Zelanda e Re ndalon duhanin për brezat e ardhshëm

Postuar në 09 Dhjetor, 2021 19:53

Zelanda e Re synon të krijojë një gjeneratë që nuk pi duhan. Qeveria bëri të ditur planin e ri, sipas të cilit mosha e atyre që lejohen të blejnë cigare do të shkojë duke u rritur vit pas viti. Aktualisht, Zelanda e Re e ndalon shitjen e duhanit për moshat nën 18 vjeç. Por duke nisur nga viti 2027, mosha e lejuar do të fillojë të rritet.

Krahas kësaj, do të kufizohen hapësirat ku shiten cigare si edhe do lejohet shitja vetëm e atyre që kanë nivel të ulët nikotine.

Një reduktim drastik i numrit të shitësve të autorizuar të nikotinës pritet të shtrihet në faza duke filluar nga viti 2024.

Deri në vitin 2027, Zelanda e Re do të ketë krijuar gjeneratën e saj "pa duhan".

Industria e duhanit me pakicë në Zelandën e Re është aktualisht ndër më të kufizuarat në botë – menjëherë pas Butanit, i cili e ka ndaluar plotësisht shitjen e cigareve. Por qeveria thotë se nevojiten masa më të ashpra për të arritur objektivin më pak se 5% e popullsisë konsumatorë të duhanit deri në vitin 2025.

Qeveria pret që rregullat e reja të përgjysmojnë normat e duhanpirjes në Zelandën e Re brenda 10 viteve nga hyrja në fuqi.

Plani do të çohet për votim në Parlament në qershor të vitit të ardhshëm, pasi qeveria synon ta ketë përfunduar së hartuari ligjin deri në fund të vitit 2022.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.