Mafia e “lajmit” në një orgji që duhet të marrë fund

Postuar në 09 Tetor, 2022 00:37

Policia ka dhuruar sot materialin e nevojshëm për një javë tjetër të zhurmshme ku protagonistë do jenë të ashtuquajturit gazetarë të kronikës. Në makinën e Endrit Dokles, person i njohur dhe i dënuar më parë, i akuzuar në media si pjesëtar i bandës së Durrësit, është identifikuar Fatjon Murati. Person në kërkim për ngjarjen e Fushë-Krujës ku mbetën të vrarë tre persona të afërt të Ervis Martinajt, një tjetër personazh ky i mirënjohur dhe me shumë nofka. 

Orgjia mediatike rinis pra këtë javë me një arrestim që i heq frenat çdo fantazie. Është ajo orgji “ekspertësh” që nuk është puna se ndotin mjedisin mediatik dhe opinionin me gjithfarë thashethemesh, por ata helmojnë çdo mundësi për të kuptuar sado pak se çfarë po ndodh. Se ku nis krimi ordiner, e ku vazhdon i organizuari, se cilët janë ata që organizojnë dhe kush janë viktimat. 

Vëmendja përqendrohet te personat e kërkuar, kur në fakt të gjithë këta janë identikite të amplifikuara nga gazetarë dhe prokuroria, me kostume aktivitetesh që janë kryer por që paketohen në formën e një filmi pa mbarim prej nga ku nuk mbetet të pranosh: se në Shqipëri ka vetëm krim

Të kthehemi pas në kohë, te dëshmia e zbardhur e Adriatik Colit, i pari ndoshta që tregoi se çfarë ndodhte brenda të ashtuquajturës Banda e Durrësit. Dëshmia është online e publikuar dhe aty ke mundësinë të shohësh se ata të cilët media i përflet si njerëz të krimit të organizuar të sofistikuar janë në fakt vetëm në nivelin e një bande. Natyra e konflikteve që evidentohen aty janë banale, karakteristike për njerëz të cilëve u duhet nga mëngjezi në darkë të afirmojnë autoritetin e kafshës përkundrejt lëkundjes më të vogël. Ballafaqoni dëshminë e Colit me legjendat e gazetarëve të kohës dhe kushdo sheh dallimin. 

Kujtoni rastin e Julian Sinanajt, i akuzuar për një seri vrasjesh, sesi mori në telefon në një televizion për të sqaruar se “Skerdilajd Konomin nuk e kishte vrarë ai”. Xhanëm duhet të kesh më shumë frikë nga ky gjyqi i gazetarëve të këtij soji sesa nga puna e vrasjes, për shkak se këtë të fundit e di për çfarë po e bën, kurse akuzat e këtyre nuk i kupton dot për çfarë bëhen dhe kush i përgatit. 

Çfarë nuk është thënë e stërthënë për trekëndëshin e Bermudës së krimit; Fushë- Kruje, Laç, Tiranë. Debate pa fund, akuza e aludime; unë i di emrat, por si them dot. Pritet kjo e ajo. Ngrihet një propagandë e tërë për mitizimin e disa figurave, kur sapo zbardhen dëshmitë gjithçka përmbyset e thjeshtohet. 

Pak muaj më parë në një emision investigativ u shfaq një video e dytë e rrëmbimit të Enver Stafukës. Aty rezulton diçka tjetër nga ajo që kemi parë në videon e shkurtuar të rrëmbimit dhe më pas kemi komentin e gazetarit se ka “një video ku Stafuka nën torturë rrëfen 31 ngjarje kriminale”. 

Të gjitha këto nuk janë pa zarar. Madje këto janë zarari. Sepse ne po dëshmojmë se në media nuk po zbardhen ngjarje, as analizohen, aty po përcillen mesazhe. Ka madje media që e kanë fushën e komenteve hapësirë kodesh mes kush e di se kujt me kush e di se kë: aty mëson hasmëritë e vjetra, aty mëson për gjobat që vihen nga burgu. Mor po aty lexon edhe pyetje të tipit: o filan gazetar pse nuk e përmend fistekun? Deri këtu ka shkuar pra kompromentimi. 

Rasti më flagrant i kësaj lloj mafieje të lajmit që bashkon polici, gazetari, politikë, prokurori dhe krim është dëshmia e Nuredin Dumanit. Nga e gjithë dëshmia e tij, në media prokurorisë “i rrodhën” informacionet e tij mbi vrasjet e kryera nga Talo Çela dhe dëshmia se atij i ishte kërkuar nga Ervis Martinaj të vriste Endrit Doklen. Më pas, dëshmia u kyç si me magji. Dumani doli nga titujt për t’i lënë vend teatrit në terren që u pa se çfarë prodhoi këtë verë. 

Dumani përfaqëson si të thuash epitafin e mitit të krimit të Elbasanit; me kapjen e tij, me teknikën e botimit të dëshmisë gjetën rrugë në media emra të cilët më herët nuk i kishte zënë në gojë kush. Aty doli në sipërfaqe dosja operative e policisë dhe më keq: u vunë në mexhlis lidhjet mes paguesve dhe ekzekutorëve të ngjarjeve të ndryshme, duke identifikuar tashmë në fletërrufe kombëtare të gjithë bazën e të dhënave të aktorëve kryesorë në Elbasan. 

Këtu ka interes fakti se një vit më parë Talo Çela të cilin “s’ka polic që e kap”, u shfaq në një televizion ku përmes një interviste të posaçme donte të përcillte dy mesazhe: vëllezërit Haxhiaj në Durrës nuk i ka vrarë ai dhe se ai nuk ka gisht në grabitjen e Rinasit. 

Mua herët apo vonë do më kapin

tha Çela aty. 

I cili në e-mailet e Gledis Nanos - sipas shqetësimeve të gazetarëve - na rezulton se bredh me policë në Tiranë! Për çfarë vallë? Nëse dëgjojmë një gazetar të kronikës, “Çela ka kontroll të mirë të territorit”, pra thënë ndryshe: ai të gjen kudo të fshihesh. Dhe njerëz që fshihen siç e dimë ka shumë…

Kujt i shkonte ky mesazh? Mos vallë edhe ndonjë polici apo prokurori që vepron për të devijuar hetimet duke futur në akuzë emra për të cilët besohet çdo gjë dhe fshehur autorët e vërtetë? Pse jo! Dumani na tha se në Durrës një çështje ishte mbyllur me 200 mijë dollarë. Asnjë hetim nuk ka për këtë gjë sot. 

Pas rënies së Elbasanit i erdhi radhe Martinaj që doli në vijën e parë të lajmit: u zhduk apo jo, u vra apo gjallë. Media e përcolli atë nga kjo botë si “të dyshuar si porositës të vrasjes së Endrit Dokles, posedues të 600 milionë dollarëve dhe si mbretin e lojërave të fatit”. Jo keq me thënë të drejtën. 

Dhe me Martinajn si për çudi u hap dosja e Durrësit, të vetmit qytet që i ishte qëndruar larg. Arrestimi i dy vëllezërve Beqiraj, vrasës me pagesë, solli rrjedhjen e radhës në media: nga dëshmia e tyre na del se kush rrahu biznesmenin libanez, hidhen dyshime për vrasjen e Isa Çopës, e konsideruar si ngjarje e pazgjidhshme, mandej përmenden personazhe me shumë aktivitet si Poja dhe Rrumi, zbardhet vrasja e Manecit e kështu me radhë, për të na njoftuar se hesapet e një brezi po shkojnë drejt mbylljes. 

Kush e di si funksionon media e kupton se për fat të keq një gazetari e tillë është një formë përdorimi prej prezervativi, për të vënë në lëvizje mekanizma pastrimi që përndryshe do të mbingarkohen. Media bën parathënien, dërgon mesazhin dhe në rastin më të keq orienton drejt shënjestrave, edhe pa dashje. 

Nëse do të ngremë në një nivel tjetër arbitraritetin e kësaj gazetarie dhe nisur nga fakti se krimi këtu është i lidhur me politikën, ne kemi të drejtë të themi se me Elbasanin dhe Durrësin po pastrohet territori nga njerëz të një grupimi politik, ndërkohë që publikisht konsumohet nën stres afera e madhe e inceneratorëve. Ndoshta tjetër kush lan hesapet e ndërkohë që emra të caktuar shërbehen si gjeneralë dhe mbretër, duhet të kuptojmë se ata janë shumë më pak se kaq. 

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

I persosur. Delikat dhe me mesazhe te qarta. Nuk ju shaj dot kete radhe.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.