Status quoja është destabilizuar dhe kjo është fitore jo e vogël
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur të cilësojë si të drejtë vendimin e presidentit Thaçi për mandatimin e Avudllah Hotit në krijimin e qeverisë. Ky është vendim final dhe Albin Kurti duhet ta njohë dhe respektojë. Atij nuk i ndalohet ta komentojë, por do të ishte gabim ta kundërshtonte zyrtarisht.
Ky akt është kalimtar në kuptimin politik. Ai përcakton një rregullim, por jo një zhvillim. Në këtë kuptim ata që sot në Prishtinë dhe në Tiranë flasin për humbjen e Kurtit e bëjnë këtë ose për të propaganduar një fitore inekzistente të Thaçit dhe Mustafës, ose sepse janë në keqbesim me Kurtin që u prish rehatinë shumë njerëzve në të dyja anët e kufirit. Ose sepse mendja e tyre i përgjigjet mendësisë së pazarit ku fiton çdokush që arrin të ulet në të.
Thaçi dhe Mustafa përfaqësojnë një Kosovë që sa vjen dhe tkurret, kompromisin dhe plaçkitjen si politikë shtetërore, ndërtuar sa mbi hajninë dhe pervertimin tribal e klanor të institucioneve, aq edhe mbi instrumentalizimin e lavdisë së Luftës dhe Rugovës.
Asnjë prej këtyre, sikundër askush në Shqipëri nuk atunë e Kurtit për të përfaqësuar një subjekt panshqiptar. Kjo jo pse Kurti artikulon shqetësime më gjenuine se të tjerët, por sepse në ndryshim nga ta ai mishëron deri diku shpresën e veprimit të sinqertë për t’i përmbushur ato. P.sh një fakt shumë i rëndësishëm është ai se Kurti nuk ka një akuzë për korrupsion mbi vete dhe kjo nuk është pak. Dhe të mos korruptohesh në botën shqiptare është provë se ke të bësh me dikë që nuk i bie shkurt, premisë kjo e një zgjedhjeje e maturon veprimin politik me kalimin e kohës.
Ai e mishëron këtë edhe me vullnetin dhe aftësinë për të kundërshtuar në mënyrë jokonvencionale dhe formale politikën e tanishme në Shqipëri, ai flet kundër bizantinizmit të faktorit ndërkombëtar dhe nuk ka drojen e shprehjes së pikëpamjeve të veta. Nga kjo perspektivë sulmi ndaj tij është sulm ndaj një modeli ndryshe të shqiptarit që nuk e ul kokën para të huajit më të parë, që jo vetëm zbaton, por edhe mendon, që ka një ide të vetën mbi vendin dhe të ardhmen dhe më e rëndësishmja: nuk kompleksohet para askujt.
Sigurisht Kurti mund të ketë bërë gabime. Ai as nuk arriti të formësohet si kryeministër, të flasë si i tillë, por kjo nuk i heq asgjë vlerës së tij në politikën shqiptare. Vlerë e cila buron pikërisht në përshfaqjen e plotë të një identiteti politik që nuk është shtojcë mekanike e recitalit programatik të integrimit.
Me të mund të mos biesh dakord, madje fare. Por ai nuk po sulmohet për këtë arsye, pasi përndryshe me të do të debatonin. Ai po sulmohet sepse provokon status quonë e politikës shqiptare që bazohet mbi ekuilibrin e rremë: parti, ambasadë, manipulim zgjedhor, korrupsion.
Dhe mu për këtë arsye duhet mbështetur. Diskutimi mbi përqindjet e partisë së tij kanë rëndësi, por në momentin kur në Kosovë po ligjërohet një puç politik, që nuk të befason me asgjë sepse ecën mbi skema kaq të njohura, ato kalojnë në plan të dytë. Kurti mundet të pranonte të provokohej, të bënte sikur nuk e dëgjonte ministrin e Brendshëm, sikur Isa Mustafa të jetë Buda i Ballkanit, ta shndërronte veten në një hijenë të mbijetesës. Por ne nuk kemi nevojë për këtë. Bota shqiptare ka nevojë për dikë që të thotë Jo kur e mendon kështu dhe duam nuk duam Kurti rezulton i tillë.
Ai asociohet mirë në Kosovë dhe në Shqipëri, me të rinjtë dhe pleqtë, partia e tij është referencë studentore dhe ka ditur ta rivlerëosjë luftën si nevojë ndërgjegjësimi dhe jo kapital politik. Dhe ky është një tjetër aspekt që e dallon atë mjaft mirë nga gjoja e majta shqiptare, kjo karaputanë e historisë sonë politike.
Në kushtet kur ai tani do të kalojë në opozitë ka nevojë të shkëpusë lidhjet publike me seksione politike të Tiranës që janë të diskredituara dhe përfaqësojnë histori korrupsioni dhe të distancohet mirë nga PS-ja dhe drejtuesi i saj sepse karantina ndaj këtij subjekti është parakusht që ai të mos paragjykohet dhe perceptimi mbi të të ruhet i pandryshuar.
Kurti mund të ishte edhe një kryeministër i pasuksesshëm, por ne këtë nuk e dimë. Ndoshta ai në të ardhmen do të ketë padyshim mundësinë ta provojë sërish veten, por ajo që ne duhet të vlerësojmë sot është se qenia e tij në skenë është kërcënimi pozitiv për pastrimin e skenës nga mbetjet toksike të një politike që ka kapur për fyti të ardhmen tonë. Qëmtimin e gabimeve t’ia lëmë të tjerëve, atyre që hanë bukë duke hedhur të parët gurin dhe të mjaftohemi për momentin që askush nuk ka gjetur ndonjë Faj.
Të mos e ngatërrojmë këtë mbështje me besimin në idealizmim e Kurtit, sepse ne nuk e dimë me siguri një gjë të tillë. Është thjesht nevoja për të dalë nga rrethi vicioz i një situate që ka çuar të gjithë shoqërinë shqiptare në rrethanën shkatërruese të të qenit peng i një elite të korruptuar dhe pa ide për shekullin ku jetojmë.
s.zaimi
Add new comment