Zbërthehet misteri i kompjuterit më të lashtë në botë
Një pajisje 2 000-vjeçare e cila është konsideruar si "kompjuteri" më i vjetër në botë, është rikrijuar nga shkencëtarët, në përpjekje për të kuptuar mënyrën si funksiononte.
Mekanizmi Antikythera është gjetur në vitin 1901, në një anije të mbytur që nga epoka romake. Pajisja e shpikur nga grekët e lashtë mendohet se është përdorur për të parashikuar eklipset dhe ngjarje të tjera astronomike.
Kohës i ka mbijetuar vetëm një e treta e pajisjes. Për shkak të mungesës së pjesës tjetër dhe natyrës komplekse të mekanizmit, studiuesit për shumë vite me radhë nuk kanë arritur të shpjegojnë funksionin e tij.
Por tashmë, shkencëtarët nga University College London (UCL) besojnë se më në fund e kanë thyer enigmën duke përdorur modelimin kompjuterik 3D. Ata kanë rikrijuar të gjithë panelin e përparmë dhe tani shpresojnë të ndërtojnë një kopje të plotë të Antikythera, duke përdorur materiale moderne.
Një punim shkencor i botuar në “Scientific Reports” zbuloi një shfaqje të re të sistemit të ingranazheve që tregon detajet e tij dhe pjesët komplekse.
"Ky i yni është modeli i parë që përputhet me të gjitha provat fizike dhe me përshkrimet në mbishkrimet shkencore të gdhendura në vetë mekanizmin," thotë professor Tony Freeth, i cili ka drejtuar studimin.
Mekanizmi është cilësuar një kalkulator astronomik, si dhe kompjuteri i parë analog në botë. Materiali nga i cili është bërë është bronzi dhe përfshin dhjetëra ingranazhe.
Pjesa e tij e pasme është një paraqitje e kozmosit, që tregon lëvizjen e pesë planetëve që njiheshin kur u ndërtua pajisja.
Por vetëm 82 fragmente - që përbëjnë një të tretën e pajisjes - mbijetuan, kjo do të thotë që shkencëtarëve u është dashur të bashkojnë copëzat e mozaikut duke përdorur të dhëna me rreze X dhe një metodë matematikore greke të lashtë.
Add new comment