Shqipëria e green screen-it, e ardhmja e Këtyre
Kryeministri Edi Rama ka nxjerrë sot veten në televizor teksa përmes një inskenimi skenografik ka bërë për rreth 1 orë apologjinë e tezës se akuzat për ikjen e shqiptarëve janë të pabaza. Në sfond një ekran i harkuar, thyer nga një skenë rrethore, ky lloj amfiteatri dixhital sugjeron përmes pamjeve të ndryshme atë që z. Rama e quan transformim rrënjësor. Teknologjia po dëshmohet përherë e më e aftë të miklojë edhe realitetin vetë duke kundërvendosur atë që është me atë që duhet.
Kujt i apelon ky lloj rindërtimi viziv? Kujt shqiptari? Kush e sheh këtë Shqipëri të green screen?
Kjo është një betejë e pabarabartë mes atij që dominon teatrin politik dhe atyre që jo vetëm nuk e besojnë atë, por edhe kuptojnë se gënjeshtra po thuhet në mes të ditës. Madje si e vërtetë. Politika e iluzioneve që po na shohin sytë prodhon disa Shqipëri, sipas nevojës së njërit dhe tjetrit, duke injoruar atë që jetojmë përditë.
Është irritues dhe konfliktual ky dallim që po imponohet nga Lart si e vetmja narrativë e besueshme në këtë vend, aq sa sot z. Rama arriti deri në apologjinë personale të ikjes si proces zhvillimi. Nuk ka vend dhe qeveri të mbrojë humbjen e burimeve njerëzore dhe nuk ka asnjë shoshë të mbulojë të vërtetën lakuriqe.
Në këtë kuadër, deviza elektorale e socialistëve, “Shqipëria, e ardhmja jonë” merr kuptime të shumëfishta. Sepse mënyra si u shpërnda pasuria në këtë vend e vë në diskutim seriozisht nëse ky vend u përket të gjithë shqiptarëve, apo i mban dot të gjithë.
Add new comment