Do kemi rast të shohim llogaritë bankare të njëri-tjetrit

Postuar në 11 Tetor, 2020 15:17

Njoftimi i fundit se qeveria ka propozuar një projektligj për krijimin e regjistrit të llogarive bankare, krijon ndër të tjera kushtet për të diskutuar mbi aksesin që do të ketë në këtë njësi të re të dhënash private. Në projektin e propozuar e drejta për akses të pakufizuar në Regjistëri i jepet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Shërbimit Informativ Shtetëror. Kjo e drejtë buron nga fakti se regjistri ka si synim gjurmimin e parasë së pistë apo transaksioneve të dyshimta, duke krijuar kështu një zgjidhje tipike sipas parimit “me të thatin digjet edhe i njomi”.

Në emër të kësaj lufte përfshihen në një regjistër të aksesueshëm nga nëpunës të dy prej instituticioneve më të diskredituara shqiptare, të gjitha llogaritë bankare, të cilat shpallen madje sekret bankar dhe nuk i nënshtrohen legjislacionit për të drejtën e informimit. Situata është tërësisht paradoksale, ose e tillë duket dhe për ta ilustruar këtë mund të sjellim dy shëmbuj apo argumente.

Së pari kemi një vendim të fundit të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave dhe të Drejtën e Informimit, që trajton ankesën e një subjekti kundër bankës OTP Albania sh.a që kërkon verifikimin e të dhënave të një llogarie që janë paraqitur gjatë një shqyrtimi gjyqësor. Në vlerësimin e tij, Komisoneri argumenton ndër të tjera se duke qenë se OTP sh.a nuk rezulton një Autoritet Publik, legjislacioni mbi të drejtën e informimit nuk aplikohet mbi të, ndaj edhe kërkesa është refuzuar. Në argumentimin e tij, Komisioneri sjell dispozitën përkatëse që thotë se:

Projekti aktual vendos ndalimin e funksionimit të këtij ligji në një fushë veprimi që e ka të përcaktuar si të vetën.  Çështja këtu është se zbardhja e llogarive bankare nga një ent privat në një regjistër publik që administrohet nga DPT-ja, i bën këto të dhëna domen publik ndonëse me akses të rregulluar. Nga pikëpamja e sekretit bankar dhe sigurisë, praktika e deritanishme, por edhe ky vendim i Komisionerit e siguron më mirë se autoriteti publik interesin e klientit, të cilit tashmë çdo ofertë dhe garanci i relativizohet.

Këtu kemi edhe një aspekt praktik. Në kohën që jetojmë të dhënat e dixhitalizuara janë përherë e më shumë objekt kontrolli dhe sulmi dhe për to nuk ka asnjëherë siguri 100%. Por me shtetin shqiptar ke sigurinë e keqpërdorimit të tyre për synime politike dhe më tej, e këtu mjafton të shohim rastin e mësymjes në serverin e Tatimeve me pamjen ikonografike të asaj ngjarjeje që është prania e Spartak Brahos si hetuesi i parë aty.

Rasti i dytë është çështja “Bolino-Gjelishti”, konsumuar pak javë më parë. Në mbrojtjen e vet për daljen në media nga PD-ja të transfertës 1 miliardë lekë, botuesi Carlo Bollino ngriti argumentin e spiunazhit financiar ndaj të dhënave të tij. Pra të dhënat e tij ishin vjedhur nga brenda Tatimeve, përtej detyrimit që ai ka për të deklaruar në QKR. Për herë të parë ndoshta, DPT-ja nisi një hetim të brendshëm për punonjësit që dyshon se ka nxjerrë këto të dhëna të cilat e njollosën z. Bollino dhe imazhin e tij të njeriut që nxjerr bukën e gojës duke shitur lajmin e parë në Shqipëri.

Cili është dëmshpërblimi që i jepet këtij subjekti në këtë rast? Publikisht nuk kemi parë se ka një të tillë, privatisht nuk e dimë dhe as i intereson kujt shumë.

Tani ky shtet do ndërtojë një regjistër llogarish bankare që administrohet nga harbutët e tatimeve, ca hajdutë xhepash që i njohim mirë kush janë. Të mos harrojmë se Shqipëria është vend i vogël dhe kemi rastin të dëgjojmë të dhëna për dosje sekrete hetimore, për përgjime gjoja sekrete. Tani do kemi rastin të shohim edhe llogari bankare të personave, diçka përtej imagjinatës dhe që i vë flakën edhe një sigurie minimale.

Sigurisht që do thonë se regjistri është kërkesë e BE-së. Ndoshta, por ne nuk jemi BE, madje ndonjëherë duket se nuk jemi as Ballkan.

s.zaimi

Comments

Submitted by Obobo (not verified) on

Te vesh duart ne koke me kete idiotizem ne ate vend ku jeni bere kavie e eksperimentohet me te gjithe ju.
Shteti/gjykata mund te kerkoje ne cdo moment, kur ka dyshime te qenesishme, akses ne llogarite bankare te private citizens.
Po keshtu sic po e bejne keta, eshte si NSA ne amerike qe nen pretekstin se po kerkonte terroristet filloi regjistronte gjithe telefonata e amerikaneve. Se si mbaroi ajo histori e nese fituan me shume se sa humben NSA e amerikanet, tashme te gjithe e dine.

Do ti shmangin bankat njesoj si shmangin tashme komunikiminin nepermjet cel network ne amerike dhe sigurohen qe kane end-to-end encryption apo shmangia e kanalene publike te komunikimit me kanale alternative dhe super te mbrojtura. Bankat kane per ta vuajtur kete gje.

Dhe nje analogji tjeter: nqs ISP jote e sherbimit te internetit nuk ben as perpjekjen minimale te te mbroje nga kercenimet idiote te te ashtuquajturve mbrojtes te te drejtes se autorit, prije kontraten dhe kalo me nje tjeter qe e ka ku e ku me te trashe zhguallin mbrojtes, e nuk u kthen as pergjigje hajvaneve qe kerkojne te dhena private pa patur nje dokument gjykate per kete pune ... duke i hedhur ne plehra pretendime qe ndryshojne sipas qejfit te nje pakice qe vetem mbrojtjen e autoreve nuk e ka ne axhende.

E njejta gje do ndodhe dhe me bankat.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.