Qindra emigrantë në kampin boshnjak, në kushte të vështira jetese në -15 gradë
Qindra migrantë në veriperëndim të Bosnjës janë në kushte të vështira jetese, një situatë që është përkeqësuar nga temperaturat e ulëta. Parashikimet janë që ato do të bien deri në -15C. Individë dhe familje, disa me fëmijë të vegjël, janë bllokuar afër kufirit me Kroacinë, një zonë që shërben shpesh si porta hyrëse në Europë.
"Situata është shumë e keqe", thotë për Euronews Muhamed Khan, emigrant afgan.
"Moti është shumë i ftohtë. Nuk kemi ujë. Hasim vështirësi në çdo gjë".
Nën presionin ndërkombëtar, autoritetet boshnjake kanë ngritur çadra me ngrohje për disa qindra emigrantë që kanë mbetur në kampin e djegur në fund të vitit të kaluar.
Por qindra të tjerë vijojnë të qëndrojnë në çadra të improvizuara dhe shtëpi të braktisura, pa ngrohje.
"Natën e kaluar ishte shumë e ftohtë, ne po vuajmë shumë", thotë Shahin, një mekanik nga Bangladeshi, i cili po qëndron në një tendë të vogël në një pyll afër fshatit kufitar të Velika Kladusa.
Ndërkohë që përpjekjet për të kaluar në Kroaci vijojnë, ka pasur akuza për keqtrajtim nga policia kufitare kroate. Përgjigja shpesh kaotike e Bosnjës ndaj krizës së migrantëve është pasuar nga kritika ndërkombëtare dhe paralajmërime nga grupet humanitare, të cilat kanë kërkuar me forcë nga vendi ballkanik dhe BE-ja që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme për emigrantët.
Add new comment