AC / DC: Historia pas realizimit të albumit “Power Up”   

Postuar në 28 Mars, 2021 16:17

Albumi i fundit i AC/DC, “Power Up” i dedikohet të ndjerit Malcolm Young, ish-kitarist i grupit dhe përfshin 12 këngë që ai shkroi vite më parë me vëllain e tij kitarist, Angus. Albumi shënoi edhe rikthimin në grup të këngëtarit Brian Johnson, basistit Cliff Williams dhe bateristit Phil Rudd, ndërsa Stevie Young, nipi i Angus, vijoi performancën si kitarist i ritmit në vend të Malcolm. Poëer Up rezultoi albumi më i madh i vitit 2020. Në një intervistë për “Loudersound”, Angus dhe Brian shpjegojnë se si u krijua ai.

2020 ishte vit i vështirë për të gjithë, por një album i ri AC / DC u ka sjellë buzëqeshjen jo pak njerëzve.

Brian: Shpresoj që po. Ka qenë kohë e vështirë, por të gjithëve u është dashur ta kalojnë së bashku këtë gjë.

Angus: Do të kishim dashur ta nxirrnim më herët - ne ishim të gatshëm për ta bërë. Por në fund ka dalë me të vërtetë mirë. Formacioni i bendit është pikërisht ai që donin fansat.

Kështu e shihni edhe ju?

Angus: Po, me Stevie që zuri vendin e Malcolm, është ajo që donim. Dhe me të vërtetë thjesht ka evoluar. Po mblidhja ide dhe regjistrime, kështu që duhej të prisja derisa të bëhej kjo. Pastaj biseduam me njëri-tjetrin dhe u bëmë bashkë dhe punuam shumë.

Cliff ishte tërhequr dhe Phil kishte dalë nga banda prej disa vjetësh.

Angus: Cliff tha menjëherë se donte ta bënte këtë. Ai donte të përfshihej sërish. Dhe Phil donte të bënte diçka për veten e vet dhe na u bashkua.

Brian (i cili u largua nga banda për arsye mjekësore në 2001): Ishte e tmerrshme. Mjeku më kishte thënë: "Nëse vazhdon të këndosh, do të përfundosh i shurdhuar".

Por tani, falë një kure të re, ju jeni përsëri në skenë.

Brian: Është shumë e bukur. Një njeri i mrekullueshëm nga Kolorado shpiku këtë trajtimin e ri. Dhe nuk mund ta besoja se sa mirë më bëri të ndihem.

Angus: Para se të bënim albumin, Brian gjithashtu bëri pak punë parapërgatitëse, duke u përpjekur më parë të shihte se si po shkonte. Ai e ka testuar veten mjaftueshëm.

Me gjithë ato këngë që keni shkruar bashkë me Malcolm, si vendosët se cilat do të bëheshin pjesë e albumit?

Angus: Kishte shumë gjëra për të cilat unë dhe Mal kishim punuar. Disa ishin vetëm ide. Kështu që kalova shumë kohë duke seleksionuar dhe kuptova që kishim mjaft gjëra të mira.

A po shkruanit pjesë apo këngë ndërsa ishit në studio?

Angus: Pak a shumë. Ndodh që gjatë punë stë ndryshojmë diçka. Nëse kishim nevojë për diçka më shumë, thërrisnim Brianin në dhomën tjetër për të t’i shtuar pak vokal, në mënyrë që të dëgjonim se si po ecte kënga.

Ashtu si me çdo album AC/DC, edhe ky ka disa refrene të shkëlqyera - në këngë të tilla si Realize dhe Shot In The Dark. Por a e kuptoni ndonjëherë se ajo që mendoni se është një refren i ri i shkëlqyer nuk është gjë tjetër veçse ajo që keni bërë tridhjetë apo dyzet vjet më parë?

Angus: Çfarë po thua? Se më pëlqente aq shumë sa e bëra dy herë? Kjo është një mënyrë të pari, mendoj! Ndonjëherë, kur thjesht bëj diçka nga vetja, edhe mund të eksperimentoj pak. Do të luaj me ide të ndryshme, do të kërkoj tinguj të tjerë dhe gjëra të tjera. Por zakonisht e bëj këtë për gjysmë ore apo më shumë, dhe pastaj them: "E drejtë, e kam nxjerrë këtë nga sistemi im". Pastaj sërish direct te ajo që njoh më mirë.

A keni secili një këngë të preferuar në album?

Brian: Jo! Mos ma bëj këtë pyetje. Është si të përpiqesh të zgjedhësh këngën tënde të preferuar të Beatles. Nuk do të ndodhë. Dhe nëse zgjedh një, që nesër mund të ndërrosh mendje. Gjëja e parë që i thashë Angus kur mora një kopje të albumit ishte: "Jeez, unë nuk e kam zili atë njeri që i duhet të zgjedhë një single nga ky album." Dhe e kisha megjithë mend.

Angus: Më pëlqen shumë kënga e parë me të cilin hapet albumi, “Realize”. Por më pëlqejnë të gjitha - Refuzimi, Shot In The Dark, Reputation Wild, Demon’s Fire… dhe Money Shot është një këngë e madhe. Jam pak i njëanshëm, nuk mendoni? (qesh)

Ju keni thënë gjithashtu se nuk mendoni që ky është albumi i fundit i AC/DC.

Angus: Po. Dua të them, kush e di? Por mund t'ju them, ka ende shumë ide dhe gjëra. Sapo mbaroj me një album, filloj të kërkoj këngën tjetër.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.