Thuhet se Nexhmije Hoxha ka patur pasuri. A duhet përfshirë në amnistinë e re të z. Rama?

Postuar në 05 Mars, 2020 00:49
Skerdilajd Zaimi

 

Në datën 2 mars të këtij viti, gazeta “The Guardian” publikonte nën autorësi të Ian Thompson një nekrologji të Nexhmije Hoxhës. Zoti Thompson deklaron se e ka intervistuar zonjën Hoxha dhe në përshkrimin e vet nuk kursen epitetet e zakonshme si staliniste, mizore etj.. Problemi me këtë lloj nekrologjie edhe në media që quhen prestigjoze është subjektiviteti. P.sh z. Thompson shkruan se zonja Hoxha si vajzë e shkolluar e prezantoi Enver Hoxhën me letërsinë e shekullit të 20-të, apo se në vitet e fundit të regjimit, “thuhet se” Nexhmije Hoxha organizoi një sërë arrestimesh, pasi Hoxha ishte paaftësuar. 

Cilat janë provat për këto që shkruhen? Asgjë. Për to thuhet se... Nekrologjia nuk është disertacion shkencor, por nuk pse të jetë edhe hapësirë spekullimi. Ndoshta aspekti më kurioz i asaj që shkruan z. Thompson është ajo për pasurinë e familjes së Enver Hoxhës: 

Ndërsa shqiptarët e zakonshëm vuanin nga uria në vendin më të varfër të Europës, ajo dhe Enveri thuhet se merrnin furnizim sallame italianë, verëra franceze, cigare perëndimore dhe shërbimet e mjekëve francezë. Besohej se ata kishin  një numër shtëpish, sikurse 25 frigoriferë, 28 televizorë me ngjyra dhe 19 linja telefonike. “Gazeta Shqiptare” raportonte në vitin 1993 se Nexhmija dhe burri i saj kishin shpenzuar një total prej 15 milionë dollarësh fonde në 50 vjet

Kështu thuhet. Edhe nga gazeta shumë e besueshme “shqiptare”. Ky pasazh paraqet disa probleme serioze besueshmërie. Duke prekur çështjen e ushqimeve duhet thënë se ai injoron faktin themelor p.sh se Enver Hoxha që nga viti 1947 u diagnostikua me diabet. Dhe si sëmundje degjenerative që është ai mbahet nën kontroll me dietë. Uria e përgjithshme shqiptare ishte një dukuri që u bë e pranishme në masë pas ndarjes nga Kina kur prova ekonomike e vendit ishte serioze. 

Sa për 25 frigoriferët dhe 28 televizorët, kjo është diçka që ha diskutim, pasi në vilën e Enver Hoxhës në Bllok është pak e vështirë të organizosh kaq shumë aparate elektroshtëpiake që të kenë edhe funksion. Por ja që një gjë e tillë thuhet dhe z. Thompson e ka kuriozitetin ndoshtaves të veshëve jo cilësi të mendjes. 

Sa për numrin e shtëpive ndoshta është fjala për shtëpitë e udhëheqjes që në fakt ishin dhe janë shtetërore. 

Edhe më problematike është shifra 15 milionë dollarë kur merr parasysh qoftë natyrën e disiplinuar të asaj elite politike, ashtu edhe faktin domethënës se pas vitit 1961 Enver Hoxha nuk udhëtoi jashtë vendit. 

Mundet që këto të jenë edhe të vërteta, por ato duhen provuar. Parashtrimi pasuror në një nekrologji të tillë kontekstualizohet si kontrast i kapshëm i mizorisë dhe ligësisë së dyshes Hoxha – Xhuglini, por këtu kemi një përpjekje të paqëlluar. Nëse heqim Titon dhe Çausheskun, liderët e Lindjes Komuniste nuk mund t’i akuzosh për jetë luksi si qëllim apo ambicie në vetvete, apo vjedhje të pasurisë publike për përfitime personale. Sigurisht ata jetonin shumë më mirë se pjesa tjetër e popullsisë, por kjo nuk quhet Pasuri. As Pasurim. 

Edhe Tito, që e donte luksin, nuk dihet të ketë llogari bankare gjëkundi, kurse Çaushesku është akuzuar se ka patur një pasuri të madhe. 
Kjo shpjegon deri diku edhe jetëgjatësinë e atyre sistemeve dhe më e rëndësishmja, faktin se ato imploduan dhe nuk u rrëzuan nga jashtë. 

Në rastin e Nexhmije Hoxhës ne kemi një personalitet të Dikaturës Hoxhiste që mbyll vitet e fundit të jetës në një apartament të dorës së tretë në Tiranë. Pyetja që lind është: ku janë paratë e vjedhura? Ku është kjo pasuri e pretenduar se është vjedhur?  

Zoti Thompson si anglez që është në këtë pikë mund të ndihmojë duke sqaruar p.sh nëse për 25 frigoriferët dhe 28 televizorët është zhvilluar ndonjë ankand, pasi për shtëpitë e shumta nuk kemi ndonjë të dhënë deri më tani. 

Ne si shqiptarë nga ana tjetër mund ta ndihmojmë fashitjen e kësaj teme që zgjat në mënyrë të pakuptimtë me dekada, ose duke hetuar njëherë e mirë, ose duke e përfshirë në amnistinë e re të propozuar nga z. Rama. Fundja kjo është pasuria jonë, produkt i abuzimit, jo produkt i krimit. Dhe zoti Rama në fakt këtë po legalizon. 

Sa për përrallat anglisht për Nexhmijen ato për fat të keq janë më pak tërheqëse sesa kryepërralla e këtyre viteve për Shqipërinë: Bunkerët dhe Krimi. 

Do të ishim të gjithë të shpërblyer nëse dikush do shkruante diçka realiste për atë kohë, sepse përtej krimit politik, duhet thënë se Diktaturat janë shfaqje politike racionale. Ose që e racionalizojnë krimin. Ndaj nevoja për t’i kuptuar është e madhe. Por deri atëherë le të vazhdojmë të argëtohemi me thashethemet e Tiranës që gjejnë vend në mediat prestigjoze. 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Propaganda ne perendim dhe shplarja e trurit jane sot ne po ate intesitet, ne mos me shume, si te kohes tone te atehershme "socialiste", ku Perendimi dhe Lindja deklasoheshin si sisteme te rrenuara dhe ne buze te gremines, e sa e sa te tjera thuheshin. Keshtu sot deklarohet per gogolin Putin dhe renien ne diktature te Rusise, ne Kore te Veriut vuajne per buke, e cfare nuk thuhet per boten e pertejme; Shqiperia prezantohet si mbreteria e hashashit dhe krimit te organizuar, shqiptaret si injorante, etj.-etj. Gjithe kjo vjen sepse disniveli ekonomik ne vendet perendimore eshte mjaft i madh, po dhe ai shoqeror, -kush vjen nga familje punetoresh ose te huajsh mbetet per jete e me breza te tere ne ate gjendje; ne konflikte dhe procedura te ndryshme ky i varferi ka pak shance te trajtohet me drejtesi e te fitoje. Ne dy dekadat e fundit padrejtesite dhe disnivelet jane shtuar ne nje sere vendesh perendimore. Vetem reklama, genjeshtra dhe policia arrisin ta mbajne gjendjen te mos shpertheje.

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Nony, me vjen keq , po kesaj rradhe ia ke fut kot, po kot fare. Po nuk ke faj, se akoma me kot ia ka fut ky Skerdi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.