nga figurat e industrisë.

Thomas Cueni, drejtor i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Prodhuesve dhe Shoqatave Farmaceutike, i tha POLITICO dhe Byrosë se ishte legjitime që industria farmaceutike të "kontribuonte në diskutimet e politikave" sepse ishte "një nga lojtarët kritikë në përgjigjen ndaj pandemisë”.

Ai tha se federata “siguroi shembuj të sfidave konkrete” me të cilat po përballeshin kompanitë, duke krijuar ndërgjegjësim për pengesat dhe duke u kërkuar vendimmarrësve t'i adresojnë ato.

Aleanca Popullore e Vaksinave, një koalicion prej më shumë se 100 organizatash që bëjnë fushatë për akses të lirë universal në vaksinat dhe trajtimet e COVID-19, tha: “Pikëpamjet e ekspertëve shëndetësorë, ekspertëve të tregtisë, bamirësive, sindikatave, shkencëtarëve, punonjësve shëndetësorë, agjencive të OKB-së, madje edhe Parlamenti Evropian u hodhën poshtë në favor të lobit të pasur farmaceutik. E thënë thjesht, folën paratë.”

Thuaja në vesh Komisionit

Në fund të fundit, lobimi mund të ketë qenë i panevojshëm. Gjatë gjithë negociatave, Komisioni mbeti i palëkundur kundër një heqjeje të gjerë të të drejtave të pronësisë intelektuale, siç propozohej nga Afrika e Jugut dhe India. BE-ja pohoi se PI nuk ishte pengesë për aksesin e vaksinave dhe, edhe nëse do të ishte, mekanizmat ekzistues si licencimi i detyrueshëm mund të përdoren për të kapërcyer çdo pengesë për prodhimin.

Por në takimet private, u bë e qartë se ky kundërshtim nuk kishte të bënte vetëm me pandeminë COVID-19 ose nëse një tërheqje do të nxiste prodhimin. Ishte pjesërisht për mbrojtjen e të ardhmes së sistemit PI.

Në Këshillin e Komitetit të Politikave Tregtare të BE-së, në nëntor 2021, Komisioni paralajmëroi se nëse zyrtarët pranojnë "mbrojtjen e pronësisë intelektuale si problem, së shpejti do të ballafaqohet me kërkesa të ngjashme për produkte të tjera", sipas dokumenteve të para nga POLITICO, Byroja dhe Observatori i Evropës së Korporatave, një grup kërkimor që fokusohet në ndikimin e korporatave.

Në një takim tjetër të të njëjtit muaj, Gjermania kërkoi "mbështetje unanime" për pozicionin e BE-së, i cili ishte i rëndësishëm "për të kundërshtuar rrezikun e relaksimeve të ardhshme në zonën TRIPS apo edhe humbjen e të drejtave të PI".

"Ata nuk donin të hapnin [kutinë e Pandorës]," i tha POLITICO-s dhe Byrosë një diplomat me bazë në Gjenevë, vendi i të cilit është një nga qendrat farmaceutike të Evropës. "Mos krijoni precedentë, sepse sapo të filloni të pranoni pronësinë intelektuale, do të ketë më shumë kriza shëndetësore, do të ketë më shumë sëmundje."

Ndryshe nga fronti i bashkuar i paraqitur në OBT, ndarjet po shfaqeshin midis vendeve anëtare të BE-së rreth pozicionit të tërheqjes. Në fund të vitit 2021, Austria, Holanda dhe Belgjika kërkuan vazhdimisht që BE-ja të qëndrojë mendjehapur ndaj zbutjes së rregullave ndërkombëtare të PI.

Kjo i bëri jehonë ndarjeve publike midis anëtarëve të BE-së. Emmanuel Macron doli në mbështetje të tërheqjes nga TRIPS në vitin 2021 dhe ministri italian i Shëndetësisë, me prirje të majta, Roberto Speranza, e quajti mbështetjen e SHBA-së për akses të lirë në patentat mbi vaksinat një "hap të rëndësishëm përpara". Kryeministri italian Mario Draghi tha gjithashtu se vendi i tij ishte i hapur ndaj kësaj ideje.

Të dy vendet përfundimisht u tërhoqën: Speranza kuptoi shpejt se PI nuk po pengonte prodhimin e vaksinave, sipas një anëtari të rrethit të tij, dhe në janar 2022, Macron erdhi në përputhje me BE-në. Ai u tha ligjvënësve evropianë se Franca kishte qenë në favor të propozimit, por se ishte "e lehtë për Francën që të ishte në favor, sepse ne nuk kemi asnjë patentë...sepse nuk ishin kompanitë farmaceutike franceze që gjetën vaksinat". Ai hodhi poshtë idenë e heqjes së patentave përmes një tërheqjeje nga TRIPS dhe në vend të kësaj propozoi një "licencë globale" për vaksinat COVID për të rritur aksesin.

Gjermania ishte një forcë e madhe shtytëse pas qëndrimit të BE-së – kundërshtimi i saj i madh ndaj tërheqjes u mbështet vazhdimisht nga vende si Irlanda, Suedia dhe Danimarka në komitetin e politikave tregtare. Këto tre vende mbajnë gjithashtu industri të rëndësishme farmaceutike: Irlanda është eksportuesi më i madh neto në BE i produkteve farmaceutike; ato përbëjnë kategorinë e dytë më të madhe të eksporteve të Suedisë në vlerë; dhe pothuajse një e pesta e eksporteve totale të mallrave të Danimarkës, sipas organeve të industrisë.

Në OBT, Gjermania punoi ngushtë për këtë me Britaninë e Madhe dhe Zvicrën, por edhe me SHBA-në, sipas dy diplomatëve me bazë në Gjenevë.

Qeveria gjermane ka mbajtur gjithmonë pikëpamjen se PI është vendimtare për nxitjen e inovacionit në ekonominë kombëtare, tha një zyrtar gjerman për POLITICO dhe Byronë. Në kohën kur “BioNTech” e kishte ndihmuar Gjermaninë të përballej me pandeminë dhe ndihmoi në furnizimin e botës me vaksina, vendet e tjera nuk kishin asnjë vaksinë në treg. "Ndoshta kjo e bëri më të lehtë për [të tjerët] të tregonin fleksibilitet politik," tha zyrtari, gjë që sugjeron se pozicioni i Gjermanisë ishte pjesërisht i ndikuar nga suksesi i BioNTech.

Një zëdhënës i qeverisë gjermane konfirmoi se "mbante komunikim me organizatat joqeveritare, shoqatat e industrisë dhe kompanitë e prekura, duke përfshirë BioNTech". Ata shtuan se “shoqatat e industrisë përmendën rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale”. Koen Berden, drejtor ekzekutiv për çështjet ndërkombëtare në EFPIA, i tha POLITICO dhe Byrosë se vendet anëtare të BE-së që përfitojnë ekonomikisht nga një industri e madhe farmaceutike – si Gjermania, Belgjika, Italia, Franca dhe Danimarka – ishin “shumë të etur” për të kuptuar ndikimin e mundshëm të tërheqjes nga TRIPS.

Ai shtoi se rreth gjysma e takimeve që EFPIA kishte me Komisionin midis janarit 2020 dhe korrikut 2022 nuk ishin “pa lidhje me COVID-19 dhe të fokusuara në fusha të tjera të politikës së barnave të BE-së, dhe shpesh të mbajtura me kërkesë të Komisionit Evropian ose Parlamentit.” Diplomati me bazë në Gjenevë tha: "Ne kemi industri të mëdha farmaceutike ... dhe është shumë e vështirë të dorëzohemi te pronësia intelektuale sepse është në thelb të modelit të tyre të biznesit."

Diplomati e kritikoi si shumë teknik reagimin fillestar të linjës së ashpër të Komisionit ndaj propozimit të tërheqjes. "Kishte mungesë të udhëheqjes politike ... Ka një emergjencë shëndetësore, ka një çështje solidariteti dhe sinjalizimi politik ndaj botës në zhvillim dhe Afrikës në veçanti." Komisioni dhe vendet anëtare ishin, përfundimisht, të shqetësuar se si do të dukej kundërshtimi i tërheqjes, ndërsa miliona njerëz vdiqën nga COVID-19. Gjermania inkurajoi “komunikim të zgjuar mbi këtë temë” që “nënvizon rolin proaktiv të BE-së në ofrimin e vaksinave në nivel global”.

Kur vendet e BE, me Belgjikën, Finlandën dhe Spanjën shprehën shqetësimin se BE-ja mund të vihej nën "dritën e gabuar", Komisioni premtoi të planifikojë punën e medias dhe të përgatisë një dokument informues për vendet anëtare, duke shtuar se ishte "e rëndësishme që këto të përdoren nga politikanët.”

E marrë së bashku me kthesën e Macron-it dhe Speranza-s, kjo sugjeron që Komisioni arriti të frenojë vendet e lëkundura dhe t'i rreshtojë vendet anëtare në një pozicion unik kundër tërheqjes, ndërkohë që nxiti politikanët të flisnin për konferenca shtypi. Por për shkak se Brukseli ishte i vendosur për të treguar se OBT-ja e sëmurë mund të jepte rezultate, ai u bë një nga forcat shtytëse pas diskutimeve të Quad-it. Sipas një burimi të BE-së, nisma e Brukselit për t'u përpjekur për të kapërcyer ngërçin, i befasoi shumë SHBA-të. SHBA nuk priste që BE të tërhiqej nga qëndrimi i saj plotësisht kundër heqjes dorë nga PI, gjë që papritmas ekspozoi mungesën e një linje të qartë nga ana e saj.

Ngozi Okonjo-Iweala, drejtori i përgjithshëm i OBT-së, ishte gjithashtu i rëndësishëm në ngritjen e diskutimeve të Quad. OBT e shikonte pamundësinë për të rënë dakord për një marrëveshje për TRIPS, si dhe për çështje të tjera të lidhura me tregtinë, si potencialisht shkatërruese për reputacionin e saj ndërkombëtar. Okonjo-Iweala paralajmëroi në qershor 2022 se mungesa e dakordësisë për TRIPS dhe çështje të tjera tregtare do të nënkuptonte kosto "të konsiderueshme" për vendet si të tilla.

"Unë mendoj se do të kishte qenë … rënia e OBT-së," citohet një zyrtar i tregtisë me bazë në Gjenevë.

Dita e madhe e qeverisë amerikane

Deri në maj 2021, bisedimet kishin mbetur në ngërç. Afrika e Jugut, India dhe 62 bashkë-sponsorizuesit e tërheqjes - duke përfshirë 44 vendet në Grupin Afrikan - ende dëshironin  tërheqje në masë të gjerë. BE, Britania e Madhe, Zvicra dhe të tjerët ishin ende të patundur. Vendimi i SHBA-së për të shpallur mbështetjen e saj për tërheqjen që kufizohej te vaksinat – pra një të tillë që përjashtonte trajtimet e COVID-19 – mund të kishte qenë momenti kur gjithçka ndryshoi.

Njoftimi nga Katherine Tai, përfaqësuesja e tregtisë së SHBA-së, më 5 maj 2021, bëri të qartë se SHBA-ja “beson fuqishëm në mbrojtjen e pronësisë intelektuale, por në të mirë të fundit të kësaj pandemie, mbështet heqjen dorë nga këto mbrojtje për vaksinat COVID-19. ” Tai tha se SHBA do të "merrte pjesë në mënyrë aktive në negociatat e bazuara në tekst" në OBT për të siguruar që mbrojtja e PI për vaksinat të hiqej.

Në nëntor, ajo u shkroi një letër senatorëve, ku thuhej se "vendimi për të mbështetur heqjen e mbrojtjes së PI për vaksinat COVID-19 pasqyron rrethanat e jashtëzakonshme të kësaj pandemie".

Asnjë nga dhjetëra njerëzit me të cilët folën POLITICO dhe Byroja nuk e priste këtë qëndrim nga një vend që dikur ishte një forcë shtytëse pas krijimit të të drejtave ndërkombëtare të PI. Si rezultat, delegatët e OBT-së kërkuan të rivlerësonin pozicionet e tyre. Përfundimisht, të nxitur nga pozicioni i SHBA-së, vende si Kolumbia e mbështetën tërheqjen – dhe Australia përmendi ndryshimin e mendjes së SHBA-ve kur doli në mbështetje të një tërheqjeje në shtator 2021. Disa thanë se dukej sikur një tërheqje në atë moment ishte vërtet e mundur, duke pasur parasysh ndikimin e SHBA-së në OBT. "Ne ishim vërtet të tronditur kur ata mbështetën tërheqjen," tha një zyrtar nga një vend që e kundërshtoi atë. “Sapo të kesh mbështetjen e SHBA-së, kjo të jep shumë forcë… mori vrull.

Por në muajt që pasuan njoftimin e Tai, SHBA-të nuk arritën të mbështesnin retorikën e saj publike. Për më shumë se një vit pas njoftimit, zyrtarët amerikanë në Gjenevë nuk thanë pothuajse asgjë të re në Këshillin TRIPS. “Ajo që ne përjetuam ishte se SHBA-të ishin shumë, shumë të paangazhuara”, tha një zyrtar i përfshirë në negociata. "Ata do të përsërisnin të njëjtat deklarata ... për muaj të tërë."

Pavarësisht se SHBA mbështeti tërheqjen dhe u zotua të jetë "aktive" në negociata, ajo nuk parashtroi një propozim konkret. Kjo është në kontrast me BE-në, e cila në qershor 2021, një muaj pas njoftimit të Tai, propozoi një alternativë ndaj tërheqjes që fokusohej në ndryshimin e rregullave rreth licencave të detyrueshme. Pyetja që lindi ishte pse SHBA-ja, nëse me të vërtetë dëshironte tërheqjen, nuk propozoi zgjidhjen e saj. Një zyrtar i tregtisë amerikane i tha POLITICO-s dhe Byrosë se kishte “tashmë çështje të mjaftueshme në tryezë” për të diskutuar.

Faktori tjetër, thanë ata, ishte "aktorët që ishin në vende shumë të ndryshme për këtë çështje", gjë që e bëri të vështirë krijimin e një teksti propozimi. “Ju keni kompanitë farmaceutike në një anë, padyshim që nuk e dëshironi këtë, keni komunitetin e OJQ-ve, njerëz të ndryshëm që kërkojnë gjëra të ndryshme. Dhe ne kemi lloj-lloj njerëzish në mes.”

Një nga ata "lloj-lloj njerëzish" ishin anëtarët republikanë të Kongresit, të cilët kërkonin që Biden të braktiste mbështetjen e tij. Zyrtari tha se motivimi i SHBA për të mbështetur publikisht tërheqjen ishte së pari për të "promovuar dhe lehtësuar prodhimin e vaksinave" dhe së dyti për të "lehtësuar një bisedë" mbi tërheqjen. Ndryshe nga zyrtarët e tjerë me të cilët folën POLITICO dhe Byroja, ata e karakterizuan rezultatin përfundimtar si një "tërheqje" dhe një "pozicionim të mesëm" midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të propozimit fillestar.

Sa i përket asaj që saktësisht kishte parashikuar SHBA-ja kur njoftoi mbështetjen e saj për tërheqjen, zyrtari ishte i paqartë. "Ajo që ne donim fillimisht ishte që të kishim një bisedë që bazohej në fakte dhe çfarë është ajo që nevojitet në të vërtetë për të promovuar dhe lehtësuar prodhimin e vaksinave në zonat ku nuk e keni aktualisht," thanë ata. BE-ja po e shikonte SHBA-në me frikë. Në një takim të komitetit të politikës tregtare në nëntor, pozicioni i SHBA-së u konsiderua si "rreziku më i madh" për BE-në, ndërsa në një takim tjetër në të njëjtin muaj, Komisioni tha se kishte "rrezik të madh" që SHBA të shpallte pozicionin e saj në një konferencë të rëndësishme në javët e ardhshme, dhe se SHBA mund të nxiste tërheqjen e plotë për vaksinat.

Në një diskutim tjetër, Italia kërkoi një "qasje taktike" nëse SHBA do të paraqiste një propozim për një tërheqje të kufizuar.

BE-ja besonte se mund të ishte detyruar të pranonte një tërheqje nëse do të ishte nën presion të mjaftueshëm. “Skenari më i keq i imagjinueshëm është që BE-ja të izolohet dhe të jetë nën presion për të pranuar një rezultat të papranueshëm”, tha ai në një takim të komitetit, duke iu referuar ndër të tjera tërheqjes.

Thuaj lamtumirë

Cili ishte rezultati i muajve të tërë takimesh dhe bisedash? Asgjë nga ajo që Afrika e Jugut dhe India propozuan në krye të herës, por shumë më afër kundërpropozimit të vetë BE-së në vitin 2021. Ai sqaron disa nga fleksibilitetet ekzistuese në TRIPS dhe u jep vendeve më shumë liri për të eksportuar vaksinat e COVID-19 që janë bërë sipas një licence të detyrueshme.

Ai përshkruhet më së miri si një "përjashtim i ngushtë dhe i përkohshëm nga një kufizim eksporti, jo një heqje dorë", shkroi në qershor James Love, drejtor i Knowledge Ecology International dhe këshilltar si për agjencitë e OKB-së ashtu edhe për qeveritë. Ai shtoi se vendimi do të ishte i dobishëm vetëm nëse një vend në zhvillim kalon nëpër procesin e gjatë të lëshimit të një licence të detyrueshme, marrjen e miratimit rregullator për një vaksinë, prodhimin e saj dhe më pas eksportimin.

Një zëdhënës i OBT-së tha se rezultati ishte mirëpritur nga shumë vende, përfshirë këtu Indinë dhe Afrikën e Jugut, gjë që ishte "testament për mbështetjen e gjerë që vendimi ka marrë dhe pranimin se ai do të luajë një rol të rëndësishëm në kontributin në barazinë dhe disponueshmërinë e vaksinave".

Në Gjenevë, delegatët kanë kohë deri në dhjetor për të vendosur nëse do të zgjerojnë marrëveshjen e kufizuar të negociuar në trajtime dhe diagnostikime - dhe kjo mund të jetë një tjetër “luftë qensh”. Implikimet e zgjerimit të tërheqjes janë potencialisht masive, duke pasur parasysh se barnat janë përgjithësisht më të lehta për t'u bërë sesa vaksinat.

Përkundër këtij sfondi, një zyrtar në departamentin e tregtisë së Komisionit Evropian i dërgoi email “Pfizer”-it më 7 korrik, duke kërkuar më shumë informacion mbi "anën terapeutike të COVID".

“Diskutimet për këtë çështje tashmë kanë nisur në Gjenevë, kështu që do të ishte vërtet e dobishme të fillonim me disa fakte themelore në këtë pikë”, shkroi zyrtari në një email që u mor nga POLITICO dhe Byroja përmes një kërkese për informacion.

Punonjësi i “Pfizer” u përgjigj, duke thënë se EFPIA po e mblidhte këtë material. Në shtator, të dhënat u publikuan, duke treguar makthin që industria e kishte parë të afrohej. Analiza e industrisë tregoi se 135 627 barna dhe patenta testuese do të ndikoheshin drejtpërdrejt. Një tërheqje prej tre vitesh do të çonte gjithashtu në një rënie prej 25 për qind të kërkimit dhe zhvillimit në vendet me të ardhura të larta, pretendoi grupi i lobimit.

SHBA, e cila mbështeti tërheqjen vetëm për vaksinat e COVID, nuk kishte vendosur ende pozicionin e saj për trajtimet dhe terapitë kur POLITICO dhe Byroja intervistuan zyrtarin e lartë të tregtisë. Vitin e kaluar, mbështetja e tyre ishte e kufizuar për vaksinat, sepse "në atë kohë ... çelësi ishte vaksinimi dhe të lehtësohej prodhimi i vaksinave".

Tashmë ekziston shqetësimi se vonesat që pllakosën diskutimet fillestare do të përsëriten. Një zyrtar me bazë në Gjenevë, nga një vend me të ardhura mesatare më të ulëta që mbështeti tërheqjen, parashikoi se nuk do të kishte asnjë vendim këtë vit për shkak të asaj se sa fort disa vende, veçanërisht Britania e Madhe dhe Zvicra, do të kundërshtojnë fleksibilitetin e PI në trajtimet COVID-19. Zvicra i tha POLITICO dhe Byrosë se "nuk konsideron se prona intelektuale është një pengesë për të hyrë në diagnostikimin dhe terapinë e COVID-19".

Një tjetër diplomat i tregtisë, me bazë në Gjenevë, tha se SHBA-ja dhe Gjermania "do ta kapin këtë që në fillim ... ata nuk do të lëvizin".

20 muajt e negociatave të ashpra kanë implikime për urgjencat shëndetësore përtej COVID-19. "Është e qartë se ka një problem brenda sistemit," tha Luke McDonagh, asistent profesor i drejtësisë në Shkollën Ekonomike të Londrës. "Marrëveshja TRIPS po u shërben vërtet interesave të vendeve me të ardhura të larta dhe praktikisht nuk po bën asgjë për vendet me të ardhura të mesme të ulëta", tha ai, duke shtuar se shpresonte që OBT-ja e njeh nevojën për të korrigjuar këtë ekuilibër.

Edhe këshilltari belg pranoi se "ka një bisedë që duhet bërë" për rolin e PI. “Thjesht duhet të ulemi rreth tryezës kur gjërat të qetësohen dhe më pas të diskutojmë, çfarë shkoi mirë? Çfarë shkoi keq?

Përkrahësit e tërheqjes nuk po bëjnë pas. Zyrtari nga vendi me të ardhura mesatare të ulëta bëri thirrje për vullnet politik për të "vënë në dyshim sistemin" dhe për të siguruar që vendet në zhvillim të jenë më të përgatitura për emergjencat e ardhshme. “Rregullat e PI-së janë shumë të rëndësishme, ne e respektojmë këtë dhe besojmë në të. Por ne duam edhe të tërheqim vëmendjen për problemet aktuale, pabarazitë dhe boshllëkun që kemi, dhe se si sistemi mund të ndihmojë vërtet.”

Një zyrtar tjetër, nga një vend i Amerikës Latine, tha se negociatat për tërheqjen nga TRIPS krijuan një diskutim më të madh rreth rolit të PI në urgjencat shëndetësore dhe se marrëveshja e kufizuar e siguruar në OBT mund të përdoret si pikënisje për debatet e ardhshme.

"Shpresoj të mos e jetoj një pandemi tjetër," tha ai. “Por nëse jetoj dhe jam mjaftueshëm i ri për të negociuar, në atë moment, mund të them, për COVID ne e bëmë këtë. Na mori shumë kohë. Erdhi shumë vonë. Por tashmë e kemi”.

Byanyima, drejtoresha ekzekutive e UNAIDS, i tha POLITICO dhe Byrosë se ajo do të vazhdojë të nxisë në drejtim të reformës së rregullave të PI dhe se negociatat e TRIPS kishin bindur shumë vende të pasura të "pranonin se pronësia intelektuale ishte një pengesë" për akses.

Ky nuk ka qenë momenti ynë më krenar, por ne kemi bërë disa përparime,” tha ajo.

Ndërsa diskutimi vazhdon rreth trajtimeve dhe testeve, ajo thotë se qeveritë duhet “të ngrihen dhe të luajnë rolin e tyre, që është të thyejnë monopolin e tyre dhe të lejojnë ndarjen e teknologjisë, pronës intelektuale dhe njohurive në mënyrë që të ketë më shumë prodhim – jo vetëm të vaksinave por të trajtimeve dhe diagnostikimeve në të gjithë botën.

COVID ishte momenti i vërtetë për këtë ndryshim dhe ai nuk ndodhi. Por mund t'ju them se do ta arrijmë herët a vonë."

Burimi: Politico

Përktheu: Gazmira Sokoli 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.