Luan "politikë të madhe" përherë, por nuk fiton asnjëherë
Kjo është çështje e dialogut, unë mendoj që çuarja e forcave speciale ka bërë efektin, ka garantuar sigurinë, e ka ngrit problemi, tani ata duhet të tërhiqen dhe serbët duhet t’i heqin avionët për show, dhe ta marri fjalën politika dhe dialogu.
Krijimi i një atmosfere pozitive e ndihmon dialogun, kurse barrikadimi bën këtë , që serbët të vazhdojnë të bëjnë viktimën. Tani dy rrugë janë, a do sjellim paqen apo do jetojmë në psikozën e një lufte imagjinare.
Çështja është cili është interesi i shqiptarëve, të rrimë të barrikaduar apo të përfitojmë sa më shumë që të rrisim mirëqenien.
Ballkani i hapur është procesi i Berlinit i marrë përsipër nga ne vetë
Kështu është shprehur sot në Top-Channel z. Edi Rama, kryeministër i vendit. Në një farë mënyre apo në një tjetër, z. Rama po mbron investimin e vet me Serbinë, përmes nismës Open Balkans, duke interpretuar si analist situatën e re në terren.
Por dikush që mbrohet duke i apeluar parimeve ndërkohë që ka hedhur hapa në terren, ka krijuar kushte kufizuese për një shtet apo një kryeministër të një shteti tjetër, në të vërtet po kërkon alibi.
Të thuash se dialogu është i domosdoshëm është asgjë më shumë se një alibi në kushtet kur z. Rama bëri çmos ta detyronte Kosovën, sidomos qeverinë Kurti të bashkohej si bisht i qerres së tij dhe Aleksandër Vuçiç dhe duke injoruar një realitet të mëvetësishëm nga Shqipëria, e të cilin ai shpesh ia kërkon edhe Serbisë që ta njohë si të tillë.
Parodia e këtij kryeministri është përherë e njëjta: çdo dështim, apo çdo xhonglim pa kuptim, pa drejtim dhe që nuk arrin gjë, riqarkullohet nën okelion e një kundëranalize ndaj kritikave në media, për të larë atë që duket qartë që është dështim.
Episodi i tanishëm kufitar mes Serbisë dhe Kosovës dhe pak më parë ai mes Serbisë dhe Malit të Zi, i mësojnë të gjithëve faktin se në një drejtim Europa ka të drejtë: për të aderuar në një familje të përbashkët, apo për të bashkuar disa gjëra, problemet kufitare duhen zgjidhur paraprakisht. Edhe sikur Open Balkans të jetë Procesi i Berlinit i marrë në dorën e Beogradit dhe Tiranës ai sërish nuk mund të funksionojë mes shtetesh që nuk pranojnë kufijtë e njëri-tjetrit. Dhe nuk kanë për ta bërë këtë as për hir të batutave të z. Rama. Që luan përherë në politikën e madhe, por vetëm si propagandues i vetes.
Në këtë kuptim, zotëria që i ngeci Shqipërisë si kryeministër, po mbron politikën e vet personale që është absurde sepse duke mëtuar të afirmojë dyshen Beograd-Tiranë si aktor stabilizues në Ballkanin Perëndimor përballë Perëndimit, në fakt mësoi hidhur se askush nuk impresionohet prej kësaj dysheje që bën mirë që bashkëpunon, por nuk mund të flasë për të tjerët. Ironia këtu është e madhe sepse nëse sot z. Rama udhëton në Kosovë i detyruar të flasë për aq sa i takon dhe aspak më shumë e të shpresojë se edhe mund ta dëgjojnë, Vuçiç është më komod sepse brenda apo jashët Open Balkans, ai do ulet e flasë me Kosovën. Le t’i rrëfejë mikut Edi se çfarë ndodh, fundja për shoqërinë e dy njerëzve nuk ka pse mërzitet kush.
s.zaimi
Add new comment