Beteja për selinë, beteja e vetme që mund të bënte Lulzim Basha
Në media qarkullon këto orë një lajm mbi ndalim qarkullimin e mediave në selinë e Partisë Demokratike. Është ndoshta karantina më unike në botë, e ideuar nga Lulzim Basha, që ka marrë vendim përfundimtar të mbrojë sinoret e një godine, në një akt ndoshta të paprecedentë.
Lufta për godinën dhe vulën është aspekti më komik i kësaj që po ndodh, ndonëse pas saj fshihet një politikë meskine që i intereson edhe shumicës në pushtet. Një emër, një logo, një vulë, ca deputetë, mjaftojnë për përfaqësim. Apo më mirë iluzionin e përfaqësimit opozitar.
Ta presim që tani një vizitë të Yuri Kim dhe kimërve të shumtë diplomatikë në seli një ditë para protestës. Të mos çuditemi edhe për ndonjë sistem alarmi apo survejimi dhe angazhim policie private. Budallallëku politik nuk ka pikë kritike dhe z. Basha e ka dëshmuar këtë. Ai po i ikën edhe kësaj radhe betejës duke u fshehur pas disa mureve në shpresën se kështu do të provokojë gabimin e kundërshtarit të tij politik. Por aty Basha është në fakt në terrenin e vet pse vetëm aty do ketë me vete ata që ka të vetët dhe jo berishianët apo demokratët që dilnin shesheve jo për të.
Të kuptohemi drejt: selia e PD-së është një seli serioze. Përballë saj kullat e Shefqet Kastratit të ngrenë nervat dhe nuk ka asnjë arsye që një godinë si ajo të lëshohet kaq kollaj. Përndryshe nuk ka asnjë interes publik në këtë fortifikim absurd, një gati bunkerizim që po provohet në vlerën e vet nga një forcë që dikur u krijua edhe kundër izolimit.
Ka shumë pak se çfarë të thuash në një ngjarje si kjo që i ka lënë rrugë vetëm huliganizmit për të thënë ndonjë fjalë, a për të lëvizur kandarin e forcës. Njerëz të Berishës flasin se në seli janë instaluar persona të armatosur ardhur nga jashtë Shqipërisë. Mund të besohet kjo, pasi nuk është e besueshme se Lulzim Basha po mëson pistoletën në këtë moshë. Nga ana tjetër protesta e berishianëve mund të jetë masive dhe nëse është kështu e bën atë seli të duket si tokë e xanun, zaptuesi i së cilës nuk po legalizohet dot.
Në ditë të tjera gjithë Shqipëria do ishte gajasur me këtë që po ndodh. Por ky absurd po lë indiferent shumëkënd pse ai në fund është akt interpretativ politik dhe jo edhe aq politikë. Dhe është i tillë për sa kohë beteja po bëhet për një truall e një godinë, që nuk ka më as simbolikë, por vlerë eventuale tregu.
E nisi Edi Rama te PS-ja këtë sterilizim shpirtëror, e vazhdon Basha nga PD-ja. Dhe është pikërisht kjo ftohtësi prej biznesmeni që e bën të dyshimtë dhe jo pa zarar atë vendimin për të mos lejuar mediat. Dikush që nuk përballet, diçka fsheh. Dhe kjo patjetër nuk ka sesi të lërë jashtë pushtetin që po luan me këtë krizë nervore.
s.zaimi
Add new comment