“Europa nuk ka vend për ata që mohojnë gjenocidin”
Evropa nuk e ka harruar përgjegjësinë e të mos qenit e aftë të parandalojë gjenocidin e Srebrenicës, thanë zyrtarët më të lartë të BE-së sot, në ditën kur përkujtohet masakra më e madhe e pas Luftës së Dytë Botërore në Europë.
"Udhëheqësit politikë në Ballkanin Perëndimor duhet të marrin shembull duke pranuar atë që ndodhi, duke nderuar viktimat, për të nxitur pajtimin duke u përballur me rrënjët e urrejtjes që çuan në gjenocidin e Srebrenicës", thanë shefi i politikës së jashtme të BE, Josep Borrell, dhe komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, në një deklaratë të përbashkët.
Dy zyrtarët e lartë europianë thanë se në BE nuk ka vend për mohuesit e gjenocidit.
“Nuk ka vend në Evropë për mohimin e gjenocidit, revizionizmin dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës, të cilat bien ndesh me vlerat më themelore evropiane. Përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme”, shprehen ata në mesazhin e përbashkët.
Zyrtarët e BE theksuan nevojën që gjykatat ndërkombëtare, si dhe gjykatat e brendshme në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe vendet fqinje, të japin drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.
Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri. Gjenocidi është gjenocid, qoftë në Srebrenicë apo gjetkë… Paqja mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësi.
Gjenocidi i Srebrenicës
Më shumë se 8 000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë u vranë kur forcat serbe të Bosnjës sulmuan Srebrenicën në 11 korrik 1995, megjithë praninë e trupave paqeruajtëse holandeze.
Këshilli i Sigurimit i KB e kishte shpallur Srebrenicën një "zonë të sigurt" në pranverën e vitit 1993. Megjithatë, trupat e drejtuara nga gjenerali Ratko Mlladiç, i cili më vonë u shpall fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, pushtuan zonën që ishte shpallur e sigurt nga OKB.
Trupat holandeze nuk ia dolën të veprojnë në kohë ndërsa forcat serbe pushtuan zonën, duke vrarë rreth 2 000 burra dhe djem.
Rreth 15 000 banorë të Srebrenicës u larguan në malet përreth, por trupat serbe ndoqën dhe vranë 6 000 njerëz të tjerë.
Trupat e viktimave janë gjetur në 570 vende të ndryshme.
Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e cilësoi gjenocid masakrën e kryer në Srebrenicë.
Më 8 qershor 2021, gjykatësit e gjykatës së OKB-së lanë në fuqi burgimin e përjetshëm për Ratko Mlladiç, i shpallur fajtor për gjenocidin, persekutimin, krimet kundër njerëzimit, shfarosjen dhe krime të tjera të luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Edhe pse është cilësuar gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, zyrtarët e Serbisë dhe serbët e Bosnjës nuk pranojnë ta përdorin termin për masakrën e Srebrenicës.
Add new comment