Sputnik V jep imunitet për më shumë se dy vjet
Në një studim të botuar në “Lancet”, shkencëtarët konfirmuan të martën se vaksina ruse, Sputnik V, është efektive në 91.6% të rasteve. Kësaj i shtohet edhe afati i imunizimit që jep ajo, që sipas kreut të laboratorit ku u zhvillua, shkon të paktën deri 2 vjet.
Deri tani janë disa vaksinat që bota po përdor për të luftuar Covid-19, por pak është folur për mbrojtjen që ato garantojnë në terma kohorë. Kjo pasi më shumë prioritet i është dhënë vaksinimit emergjent, në kushtet e përhapjes së shpejtë të virusit në shumë vende.
Sipas Alexander Gintsburg, kreu i Institutit Kërkimor Gamaleya të Epidemiologjisë dhe Mikrobiologjisë në Rusi, Sputnik V të mbron nga virusi SARS-CoV-2 për më shumë se dy vjet.
Përveç mbrojtjes së gjatë që jep kundër Covid-19, ekipi që e krijoi Sputnik V thotë se nuk ka efekte anësore të rënda. Me përjashtim të një rritjeje të herëpashershme të temperaturës së trupit ose dhimbjeve të vogla rreth pikës së injektimit, provat klinike nuk kanë treguar të tjera efekte anësore afatgjata.
“Këto rezultate tregojnë sigurinë e plotë të kësaj vaksine. Asnjë ndërlikim serioz nuk u gjet në mesin e rreth 30,000 subjekteve, përveç atyre efekteve anësore jo të rëndësishme, të cilat u vunë re gjatë fazës së parë dhe të dytë", thotë Gintsburg.
Shtetet që kanë zgjedhur të përdorin vaksinën ruse Spuntik V deri më tani mësohet të jenë: Algjeria, Argjentina, Bjellorusia, Brazili, Bolivia, Kina, Egjipti, India, Kazakistani, Meksika,Nepal, Palestina dhe Parguaji. Në Ballkan, Serbia ishte e para që zgjodhi Sputnik V. Edhe Gjermania pritet ta përdorë Sputnik V. Kjo u la të kuptohet dje nga kancelarja Merkel, e cila, pas rezultateve të botuara në “Lancet” për vaksinën ruse, tha se çdo vaksinë është e mirëpritur në Gjermani.
Add new comment