Kosovë, në krye të listës së Vetëvendosjes del Vjosa Osmani
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka certifikuar listat zgjedhore të subjekteve politike për garën elektorale të 14 shkurtit. Listës së Lëvizjes Vetëvendosje do t’i prijë ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, e cila garon me numrin 2 në këtë listë. Edhe pse Kurti tha se nuk do të tërhiqet nga lista e kandidatëve, tashmë e para figuron Vjosa Osmani, ish-nënkryetarja e LDK-së, e cila ka krijuar një nismë të vetën politike dhe ka bashkuar forcat me Vetëvendosjen.
Disa kandidatë të listës së Vetëvendosjes, përfshirë edhe kryetarin Albin Kurti, nuk u lejuan të kandidojnë nga KQZ-ja dhe KZAP-ja, për shkak të dënimeve të formës së prerë të tre viteve të fundit. Nga Vetëvendosje kanë deklaruar se lista nuk do të ndryshojë, por të martën në mbrëmje, në listë figuroi e para Vjosa Osmani. Ende nuk ka detaje nëse Kurti ka vendosur të tërhiqet nga lista. Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, ka thënë që lista e kësaj partie për zgjedhjet e 14 shkurtit do të jetë e plotë dhe 110 kandidatë.
Ai në një konferencë për media tha se edhe pas vendimit të PZAPsë dhe Supremes për moscertifikimin e kandidatëve të kësaj partie, ata do të mbesin në listë pasi KQZ-ja nuk ua ka dhënë mundësinë e zëvendësimit të tyre.
“Lista e LVV-së në votime është e plotë me 110 kandidatë. Pas vendimit jo të drejtë të PZAP-së dhe Gjykatës Supreme që kanë refuzuar mundësinë e zëvendësimit të kandidatëve, lista është me 110 kandidatë ashtu siç është dorëzuar në fillim në KQZ. LVV-ja është ankuar dhe disa kandidatë nuk janë certifikuar por edhe nuk është dhënë e drejta për zëvendësimin e tyre. Lista është me 110 kandidatë ashtu siç e ka dorëzuar LVV-ja dhe ashtu duhet ta votojnë edhe qytetarët”, ka thënë Kurteshi.
Më parë listës së LVV-së i printe kreu i kësaj partie, Albin Kurti, mirëpo me vendimin e Gjykatës Kushtetuese atij iu ndalua të kandidojë për deputet. Megjithatë, kjo nuk e pengon Kurtin të marrë drejtimin e qeverisë, nëse në zgjedhjet e 14 shkurtit provohet se ai ka ende shumicën në elektorat.
Add new comment