Një vend i neveritshëm!

Postuar në 02 Dhjetor, 2021 13:27

 Ky vend po bëhet i neveritshëm. Në çdo drejtim dhe në çdo gjë. Me një shoqëri që ka marrë rolin e spektatorit spontan të ngjarjeve që as i interesojnë dhe mesa duket as i përkasin ndërgjegjes së saj, kufizuar strikt në horizontet e mbijetesës. Mbijetesa në të vërtetë është regjimi i vetëm ekonomik, social dhe kulturor i shoqërisë sonë. Gjjithë izmat e tjera, përfshirë Pavarësizmat, monarkizmat, republikanizmat, komunizmat e kështu me radhë, janë vetëm dekorata veteranësh në faqen e djegur të një populli që nuk e di as vetë çfarë e lidh me vendin e vet.

Narrativa zyrtare? Kush beson realisht tek ajo? Ajo është vetëm një mjet për të ngjitur ca shkallë karriere, për t’u bërë figurë publike – kjo e fundit asgjë më shumë sesa një fytyrë që del në ekranet televizve – për të mbajtur në këmbë një gënjeshtër që konsumohet në Tiranë.

Prona? Kush ka pronë në këtë lloj vendi? Cila kontratë u respektua në këtë vend ndonjëherë, sa për të folur për një shoqërië që ushtron disa interesa mbi këtë hapësirë?

E ardhmja? Të mos gajasemi kaq shumë me veten dhe fëmijët tanë.

Ne të gjithë i japim kohë vetes për diku tjetër, për të ikur. Për të shpëtuar nga përditmëria, nga qeveria, policia, tatimet, gjithë ky grupim banditësh me unifiormë, vulë e dekret. Për të ikur nga një raport të cilin askush nuk e do, por të gjithë përpiqen ta shfrytëzojnë për të rregulluar fasadën e përbashkët.

Në rendin tumoreve që shtohen përditë, në krye patjetër qëndron politika, ka të paktën një vend nderi. Ne I kemi urryer apo dashur shumë ata që drejtojnë, kemi qenë edhe indiferentë, por vështirë të gjesh një periudhë kur pështrirosja për elitën të jetë në këto përmasa. Është një elitë ajo që merr vendime për ne dhe kjo elita jonë, e dalë e gjitha nga Krimi, korrupsioni duke qenë se nuk di me çfarë të afirmohet, imponohet vetëm me mirëqënien e vet. Me luksin, dhunën, forcën, arrogancën. Është një elitë që pak interes ka për faktin nëse di apo jo ta shkruajë emrin e vet, ajo ka intuitën të shkollojë fëmijët jashtë. Ose më saktë t’I çojë në shkollë.

Pak interes ka për historinë e vendit. Atë mund ta shkruajë edhe ndonjë ambasadë e ndonjë vendi mik. Ne kemi kaq shumë miq…Mundet të themi madje se ndoshta ky është rasti i vetëm kur elita nuk do që ta tregojë historinë e vet, ndoshta sepse ajo është vetëm një sënduk dosjesh që duhet të rrinë mbyllur.

Dhe përkundrejt nevojës për të performuar, ka edhe palaçollëkun gjenuin. Atë që bën kundërshtari vëlla e kundërshtojmë dhe nesër e bëjmë vetë. Shqipëria 1 euro e Saliut nuk bën. Shqipëria 1 euro e Edit është mundësi zhvillimi.

Koncesionet e Saliut janë kriminale. Të Edit janë shërbim.

Tani, njëra nga partiçkat demokratike që vegjetojnë në selitë e marra edhe ato me 1 euro procedurë, kërkon dekomunistizimin. Çfarë do dekuministizojnë? Mendjen e kujt? Cilin komunizëm pati Shqipëria?

Dekomunistizim në fakt do parë si department në një parti për të përndjekurit, ca vota më shumë e asgjë tjetër. Në fund a mund të ndërhysh në një rrënojë?

Një draft, një deklaratë me vetulla të ngrysuara, ca shkelje syri dhe ja populli dele e hëngri prapë karamelen. Performanca me ide dhe tema kaq serioze është monopol i kësaj politike që sillet me mbarë shoqërinë si puna e atij që pas thyen arrën me dorë të jep vetëm lëvozhgat.

Historia jonë e vërtetë është hajdutëria dhe krimi. Narrativa është lëvozhga.

s.zaimi

Comments

Submitted by xxl (not verified) on

shume e bukur

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.