Kina reagon zhurmshëm në Tajvan, por pa drejtim real

Postuar në 05 Gusht, 2022 13:17

Ministria tajvaneze e Mbrojtjes ka njoftuar se anijet ushtarake kineze dhe avionë, kanë kaluar sërish vijën ndarëse të ujërave territoriale duke krijuar një situata paralufte në ngushticë. Sipas institucionit në fjalë « stërvitjet kineze janë ekstremisht provokative ».

Në media të ndryshme po flitet për një lloj bllokade, por askush deri më tani nuk po raporton për mobilizim real mjetesh dhe trupash kineze që të mund të flitet për një skenar pushtimi. Presidenti tajvanez, Tsai Ing-wen ka deklaruar se vendi është gati të përgjigjet ndaj çdo situate, ndonëse autoritetet kanë bërë të qartë se nuk do të kërkohet luftë.

Lidhur me këtë situatë ka ardhur edhe një reagim nga Japonia, një vend që ka interesa imediate në zonë dhe ka rivalitet strategjik me Kinën. Kryeministri japonez Fumio Kishida ka deklaruar se Kina duhet të ndalojë menjëherë stërvitjet ushtarake pasi ato cenojnë stabilitetin dhe paqen.

Duhet thënë se tensioni i krijuar nga vizita e Nancy Pelosit në Tajvan është një provë force që ka vënë Pekinin në një situatë të sikletshme, ndaj së cilës nuk ka mjete të përshtatshme reagimi. Kina e konsideron Tajvanin territor të vetin, por nuk ka sovranitet real mbi të. Pelosi ka deklaruar pas vizitës së Kina nuk mund të përcaktojë itinerarin e udhëtimeve të njerëzve, mirëpo është për t’u parë p.sh nëse vizita të tilla do të mund të ndodhin në Tibet.

Në një plan publik situata e krijuar krijon një fokus të ri tensioni që relativizon rëndësinë e zhvillimeve në Ukrainë. Nuk përjashtohet që angazhimi i Kinës në këtë drejtim, në mënyrë aktive dhe konkrete, e ule potencialin e ndihmës ndaj Rusisë në një rajon kritik si Europa duke zbuluar eventualisht një strategji të perëndimit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.