Rama, Basha, Shkëlzen Berisha, tri raste (mos)përballjeje me akuzat

Postuar në 13 Janar, 2020 19:40

Sot Gjykata e Tiranës ka vendosur të pushojë çështjen e ngritur ndaj Lulzim Bashës, Arben Ristanit dhe Ilir Dervishit, financier i Partisë Demokratike për të ashtuquajturin “lobim rus”. Akuza e ngritur ishte fallsifikim dhe ngrihej mbi një pretendim se PD-ja nuk ka deklaruar të ardhurat që i janë paguar Nick Muzin, i cili vetë ka deklaruar se i ka marrë nga dy biznesmenë rusë. 

Çështja në vetvete është pak e mpleksur dhe ajo pak rëndësi ka në hollësitë e veta, sepse politika i ka paraprië dhe po do edhe ta ripaketojë për nevojat e veta.  Menjëherë pas vendimit, Partia Socialiste ka deklaruar se kemi të bëjmë me një vendim të gjyqësorit “kap ça të kapësh”. Madje sipas numrit dy të saj, Taulant Balla edhe prokuroria ka faj, duke i bërë thirrje madje KLP-së dhe KLGJ-së që të hetojë ato që ai i quajti "gabime proceduriale me dashje"

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të hetojnë gabimet procedurale me dashje, që çuan në këtë teatër të turpshëm, ku prokuroria hetoi 2 vite dhe gjykata e mbylli për 2 orë. Apelimi i këtij vendimi absurd dhe rikthimi i çështjes për hetim të plotë duke dhënë edhe garancitë nga Gjykata për marrjen në pyetje të përfituesit të parave Nik Muzin, janë hapat e vetëm për të hedhur dritë e për të bërë drejtësi në këtë dosje të rëndë

tha Balla.

Pas PS-së ia nisi media pranë saj. Një nga insinuatat e bëra në këtë rast ishte se nëse z. Basha do të ishte i pafajshëm, ai do të padiste Nick Muzin për mashtrim dhe një gjë e tillë do ta rivendoste atë në pozicion moralisht dhe ligjërisht të pastër. Nëse ecim me këtë logjikë, atëherë duhet të kemi kurajon të pranojmë dy gjëra: që edhe kryeministri e kishte dyfish për detyrë të padiste gazetën gjermane “Bild” siç pretendoi se bëri, por edhe gazetarin që publikoi përgjimet, në mënyrë që edhe nderi i Shqipërisë të mos përdhosej në këtë mënyrë.

Së dyti: ata që sot i kërkojnë Bashës një gjë të tillë, duhet t’i dedikojnë një shënim respekti Shkëlzen Berishës që paditi autorin e librit “Armët dhe çunat” të Guy Lawson, që e përmend atë si pjesëmarrës në trafik armësh. E kërkon etika e profesionistit, e kërkon detyrimi për të barazpeshuar gjykimin e rreptë moral që bëhet natë e ditë ndaj atyre që nuk e ndjekin këtë standard. Këtu nuk po tregohemi sqimatarë për të kërkuar hetime për fotot përtej Atlantikut.

Së treti, problemi lidhet me organin e akuzës. PS-ja sot e quan edhe këtë organ si të prekur nga sëmundja e KÇK-së. I pandehuri Arben Ristani e sqaroi kështu situatën e ndodhur:

Prokuroria u paraqit me dy qëndrime, një qëndrim që kërkonte kthimin e çështjes për plotësim hetimesh dhe një qëndrim që kërkonte që çështja të shkonte në gjyq. Ndërkohë që gjatë gjyqit vjen edhe një urdhër i tretë që përjashton një nga prokurorët nga ndjekja e çështje…Një organ me disa qëndrime që vijnë për shkak të dhunës politike. Partia ka paguar para që kanë ardhur nga buxheti i saj dhe që i ka deklaruar në KQZ. Le t’i turpërojmë këta prokurorë që arrijnë të thonë “fallsifikim me mosveprim”. Është një akuzë që një studenti t’ia thuash…që fallsifikim me mosveprim, a mund të ketë logjikë normale ta pranojë?

Që nga ardhja në detyrë e Arta Markut e deri më sot, PS-ja e ka përqendruar sulmin mbi gjykatat duke u ndalur te prokuroria vetëm te rasti i Durrësit. Është thuajse e papranueshme të dalësh me këshilla urdhëruese për KLP-në dhe KLGj-në tani që ka një vendim gjykate. Sepse i mbetet organit të akuzës që të apelojë dhe ndjekë procedurën.

Është interesante këtu të merret në shqyrtim sjellja e kësaj partie. Nuk pati ndonjë reagim për vendimin e marrë ndaj Sajmir Tahirit që u dënua me 3 vjet shërbim prove. Nuk ka ndonjë reagim për faktin se prokuroria po zvarrit dosjen për Orest Sotën dhe nuk ka asnjë shqetësim për kryebashkiakët socialistë që kanë nga 4-5 emra dhe dalin të dënuar për trafiqe dhe akte dhune. Kjo konsiderohet përgjegjësi personale dhe shqyrtimi ligjor i tyre çështje e prokurorisë.

Partia Socialiste e shfrytëzoi në maksimum marzhin e shantazhit me emrin Vetting dhe sot sërish akuzon prokurorët si fajtorë pse ngatërruan procedurat. Ky nuk është rast i izoluar. Kjo është simptoma karakteristike e një pushteti që bën letrat pasi ka bërë aktin, që vendos me tuiter dhe Facebook dhe pastaj gjobat ua rras fondeve publike. Këto vendime ndodhin pikërisht sepse pushteti provokon aksidente juridike që i shërben pas përballjeve dhe nevojave politike. Ndaj kjo drejtësi është faturë jo e korrupsionit, më shumë sesa e papërgjegjshmërisë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.