Pyjet ruhen në dimër për tu djegur në verë

Postuar në 22 Gusht, 2021 15:13
Jak Simoni

 

Ndonëse kjo verë është dukshëm më e ngrohtë dhe më e thatë se të tjerat,  duke venë  në diskutim rregullsinë e supozuar të fenomeneve natyrore, e për rrjedhojë dhe zjarret janë shumë më të përhapur se vitet e tjera në vendin tonë e gjetkë në Ballkan e më gjerë, përgjegjësia njerëzore nuk mund të anashkalohet për disa arsye. E para është se, sado ngrohtë që është këto ditë, pylli nuk merr flakë vetë, por janë qenie më formë njerëzore që kanë ngelur në stadin e njeriut që filloi të përdorte e të luante me zjarrin para qindra mijëra e kusur vjetësh dhe të tjerët përreth që nuk bëjnë gjë tjetër, veçse bëjnë gjoja se po i kapin këto zjarrvënës e gjoja se po i dënojnë. Gjithashtu, pa mohuar sakrificën e atyre që përballën direkt me këto zjarre, institucionet kufizohen duke kërkuar ndihmë tek perënditë aktuale; d.m.th. tek fqinjët tanë të afërt dhe të largët, të cilët nuk po na lënë vetëm.

Së dyti, për këtë çështje ‘shqetësimi’ fillon vetëm kur shikohen flaket dhe nuk ka asnjë plan paraprak të studiuar të shfrytëzimit të pasurisë drusore me qëllim dhe evitimin e zjarreve masive.

Paradoks i paparë: harxhohen para në dimër për të ruajtur pyjet e para në verë për të shuar zjarret.  Pas shkatërrimit për dekada të pasurive tokësore dhe nëntokësorë në emër të hapjes se vendit dhe të një zhvillimi që gradualisht po rezulton gjithnjë e më miop, shqiptarët  nëpërmjet institucioneve të tyre kujtohen se janë pjesë e natyrës dhe marrin masa ekstreme për ta ruajtur atë. Nga shfrytëzimi i pakontrolluar u kalua në ndalim të çdo shfrytëzimi si p.sh.: të pyjeve, të faunës etj. Kalohet nga ekstremi në ekstrem; për një të mesme të artë aristoteliane as që bëhet fjalë.

Futet në burg çdo fshatar që gjendet duke prerë dru në dimër për të shpëtuar familjen nga të ftohtit e natyrisht në këto kushte ai ka gjetur një mënyrë më të heshtur e të sofistikuar për të vjedhur; pa zhurmë motosharre apo sëpate e pa lodhje. Natyrisht vjedh energjinë ‘e bollshme’ elektrike. Kryesisht fshataret e kanë më të lehtë, për arsye se në shumicën  e rasteve linjat dhe transformatorët i ka bërë vetë, sepse enti energjetik, ndonëse se fundmi diçka është venë në lëvizje, përgjithësisht është kufizuar në mbledhjen e  parave të abonentëve që i paguajnë. Ndërsa më përpara blihej energji në Kroaci e vende të tjera për të zierë groshtë në Lezhë, Mirditë, Kukës Vlorë, Gjirokastër etj., tani, pasi kemi shkatërruar lumenjtë me hidrocentrale të mëdhenj e të vegjël nga Semani deri në Valbonë, energji ka dhe ‘për të vjedhur’.

Shfrytëzimi, normalisht jo i pakontrolluar i lëndës drusore për ngrohje, konsiderohet jo modern, jo civil d.m.th. i prapambetur. Qytetërimi është identifikuar jo me konsumim të pakontrolluar, por me shpërdorim absurd që nga ana e tij identifikohet me një mirëqenie artificiale të njerëzve. Mos të hymë më shumë në filozofi, por lëreni fshataret që në dimër të ngrohen dhe të ziejnë groshët me dru, se ndoshta në verë kemi më pak zjarre. Ndërkohë mund të ketë dhe politika më të gjera të studiuara, përfshi dhe ato fiskale që bëjnë të mundur të shfrytëzohet dhe lënda drusore e vendit pa pasur nevojë që e tëra të vijë nga Ukraina apo ndonjë vend tjetër. Për mijëra vjet jemi ngrohur dhe çatitë e shtëpive tona i  kemi  bërë me drurin tonë, ndërsa tani pyjet i ruajmë në dimër kur ka ngrica, për t’i djegur në verë kur bën gjithnjë e më shumë vapë. Shpresojmë që harta e shkretëtirave që ka mbuluar rrënojat  antike mos të përfshij dhe pseudoqytetërimin  tonë dhe mos të studiohet në të ardhmen si një qytetërim që varrosi vetveten.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.