Imuniteti post-Covid zgjat më shumë se 6 muaj  

Postuar në 21 Janar, 2021 13:28

Ndërsa numri i atyre që e kanë kaluar Covid-19 sa vjen e rritet, pyetja që mbetet është sa kohë do të zgjasë imuniteti që kanë fituar nga infeksioni? Një studim i ri sugjeron se ky imunitet mund të zgjasë për të paktën gjashtë muaj, dhe me gjasë shumë më gjatë.

Gjetjet e studimit, të botuara në “Nature”, sigurojnë provat të forta se sistemi imunitar "kujton" virusin dhe, si pasojë, vazhdon të përmirësojë cilësinë e antitrupave edhe pasi infeksioni është zbehur. Antitrupat e prodhuar muaj pas infeksionit treguan rritje të aftësisë për të bllokuar SARS-CoV-2, si dhe versionet e tij të reja siç është varianti i Afrikës së Jugut.

Studiuesit e Rockfeller University zbuluan se këta antitrupa të përmirësuar prodhohen nga qelizat imune që kanë vijuar gjithashtu të evoluojnë, me sa duket për shkak të një ekspozimi të vazhdueshëm ndaj mbetjeve të virusit të fshehur në indet e zorrës.

Bazuar në këto zbulime, studiuesit hedhin hipotezën se, kur pacienti i shëruar të takohet sërish me virusin, përgjigja do të jetë edhe më e shpejtë dhe më efektive, duke parandaluar riinfektimin.

Kujtesa afatgjatë

Antitrupat që trupi krijon në përgjigje të infeksionit, qëndrojnë në plazmën e gjakut për disa javë ose muaj, por nivelet e tyre bien ndjeshëm me kalimin e kohës. Sistemi imunitar ka një mënyrë më efikase për të trajtuar patogjenët: në vend që të prodhojë antitrupa gjatë gjithë kohës, krijon qeliza B të kujtesës që njohin patogjenin dhe mund të lëshojnë shpejt një seri të re antitrupash kur e hasin për herë të dytë.

Por sa mirë funksionon kjo kujtesë, varet nga patogjeni. Për të kuptuar rastin me SARS-CoV-2, studiuesit analizuan përgjigjet e antitrupave të 87 individëve në dy periudha kohore: një muaj pas infektimit, dhe pastaj përsëri gjashtë muaj më vonë. Siç pritej, ata zbuluan se megjithëse antitrupat ishin ende të zbulueshëm gjashtë muaj më pas, numri i tyre ishte ulur ndjeshëm. Eksperimentet laboratorike treguan se aftësia e mostrave të plazmës së pjesëmarrësve për të neutralizuar virusin u zvogëlua me pesë herë.

Në të kundërt, qelizat B, pra ato që prodhojnë antitrupa kundër SARS-CoV-2, nuk ulen në numër, madje u rritën lehtë në disa raste. Numri i përgjithshëm i qelizave B të kujtesës që prodhuan antitrupa duke sulmuar thembrën e Akilit të virusit, të njohur si fusha e lidhjes së receptorëve, mbeti i njëjtë. Kjo konsiderohet lajm i mirë, pasi ato janë “armët” që na duhen nëse e hasim virusin sërish.

Sulmet virale

Një vështrim nga afër i qelizave B të kujtesës zbuloi diçka të habitshme: këto qeliza kishin kaluar nëpër disa mutacione edhe pas mundjes së infeksionit, dhe si rezultat antitrupat që ato prodhuan ishin shumë më efektivë sesa origjinalet. Eksperimentet e mëvonshme laboratorike treguan se ky grup i ri antitrupash ishin më mirë të afta për t’iu kundërpërgjigjur fort virusit dhe mund të njihnin edhe versione që kanë pësuar mutacion.

SARS-CoV-2 replikon në qeliza të caktuara në mushkëri, pjesën e sipërme të rrugëve të frymëmarrjes, zorrën e hollë dhe grimcat e mbetura virale që fshihen brenda këtyre indeve mund të nxisin evolucionin e qelizave të kujtesës. Në funksion të kësaj janë ekzaminuar biopsitë e indeve të zorrëve nga njerëzit që ishin shëruar nga COVID-19 mesatarisht tre muaj më parë.

Shtatë nga 14 individët e studiuar kishin prani të materialit gjenetik të SARS-CoV-2 dhe proteinave të tij në qelizat e zorrëve. Studiuesit nuk e dine ende nëse këto mbetje virale janë akoma infektive apo thjesht janë të vdekura.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.