Homoseksualizmi mes evolucionit dhe hipotezës socioseksuale

Postuar në 20 Janar, 2020 19:13
Andrew B. Barronl

 

Si evoluoi homoseksualizmi tek njerëzit?

Në mënyrë tipike, kjo pyetje shtrohet si paradoks.

Argumenti është ky: seksi homoseksual nuk është riprodhues, dhe që tiparet të evoluojnë, ato duhet t'u kalohen fëmijëve, të cilët marrin një formë të avantazhit konkurrues prej tyre.

Nga ky këndvështrim, disa argumentojnë se homoseksualizmi nuk ka evoluar.

Në një punim të botuar nga autori i këtij shkrimi dhe profesori i Universitetit Duke, Brian Hare, ne propozojmë që seksualiteti njerëzor (përfshirë homoseksualitetin) ka evoluar si rezultat i evolucionit që ka pësuar socializimi mes njerëzve.

Ne argumentojmë se shumë nga forcat evolucionare që formësuan seksualitetin njerëzor ishin shoqërore, më shumë sesa në bazë të aftësisë riprodhuese.

Kjo është "hipoteza jonë socioseksuale" për evolucionin e seksit dhe tërheqjes mes njerëzve të të njëjtit seks.

Seksi për lidhje

Për njerëzit dhe shumë kafshë të tjera, seksi nuk ka të bëjë vetëm me riprodhimin.

Te primatët tanë, shimpanzetë, seksi hetero dhe ai homoseksual kanë role jetësore në lojë, shkëmbime shoqërore, shkëmbime ushqimi, lidhje shoqërore të të njëjtit seks dhe lidhje midis çifteve.

Ne nuk duhet ta kufizojmë mendimin tonë për evolucionin e seksit në funksionet e tij riprodhuese. Ne gjithashtu duhet të marrim parasysh funksionet e tij shoqërore.

Bazuar në sjelljen sociale të primatëve (dhe gjitarëve të tjerë shoqërorë), argumentojmë se evolucioni i fundit njohës dhe i sjelljes i specieve tona u nxit nga përzgjedhja natyrore duke favorizuar tipare që lejonin integrimin më të mirë shoqëror. Kjo quhet prosocializim.

Njerëzit e hershëm që mund të arrinin shpejt dhe lehtë përfitimet e jetesës në grup kishin një avantazh të fortë selektiv. Ne besojmë se kjo çoi në evolucionin e një game të tërë tiparesh, përfshirë agresionin e zvogëluar, komunikimin në rritje, mirëkuptimin, lojën shoqërore dhe përkatësinë.

Specie të tilla si shimpanzetë, që evoluan në prosocializim të lartë, evoluan për të përdorur sjellje seksuale në shumë kontekste sociale. Kjo rezulton në një rritje të seksit në përgjithësi, diversitet më të madh në kontekstin e seksit dhe rritje të seksit brenda të njëjtës gjini.

Ne besojmë se diçka e ngjashme ka ndodhur në evolucionin e fundit njerëzor. Seksi dhe tërheqja mes individëve të së një gjini mund të ketë evoluar sepse individët me një shkallë të tërheqjes së të njëjtit seks përfituan lëvizje më të madhe sociale, integrim dhe lidhje më të forta shoqërore të të njëjtit seks.

Kjo mund të tingëllojë kundërintuitive, duke pasur parasysh që njerëzit homoseksualë janë të margjinalizuar në shoqëri, të izoluar dhe madje të kriminalizuar në shumë shoqëri.

Sidoqoftë, argumenti ynë adreson evolucionin e hershëm të seksualitetit njerëzor, dhe jo atë se si fenomene relativisht të fundit si feja dhe strukturat ligjore të bazuara në fe kanë reaguar ndaj pakicave seksuale.

Faktet mbështetëse

Shumë studime që nga hulumtimi pionier i Alfred Kinsey dhe kolegët e tyre kanë theksuar se pakicat seksuale ndodhin në të gjitha kulturat, dhe nivelet e njerëzve homoseksualë dhe biseksualë në popullsi kanë qenë mjaft të qëndrueshme me kalimin e kohës.

Hipoteza jonë parashikon që biseksualizmi dhe njerëzit që identifikohen si "kryesisht hetero" duhet të jenë më të zakonshëm se njerëzit që identifikohen si ekskluzivisht homoseksualë, dhe ky është rasti.

Analizat e fundit gjenetike konfirmojnë se qindra gjene ndikojnë në mënyra komplekse te seksualiteti.

Ne trashëgojmë gjysmën e gjeneve tona nga secili prind. Kombinimi gjenetik i secilit person është unik, kështu që do të ishte shumë e vështirë të gjesh dy persona me saktësisht të njëjtin grup gjenesh që ndikojnë në seksualitetin e tyre.

Prandaj, variacionet janë të pritshme dhe individët janë pjesë e një spektri të tërë që nis nga shumica hetero deri te pakica që identifikohen si homoseksualë.

Hipoteza jonë për evolucionin e homoseksualizmit do të parashikonte këtë lloj ndryshimi në seksualitetin njerëzor dhe mund të ndihmojë në shpjegimin pse është përgjithësisht i qëndrueshëm në të gjithë kulturat.

Ne besojmë se seksualiteti është një tipar mjaft i ndërlikuar, i ndërthurur me shoqërinë. Tërheqja, sjellja seksuale, lidhjet shoqërore dhe dëshira, të gjitha kontribuojnë në kompleksitetin e tij.

Të bësh pyetjet e duhura

Gjatësia trupore është një tjetër veçori e ndikuar nga qindra gjene, shumë prej të cilave bashkëveprojnë me mjediset tona të jashtme në mënyra komplekse.

Ne shohim një ndryshim të vazhdueshëm në gjatësinë e njeriut - ka njerëz shumë të gjatë dhe shumë të shkurtër.

Ne mund të mbështetemi në ekologjinë ushqyese për të eksploruar evolucionin e gjatësisë njerëzore, por nuk do të ndiejmë nevojën e kërkimit të argumenteve speciale evolucionare për të shpjeguar ekzistencën e njerëzve të gjatë apo të shkurtër.

Asnjë shpjegim i veçantë nuk është i nevojshëm. Ata thjesht po shfaqin ndryshime natyrore, me ndikim gjenetik në gjatësi.

Në mënyrë të ngjashme, ne mendojmë se pyetja se si evoluoi seksi dhe tërheqja mes njerëzve të të njëjtit seks është pyetja e gabuar.

Një pyetje më e dobishme për të bërë është: si evoluoi seksualiteti njerëzor në të gjitha format e tij?

Duke vepruar kështu, ne e pranojmë se homoseksualizmi nuk paraqet një paradoks që kërkon shpjegim të veçantë. Është thjesht rezultat i evolucionit fundor socio-seksual të specieve tona. 

/ The Conversation/TvT

Comments

Submitted by astrit (not verified) on

Nuk eshte burimi me autoritativ i mundshem. Artikulli kerkon te gjeje aresye evolucionare per homoseksualizmin. Por perse duhet qe cdo gje qe ekziston te kete arsye ne evolucion?
Jo cdo gje qe haset ne shoqeri, apo me gjere ne bote, ka avantazhe te caktuara. Aq me pak avantazhe te evoluconit pozitiv mund te ekzistojne per tipare me prevalence te ulet gjate gjithe historise. Shumica e shoqerise dhe shkencetareve e pranojne homoseksualitetin si tipar i rralle qe haset teknjerezit, por jo semundje. Ka tipare qe thjesht nuk kane asnje avantazh pozitiv: floket e verdha, lekura e zbehte nuk kane fare avantazhe, perkundrazi,rrisin probabilitetin per kancerin e lekures. Hipertrofia e prostates, semundja e Crohn, dhe shume te tjera, jane gjenetike, relativisht te shpeshta por prape te demishme per njerzezit, dhe nuk paraqesin as avantazhin me te vogel per njerezit e vecante apo shoqerine.
Se dyti, asnje nga keto arsyetimet sociologjike te autoreve, nuk gjejne mbeshtetje ne punen kerkimore gjenetike, si psh Ganna et al 2019 (Science), dhe keto konsiderata te tyre jane thjesht spekullime. Perkundrazi, gjenet qe favorizojne homoseksualizmin, jane gjene qe favorizojne gjithashtu tiparet burrerore dhe testosteronin e rritur qe per shumicen e burrave (dmth heteroseksuale) do te thote me shume agresion e me shume femije.
Eshte me e drejte te thuhet qe ka disa njerez qe pelqejne te tjere njerez te seksit te njejte: kjo eshte puna e tyre, dhe nuk eshte as gje e mire e as gje e keqe per te tjeret, dhe se evolucioni natyror mund te mos kete te beje hic me kete pune. Shume gjera ndodhin rastesisht ne bote.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.