Shumica vendosi: Nuk ka hetim për investimet strategjike
Konferenca e Kryetarëve në shumicë konstatoi se kërkesa e PD ka probleme të qasjes kushtetuese të kërkesës së deputetëve, kërkesa nuk ka një mbështetje në vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese e cila ka sqaruar se kur ngrihen këto komisione. Në kërkesë mungojnë indiciet, faktet, apo grup faktet që justifikojnë ngritjen e një komisioni të tillë. Unë kam bërë një sqarim të plotë lidhur me arsyet e rrëzimit të kësaj kërkese.
Mendoj se opozita ka instrumentet të tjera të kontrollit parlamentar, por në kërkesë nuk ka as fakt as indicie që kuvendi të investohet për ngritjen e këtij komisioni. Pa i mohuar të drejtën 35 deputetëve, e drejta e kuvendit për të hetuar nuk është e pakufizuar. Të vish dhe të kërkosh të hetosh të gjithë hapësirën e zbatimit të ligjit, nuk mund të jetë objekt i një komisioni. Për më qartë në seancën plenare të ditës së enjte, do të parashtroj të gjitha arsyetimet të refuzimit të kësaj kërkese
Kështu është shprehur sot Taulant Balla, një nga drejtuesit e Partisë Socialiste. Të vihet re se zotëria flet për shumicë parlamentare, duke mëtuar të invokojë një standard legjitimiteti. Kur në fakt na parashtron vetëm një metër legaliteti, sepse kjo shumicë është e tillë vetëm si alibi I një dështimi strukturor të mbarë shoqërisë.
Kemi borde që vënë çmime në një ekonomi tregu, çmime që në fakt vetëm rriten. Kemi komiteti të investimeve strategjike që japin me 1 euro çfarë duan, kemi konçesione që po ndërtojnë burgun e arbitrazhit për mbarë vendin dhe kemi edhe këtë shumicën që është parzmorja e çdo shkeljeje të arsyetuar dhe mbështetur në ligj.
Të mbetesh në humorin e Taulant Ballës dhe Elisa Spiropalit për të patur ose jo një hetim për një ndër proceset më të dyshimta në vend dhe që është ndërtuar mbi dispozita të diskutueshme siç është shpronësimi.
Në lëmin e hapësirës ligjore që jep ky ligj janë dhënë vendime që meritojnë trajtim: p.sh TEC i Korçës për mbi 350 milionë euro, apo resortet e shumta në bregdet, sikundër p.sh edhe Butrinti për të cilin z. Rama deklaroi se u reduktua si park pas sugjerimeve të UNESCO-s, pa dhënë as edhe një provë të vetme shkresore.
Add new comment