Ditarët e Lord Mountbatten, një “vullkan” që mbahet nën vëzhgim nga qeveria britanike
Ditarët e Lord Louis Mountbatten nuk duhet të shohin dritën e botimit, për asnjë çmim. Qeveria britanike ka shpenzuar deri tani 300 mijë paund nga buxheti i shtetit për të penguar daljen e çfarëdolloj informacioni nga ditarët e një prej figurave kryesore të monarkisë britanike në shekullin e kaluar. Çfarë fshihet në dorëshkrimet e tij? Qeveria britanike ia ka frikën njollosjes së dinjitetit të mbretëreshës Elizabeth dhe një krize të mundshme diplomatike me Indinë dhe Pakistanin.
Louis Mountbatten ishte xhaxhai i Princit Philip nga nëna, si dhe kushëriri i largët i mbretëreshës. Ai ishte njeriu që orkestroi martesën midis nipit të tij dhe trashëgimtarit të ri të fronit, në mënyrë që të vendosej edhe vetë në zemër të shtëpisë mbretërore. Për Filipin, Mountbatten ishte pothuajse një baba i dhe mbi të gjitha ai ishte mentori i princit të ri Charles.
Por roli publik i Mountbatten ishte po aq i rëndësishëm: komandant i forcave aleate në Azinë Juglindore gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai më pas u bë mëkëmbësi i fundit i Britanisë në Indi, i thirrur për të menaxhuar kalimin drejt pavarësisë dhe ndarjen me Pakistanin. Vdekja e tij ishte po aq spektakolare: Mountbatten u vra në një sulm të IRA-s, e cila shpërtheu varkën e tij në 1979.
Ditarët e tij datojnë në vitet 1930 dhe duket se fshehin shumë nga ato që nuk thuhen asnjëherë në publik. Ekspertët e familjes mbretërore janë thirrur për të “vlerësuar” shkrimet, por janë rreshtuar krah qeverisë britanike duke kërkuar që ato të mbeten sekret shtetëror. Përveç përfshirjes së drejtpërdrejtë të monarkisë ekziston frika se mund të dalin në dritë pasazhe të turpshme në lidhje me pavarësinë e Indisë, veçanërisht duke pasur parasysh se gruaja e Mountbatten, Edwina, besohej se ishte e dashura (me pëlqimin dhe ndoshta edhe bashkëpunimin e bashkëshortit të saj) e Jawaharlal Nehru, kryeministrit të parë karizmatik të qeverisë së Nju Delhit.
Arkivi i Mountbatten është voluminoz. Të vendosura në 4 500 kuti, të gjitha u blenë në vitin 2010 nga Universiteti i Southampton, i cili pagoi mbi 3 milionë euro. Por qeveria u alarmua për "referencat e shumta për familjen mbretërore" që përmbanin ditarët, çka shkaktoi ndalimin e botimit të tyre.
Katër vjet më parë, një historian që po shkruante një biografi të Mountbatten, Andrew Lownie, kërkoi akses në këtë arkiv, por u refuzua. Studiuesi vendosi t'i drejtohej Komisionit për Lirinë e Informimit, i cili i dha të drejtë. Por qeveria britanike e apeloi këtë vendim, duke argumentuar se është në interesin kombëtar që ata ditarë të mbeten sekret. Në betejën ligjore, shteti britanik ka shpenzuar tashmë 300 000 paund të taksapaguesve, por është e qartë se kujtimeve që Mountbatten ka lënë në letër nuk mund t’u vihet çmim.
/ Corriere.it /
Comments
Sic ka daj Sami demokracine e
Sic ka daj Sami demokracine e tij, ashtu ka dhe Xhon Bulli demokracine e vet! I bugosuri Xhulien Asanxh eshte nje nga provat e shumta te kesaj demokracie!
Add new comment