Rezistenca ndaj antibiotikëve mund ta bëjë difterinë sërish kërcënim global
Difteria i shtohet listës së sëmundjeve që po bëhen rezistente ndaj antibiotikëve. Infeksioni po evoluon dhe në të ardhmen mund t’i shpëtojë imunitetit që jep vaksina.
Përfundimet kanë dalë nga hulumtimi që kreu një ekip ndërkombëtar studiuesish nga Britania e Madhe dhe India.
Studiuesit, të udhëhequr nga shkencëtarët në Universitetin e Kembrixhit, thonë se ndikimi i COVID-19 në oraret e vaksinimit të difterisë, së bashku me një rritje të numrit të infeksioneve, rrezikojnë që sëmundja të bëhet edhe një herë një kërcënim i madh global.
Difteria është një infeksion shumë ngjitës që prek hundën dhe fytin dhe nganjëherë lëkurën. Nëse nuk trajtohet, mund të ketë pasoja fatale. Në vendet me të ardhura të larta, foshnjat vaksinohen kundër këtij infeksioni.
Por në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, sëmundja mund të shkaktojë ende infeksione sporadike ose shpërthime në komunitete të pavaksinuara dhe pjesërisht të vaksinuara.
Numri i rasteve të difterisë në shkallë botërore po vjen duke u rritur gradualisht. Në vitin 2018, kishte 16 651 raste të raportuara, më shumë se dyfishi i mesatares vjetore për 1996-2017 (8 105 raste).
Difteria shkaktohet kryesisht nga bakteri Corynebacterium difteria dhe përhapet kryesisht nga kollitjet dhe teshtitjet, ose përmes kontaktit të ngushtë me dikë që është i infektuar.
Në shumicën e rasteve, bakteret shkaktojnë infeksione akute, të nxitura nga toksina e difterisë – e cila vihet në shënjestër nga vaksina. Sidoqoftë, Corynebacterium difteria jo toksigjene mund të shkaktojë sëmundje, shpesh në formën e infeksioneve sistemike.
Në studimin e botuar në “Nature Communications”, një ekip ndërkombëtar studiuesish përdorën gjenomin për të analizuar infeksionet, përfshirë një nëngrup nga India, ku mbi gjysma e rasteve të raportuara globalisht u regjistruan përgjatë vitit 2018.
Infeksionet e difterisë zakonisht mund të trajtohen me disa lloje antibiotikësh. Raste të rezistencës së bakterit C. difteria ndaj antibiotikëve janë raportuar shpesh, megjithatë, shkalla e kësaj rezistence mbetet kryesisht e panjohur.
Eritromicina dhe penicilina janë antibiotikët e rekomanduar tradicionalisht për trajtimin e rasteve të konfirmuara të difterisë në fazën e hershme, megjithëse ka disa lloje të ndryshme antibiotikësh në dispozicion për të trajtuar këtë lloj infeksioni.
Ekipi identifikoi variante rezistente ndaj gjashtë prej këtyre llojeve në rastet e regjistruara që nga vitet 2010, më të larta se në çdo dekadë të tjera.
Add new comment