Kur do shpjegohet se çfarë përfaqëson realisht Open Balkan?
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë dje në një intervistë prej 3 orësh në studion e MCN TV. Nga e gjithë pështjellja e fjalëve dhe komenteve, mund të veçojmë rrotullimet verbale të z. Rama për temën e Open Balkan.
Në përgjigjet e veta, kryeministri është justifikuar me alibinë më të fundit, se Open Balkan është asgjë më shumë sesa një mekanizëm për zbatimin e Procesit të Berlinit.mirëpo si mund të mbahet në këmbë kjo alibi kur në dy vitet e fundit z. Rama ka ndërruar disa herë muzikën. Në fillim, nga Novisadi deklaroi se Ballkani duhet të marrë në dorë fatin e të mos presë BE-në, pastaj se nisma ka mbështetjen e BE-së dhe SHBA dhe tani kur asgjë prej këtyre nuk është e vërtetë, se OB është një mekanizëm zbatues i Procesit të Berlinit.
Është e qartë se kryeministri po kërkon një rrugëdaljeje për të mbrojtur një nismë të dështuar apo më saktë të papërmbushur. Vetë fjala nismë ngjan e tepruar, pasi thuasje çdo gjë, edhe këto akrobacitë e z. Rama, flasin për një sajesë.
Në paktin e Novisadit ka çdo gjë, veç një vizioni. Thuajse gjithçka që lidhet me të të jep idenë e një manovre taktike.
Ta nisim që me ndryshimin e emrit nga Minishengen, apo Shengen Ballkanik në Open Balkan. Një nismë e elaboruar mirë dhe që udhëhiqet nga një vizion, në të vërtetë kalon nga takime delegacionesh dhe grupesh pune, jo nga takimet kokë më kokë të 3 njerëzve.
Për të vijuar me kohën e prezantimit të saj. Shumë pak pas Procesit të Berlinit, që pati edhe ai burokratizimin e vet dhe vonesat, por që në çdo rast imponoi uljen në një format dhe skenë ndërkombëtare të Serbisë dhe Kosovës. Çka do të thotë se në thelb, nisma e Novisadit prirej të zëvendësonte dhomën e madhe të Berlinit me një zgëqe ballkanike, ku Kosovës i falej një vend sa për të akomoduar justifikimin e Serbisë se po bën dialog, ndonëse ai nuk ecën në formatet e mbikëqyrura nga ndërkombëtarët.
Për të ardhur në finale me tezat e kufijve dhe lojërat e hapura për rotacion politik në Kosovë çka e bën Open Balkan një sipërmarrje që ka efekt destabilizues në një ndër shtetet e rajonit.
Është e qartë se nisma edhe si e tillë ka jehonë gjeopolitike nëse do të vijojë pasi ajo do të funksionalizojë disa marrëveshje, ndonëse në parim ofron ato çfarë tani janë bërë. Ajo priret të paralelizojë BE-në, duke pretenduar se ecën në kah integrimit rajonal më shpejt sesa integrimi europian duke sinjalizuar kështu krijimin e një pale të vetme në Ballkanin Perëndimor, përkundrejt të cilës të paktën Serbia nuk ka detyrime serioze. Do të mjaftonte vetëm vizita e fundit e presidentit serb në Rusi dhe garancitë që mori prej andej për Kosovën, gjuha që përdori, që Tirana zyrtare të ndjehej e huaj me Open Balkan dhe një Serbi të tillë nëse i përmbahet standardit të vet retorik për partneritetet strategjike.
Asgjë nuk ndodhi. Sepse në të vërtetë z. Rama është në atë projekt ku ka tërhequr edhe Shqipërinë në emër të simpative personale apo dhe bindjeve përderisa deri më sot nuk ka ditur të shpjegojë interesin tonë. Dhe projekte të tilla nuk ka sesi të zgjasin, sado mirë të marketohen.
Add new comment