Irani rreshtohet krah Rusisë dhe Kinës: Diplomacia, efektive vetëm kur i përmbahen të gjitha palët
Irani është bërë pjesë e një aleance të themeluar nga Kina dhe Rusia. E njohur si Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, ky grupim u themelua në vitin 2001 si një forum i përbashkët mes Rusisë, Kinës dhe shteteve ish-sovjetike në Azinë Qendrore. Organi që ka në fokus sigurinë në rajon përfshiu katër vjet më parë edhe Indinë e Pakistanin, me qëllim për të shërbyer si kundërpeshë e ndikimit perëndimor atje.
Anëtarësimi i Iranit synon krijimin e një mekanizmi për të shmangur sanksionet e vendosura nga Perëndimi.
Në shenjë të ndikimit të tij në rritje, në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Taxhikistan ishte i pranishëm presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, i cili u shfaq për herë të parë në një takim të nivelit të lartë që kur mori detyrën në gusht.
Raisi përshëndeti mundësinë që anëtarësimi do t'i siguronte Iranit, si një vend përgjatë nismës kineze të Rrugës së Mëndafshit, për t'u bashkuar me lidhjet e rëndësishme tregtare në të gjithë Euroazinë. Televizioni iranian e përshkroi anëtarësimin e Iranit si mundësia që i jep qasje në tregjet e mëdha në të gjithë kontinentin.
Në fjalimin e tij para anëtarëve, Raisi i krahasoi sanksionet ndaj Iranit me terrorizmin dhe tha se organizata duhet të hartojë një mekanizëm që ndihmon Teheranin t’i shmangë ato.
Rusia dhe Kina, së bashku me vendet perëndimore, janë palë në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore, sipas së cilës Teherani ra dakord të frenojë programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve.
Uashingtoni doli nga marrëveshja në vitin 2018 dhe vendosi në mënyrë të njëanshme sanksionet financiare. Negociatat për ta riaktivizuar marrëveshjen janë zhvilluar disa herë gjatë këtij viti, por ato ngecën që nga zgjedhja e Raisit.
"Asgjë nuk mund t’i ndalojë aktivitetet paqësore bërthamore të Iranit që janë brenda kornizës së rregulloreve ndërkombëtare", citohet Raisi nga Reuters. "Diplomacia është efektive vetëm kur të gjitha palët i përmbahen asaj. Kërcënimet dhe presioni i lidhin duart diplomacisë dhe e bëjnë atë joefektive."
Add new comment