Presidenti i vetëshpallur afgan: Nuk pranojmë marrëveshje dorëzimi
Vetëm pak ditë pasi presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, u largua nga vendi ndërsa talebanët përparonin drejt Kabulit, nënpresidenti i parë Amrullah Saleh, 48 vjeç, zgjodhi të udhëtonte drejt luginës Panjshir. Dy ditë më vonë, ai e deklaroi veten pasuesin legjitim të Ghanit.
Saleh, së bashku me djalin e heroit popullor Ahmad Shah Masoud, i cili u vra 20 vjet më parë, tani po e përdor luginën si një bazë nga e cila do të organizojë rezistencën kundër talebanëve në Kabul. Ndërkohë, në kryeqytetin afgan po zhvillohen bisedime midis anëtarëve të ish-qeverisë dhe talebanëve.
Amrullah Saleh ka vendosur t’i flasë Perëndimit përmes një letre të shkruar me dorë, që më pas e ka dërguar përmes Whatsapp-it te gjermania “Der Spiegel”. Saleh ka kontaktuar me gazetaren Susanne Koelbl, të cilën ai e ka njohur më parë, duke i dërguar letrën me tre faqe. Në letër, Saleh thotë se rezistenca afgane nuk do të dorëzohet me pretekstin e zgjidhjes së krizës. Saleh e cilëson të gabuar largimin e trupave amerikane dhe thotë se për një veprim të tillë, tani SHBA po paguan me reputacionin e saj në arenën ndërkombëtare.
"E dashur Susanne,
Për arsye sigurie, nuk jam gati t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve tua.
Prania e NATO/SHBA në Afganistan kishte legjitimitetin e sanksionuar nga OKB. Ishte një prani e mandatit të OKB-së që nga koha e ISAF.
Gjithmonë është e nevojshme të ulesh e të reflektosh për gjërat që nuk shkojnë mirë. Fatkeqësisht, nuk e kam atë luks në këtë moment. Procesi i Dohas, i cili nuk qe kurrë një proces, ishte fillimi i fundit. Ishte me të meta dhe zhgënjyes.
(I dërguari special amerikan për Afganistanin Zalmay) Khalilzad anashkaloi shtetin afgan dhe u dha legjitimitet talebanëve. Për pakistanezët dhe talebanët, Doha ishte një instrument mashtrimi për ta mbajtur komunitetin ndërkombëtar të ndarë, me shpresë për paqen dhe për të mos i lejuar ata të dënojnë fushatën e terrorit taleban. Ata kurrë nuk besuan në zgjidhjen politike. Ata shfrytëzuan naivitetin, lodhjen dhe dritëshkurtësinë e Shtëpisë së Bardhë, si nën Trump, ashtu edhe nën Biden.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO mund (të kishin marrë përsipër) koston, e cila kishte rënë në minimum, dhe të mbanin 2 500 trupa. Ata nuk e bënë këtë. Tani ata paguajnë me reputacionin, besueshmërinë dhe pozitën e tyre globale. Nuk jam i sigurt nëse e kanë kuptuar.
Megjithatë, ka ende një zgjidhje. Kërcënoni Pakistanin me sanksione specifike, kërkoni zgjidhje politike dhe jepini njohje dhe mbështetje politike Rezistencës Kombëtare në Panjshir.
Për ne, çështja nuk është te numri i trupave dhe luftëtarëve, por te vullneti ynë politik, vendosmëria dhe të pranuarit e narrativës tonë historike. Ne jemi këtu për të mbrojtur vlerat, dinjitetin e afganëve - për të luftuar për të drejtën e vajzave dhe grave që të jenë vetvetja dhe jo hija e burrave pa identitet. Ne jemi këtu për të mbrojtur pluralizmin dhe diversitetin afgan. Ne jemi në Hindukush, në Panjshir, por lufta jonë është për Afganistanin.
Ne jemi të motivuar, me moralin lart, në qendër të historisë. Ne kemi një strukturë kohezive politike. Me këto forca të paçmueshme, faktori i burimeve e humbet rëndësinë primare. Ne kemi nevojë për burime, pa dyshim. Por para së gjithash është një luftë dhe betejë vullnetesh.
Ish-Presidenti Ghani (mund të kishte qëndruar) dhe t’i përgjigjej thirrjes së kësaj toke. Edhe nëse talebanët do ta kishin kapur, trupi i tij do të ishte në burg dhe shpirti i tij do të ishte i lirë. Tani trupi i tij është i lirë. Shpirti i tij është i lidhur me zinxhirë përgjithmonë.
Ai ende mund të jetë një arsye që bashkësia ndërkombëtare të kërkojë llogari nga talebanët. Ai iku, tradhtoi shpirtin e tij dhe provoi se e kishte gabim. Patriotët bëjnë sakrificën finale.
Nëse talebanët bien dakord të na japin një afat kohor se kur dhe si e përfshijnë publikun afgan, masat në vendimmarrje, ne jemi gati të hyjmë në negociata të sinqerta dhe serioze. Karakteri i shtetit. (Mekanizmi) për zgjedhjen e (kreut) të shtetit.
(Ky është) rendi i ditës. Unë nuk e njoh Emiratin e tyre dhe nuk do ta njoh kurrë. Një marrëveshje për dorëzim me pretekstin e zgjidhjes nuk do të ndodhë kurrë.
Nëse ata zgjedhin një zgjidhje ushtarake, është zgjedhja e tyre, dhe ne jemi gati për çdo eventualitet. Ne jemi në Hindukush, por luftojmë për Afganistanin.
Gjeografikisht ne jemi të izoluar, por politikisht dhe moralisht Afganistani është me ne dhe nuk do të bëhet kurrë talebanistan.
Ju uroj më të mirat,
PS: Nuk mund t'u përgjigjem pyetjeve të tjera.
(Letra është shkruar në anglisht. Ndërhyrjet në kllapa janë bërë për efekt saktësie)
Add new comment