Tërmeti dhe pandemia do ikin, pasojat e sëmundjeve endemike do të zgjasin
Akuzat dhe shqetësimet e shumta për situatën në spitalet publike të Shqipërisë ku po trajtohen njerëz të prekur nga CoVid-19 janë administruar nga kryeministri I vendit si materie për propagandë. Përtej videos skandaloze sot në Sanatoriumin e Tiranës, ku mbetej që pacientët t’ia merrnin këngës pse ishin në spital, z. Rama ka shpërndarë në Facebook edhe një mesazh ku shfaqet si njeriu që është në anën e shqiptarëve në këtë betejë. Ndërkohë që kushdo që e kundërshton, vë në dyshim seriozitetin e angazhimit të tij është thjesht një armik I progresit dhe të mirës.
Ne do ta bëjmë me të gjitha forcat luftën me Armikun e Padukshëm dhe fronti ynë i mbrojtjes në spitalet Covid do të jetë deri në fund, një shembëlltyrë e vendosmërisë, kurajos, profesionalizmit, pa asgjë mangut krahasuar me kushtet spitalore, kurat farmaceutike, shërbimin mjekësor në spitalet Covid të Europës!
Ne do t’i rindërtojmë një për një shtëpitë, apartamentet, shkollat, kopshtet, spitalet e qendrat shëndetësore të shembura nga tërmeti, në kohë rekord krahasuar me ecurinë e një procesi të tillë në vendet që janë përballur me këtë sfidë!
Dhe Shqipëria do të dalë më e fortë nga këto dy sfida të rënda, të cilat mund t’i përballojë e t’i fitojë vetëm kjo shumicë qeverisëse, sepse ne nuk jemi më të mirët dhe kemi patjetër të metat, gabimet, boshllëqet tona, po më të mirë se ne për Shqipërinë nuk ka!
Është po ai inskenim, po ai script, po ajo ide për propagandën, po ajo përpjekje për manipulim që kemi vite që e shohim. Zoti Rama sigurisht që nuk beson në këto që thotë, por intuita ja thotë se në këtë përballje ai mund ta mposhtë kundërshtarin politik. Një fasadë këtu, një mur atje, tre lule më tej dhe ja situata kaloi.
Zotit Rama i interesojnë kundërshtarë të tillë sepse e ndjen që në planin retorik e demagogjik i ka kollaj t’i përballë. T’i blejë, të merret vesh. Të jetë pra i qetë. Në këtë kuptim ai padashur na zbulohet se është në fakt e keqe më e madhe sesa tërmeti dhe pandemia. Sepse tërmetë dhe pandemi ka parë kjo botë shumë herë dhe ato janë ndër ato fatkeqësi para të cilave njeriu ringrihet shpirtërisht. Por janë qeveri dhe qeverisje si këto të z. Rama që i ngjajnë atyre sëmundjeve endemike me të cilat detyrohesh të bashkëjetosh duke shpresuar se bacili nuk do të të prekë.
Zoti Rama flet për një Shqipëri që nuk e beson, nuk e do. Sepse ai përçmon varfërinë e vendit të vet, naivitetin e njerëzve që i rendin pas pa kuptim mes të cilëve ndihet si i dërguari i historisë. Zoti Rama po flet për një Shqipëri që ne po e shohim të ngrihet para syve tanë. Është Shqipëria e një rendi publik me parimet e rrugaçërisë ku njëri është i njerkës dhe tjetri i nënës. Ku një shitës ambulant përzihet me dhunë pse shet libra duke i ulëritur në fytyrë se po shkel ligjin, kurse pak metra më tutje, pallatet e Shefqet Kastratit, apo Ramë Gecit mund të vazhdojnë punën duke shkelur çdo ligj e hapësirë.
Kjo është Shqipëria që po ndërtohet, që po pronësohet nga disa njerëz, me vizionin e banditit dhe shijet e cinikut. Tek ajo që thotë z. Rama ka një të vërtetë që nuk duket hapur: Tërmeti dhe pandemia janë biznese. Jo situata sociale. Kjo po është e vërtetë. Dhe kjo e vërtetë kumbon më fort se të gjitha fjalët e një kryeministri që sa më shumë shkon koha, aq më majtash e drejton fjalën, duke qenë vetë në ekstremin e të djathtës për nga lloji i jetës dhe cinizmi. Nga kjo sëmundje si të shpëtojmë është çështja!
Add new comment