Glauk Konjufca zgjidhet kreu i parlamentit të Kosovës
69 vota pro, dhe 33 kundër dhe asnjë abstendim, Glauk Konjufca zgjidhet kreu i Kuvendit të Kosovës.
Gjithashtu në seancën konstituive të 22 marsit janë betuar edhe 114 deputetët e legjislaturës të tetë. Me këtë rast, drejtuesi i seancës, Avni Dehari ka lexuar deklaratën për betimin e deputetëve.
“Unë, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësojë me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane”.
Në seancë ka munguar një deputet i cili sipas Kushtetutës do të betohet në seancën e ardhshme plenare.
Komisioni ka konstatuar vlefshmërinë e mandateve sipas njoftimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e zgjedhjeve.
Nis seanca konstituive e Kuvendit në Kosovë, zgjidhet kryetari dhe prezantohet qeveria e Kurtit
Kuvendi i Kosovës ka nisur sot seancën konstituive të legjislaturës së tetë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Seanca ka nisur me formimin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, dhënia e betimit të deputetëve, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, janë pikat e rendit të ditës në njoftimin dërguar mediave nga Kuvendi i Kosovës.
Sipas rregullores së Kuvendit, neni 9 pika 1, punimet e mbledhjes konstituive e udhëheq deputeti më i vjetër i legjislaturës i ndihmuar nga deputeti më i ri sipas moshës. Kjo udhëheqje parashihet të vazhdojë deri në zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Pas konstituimit të Kuvendit, hapet rruga për formimin e Qeverisë së re, të cilën pritet ta udhëheqë Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Në zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka 58 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 19, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 8, Lista Serbe ka fituar 10 ulëset e garantuara, dy mandate i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës, nga një mandat kanë Koalicioni Vakat, Unioni Socialdemokrat, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Re Demokratike, Iniciativa Rome, Partia e Ashkalinjëve për Integrim dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.
Add new comment