Dje ishte dje. Sot është sot!
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dalë sot në një intervistë në Syri Tv përmes së cilës ka arsyetuar disa nga vendimet e fundit në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
I pyetur për miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal, presidenti u përgjigj thjeshtë duke thënë se ishte shumica që kërkoi bashkëpunimin, të cilin presidenti e ofroi duke përfshirë në paketë të gjitha shqetësimet e opinionit publik.
I pyetur për prezencën e ushtrisë në rrugë, z. Meta tha se këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar pasi ushtria ka detyra të përcaktuara me ligj.
I pyetur për tërheqjen e Shqipërisë nga Konventa e të Drejtave të Njeriut – më saktë një deklarim që njofton mospërmbushjen e disa të drejtave – presidenti ka reaguar thatë se këtë gjë e kanë bërë shumë vende.
Duket se kreu i shtetit ka një lloj paqëtimi me qeverinë, shumicën të cilën po arrin ta kamuflojë lehtësisht pas objektivitetit të masave të marra, të cilave ç’është e vërteta asnjë politikan në vend nuk mund t’i kundërshtojë pa patur një alternativë tjetër të besueshme.
Zoti Meta ka bërë edhe një vërejtje që duket se dhemb shumë në PD dhe te LSI-ja: Nuk është faji im që opozita dorëzoi mandatet dhe kemi këtë parlament që kemi.
Duket sikur Presidenti po i thotë PD-së se unë kontratën me Ju e përmbusha gjatë gjithë këtyre muajve dhe me protestën e 2 marsit arrita më shumë se protestat tuaja.
Në tërësinë e vet qëndrimet e Presidentit ngjajnë se dalin pikë për pikë kundër qëndrimeve të Sali Berishës, i njohur si partner i padeklaruar politik i Metës në këto kohë.
Ky distancim në qëndrime është në thelb mohim i të gjitha qëndrimeve që po mban opozita e cila ka nisur të flasë për aksion të fuqishëm e deri për protesta. Një këmbë në tryezën e protestave e ka edhe Meta me LSI-në e tij, çka e bën skemën vepruese të PD-së dëshpëruese.
Sot kjo parti duket se ka vetëm një rrugë: të mobilizojë mbështetësit e vet në mënyrë që të afirmojë se është një organizëm i gjallë që nuk jeton apo vegjeton vetëm në seli.
Por kush mund ta kryejë këtë mobilizim, kur atë e kompromenton që në fillim qenia e Lulzim Bashës në krye të partisë? Një njeri për të cilin nuk vlen më asnjë rresht e që ka në cv-në e vet braktisjen e dy protestave.
Në 7 vjet opozitarizëm, duke hequr dy lëvizje politike dhe disa propozime programore me dobi, në planin politik PD-a preferoi të ndiqte taktikë policore. Një përgjim aty, një intrigë vrasjeje më tej, një akuzë më tej, pastaj pushime dhe marrëveshje. Teksa stigmatizonte qeverinë e Edi Ramës, kërkonte dhe bënte marrëveshje me të, duke shumëzuar me zero çdo diskurs. Dhe duke i dhënë të gjithë politikës pamjen e një dueli si në filmat policeskë.
Shpresa e fundit e PD-së ishte presidenti dhe kredencialet e tij kushtetuese për të provokuar strategji tensioni me shumicën dhe një krizë në raportet me qeverinë përmes të gjithë dispozitivit të atributeve të veta. Këtu nuk duhet mohuar për asnjë çast se e drejta në shumë qëndrime anonte nga opozita dhe kufizimi presidencial ndaj një shumice arrogante dhe abuzuese, ishte në të mirë të funksionimit të demokracisë. Mjafton këtu të kujtojmë atë që ndodhi me Gjykatën Kushtetuese. Por kjo ishte një shpresë që vdiq tani që u kuptua se Ilir Meta punoi për vete.
Është ironike të shohësh sot PD-në që akuzon qeverinë se nuk ka një strategji dhe plan për pandeminë, ndërkohë që vetë nuk ka një strategji veprimi në kushtet e braktisjes nga instrumenti presidencial.
PD-ja mund të nisë të akuzojë edhe Metën, është partia më profesioniste për akuza. Por asgjë nuk e shpëton atë nga ligjësia e politikës që është demonstrimi i forcës që mundet të jenë ide dhe ekipe të reja, apo mobilizim. Fatkeqësisht sot kjo parti nuk ka asnjërën as tjetrën. Dhe për faj të vet. Dhe nëse Meta nuk vuan nga problemi moral pasi ai perceptohet si më amorali ndër politikanët, një forcë që do të vijë në pushtet duhet ta ketë moralin e duhur që të ushqejë besim. Por ndoshta në PD po ndjekin modelin e LSI-së.
Add new comment