E djathta në Shqipëri nuk mjafton për të mundur Edi Ramën dhe neosocialistët

Postuar në 24 Shtator, 2021 01:59

Unë them që nuk mjafton më e djathta në Shqipëri për të mundur Edi Ramën, për të mundur neosocialistët. Unë them që duhet filluar nga e djathta konsevatore dhe duhet mbaruar tek e majta progresiste. Duhet të ndërtojmë një skemë që të ketë vend për të gjithë

Këtë ka deklaruar dje në MCN Tv Dashamir Shehi një politikan i njohur i asaj që quhet e djathtë në Shqipëri. Komenti ngjan se i jep një goditje besimit për mundësitë e PD-së për të ardhur në pushtet duke asgjësuar kështu çdo aspekt objektiv të kësaj partie për të ecur drejt marrjes së frenave në vend. Mirëpo ky pohim çalon keq sepse aktualizohet si një parashtrim i rremë që ka brenda të pavërteta.

Së pari përballë Edi Ramës nuk ka qenë ndonjëherë e djathta, por një pjesë e asaj që shpallet e tillë. E djathta në Shqipëri, si frymë, si nocion dhe parim funksional politik duhet themeluar.

Sado teorike të jetë një vërejtje e tillë ajo ka peshën e vet në ekuacionin e një status quoje ku kemi një të ashtuquajtur të majtë që në fakt është trashëgimtare e një strukure operative politike dhe një kuadri administrativ që udhëhiqet me parime sektare dhe klike por e rishikon narrativën dhe kostumin sa herë ka nevojë dhe një të ashtuquajture të djathtë që nis nga ish-të përndjekur, të organizuar në lloj lloj shoqatash personale, në krye të të cilave shpesh janë njerëz që kanë probleme artikulimi minimal.

Thënë kjo është e qartë se përkundrejt një grupimi të strukturuar fitohet ose me një organizim po aq të mirë, ose me mobilizim masiv, ose me katalizimin të një momenti kritik, ose të një lideri që frymëzon.

Ku ndodhen këto elementë? Asgjëkund. Është përvoja politike që na e konfirmon këtë, jo qasja e njëanshme apo qëndrimi me njërin apo tjetrin krah. PS-ja nuk pati kurrë përballë një grupim që të dijë pse është bërë bashkë, që e do pushtetin me të vërtetë për të ndryshuar diçka, e që ka në krye një lider apo një ekip që përtej kredencialeve personale të kenë edhe shqisën e nevojshme politike për të kuptuar se me kë kanë të bëjnë.

Konstatimi i z. Shehi është problematik edhe për faktin se është shumë pa bazë pasi nuk dihet sesi ky varg grupimesh do të bëhen bashkë kundër PS-së dhe për cilën arsye? Është një konstatim që dështimin e një force e merr për dështim të mbarë shoqërisë, ndërkohë që është e kundërta: është PD-ja që ka tradhëtuar mbarë shoqërinë. Mjafton të shohësh sesi sot Sali Berisha shpall se nuk e ka njohur Lulzim Bashën të cilit i ka shpallur luftë totale. Dhe e thotë këtë pasi bëri ndjesë publike që e solli në krye të partisë.

Demokracia shqiptare është vërtet në moshën e fëmijërisë, por ky brez e pa mirë se çfarë do të thotë të bashkëjetosh me gënjeshtrën zyrtare për të kuptuar se kjo që thotë z. Berisha është një gënjeshtër e radhës. Dhe vështirë se pas gënjeshtrës rend kush gjatë. Dhe këtu vijmë te aspekti tjetër: nëse e djathta nuk mjafton numerikisht për të mundur Edi Ramën, ajo nuk ka kuptuar se nuk ka më as epërsinë morale ndaj këtij të fundit dhe partisë së tij që tubon në vetvete një pjesë të shoqërisë që ndihen me të vërtetë si shqiptarë të zgjedhur.

s.zaimi

Comments

Submitted by Doktor Mortja (not verified) on

Flet baristi i Tiranes per te djathte e te majte, madje e Djathte Konservatore?!?!
Nuk ka estrade humori qe jua kalon ketyre plehrave te Tiranes!
Nuk ka kam perqendrimi qe ju merr ne dorezim o Plehra!
Po ju jeni Copa Muti qe çmendet nje komb te tere…

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.