Irani godet tre vend dislokime të ShBA në Irak

Irani ka nisur valën e parë e asaj që e quan hakmarrje për vrasjen e kreut të forcave speciale Quds, Qasem Soleimani. Mediat raportojnë se në orët e para të së mërkurës baza amerikane në Irak janë goditur me rreth 35 raketa balistike dhe përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Garda Revolucionare Iraniane.
Sipas raportimeve të para thuhet se nën goditje kanë qenë bazat në Camp Taji, dislokimet amerikane në Erbil dhe baza Ayn al-Asad ku strehohen trupat amerikane në Irak.
Bëhet e ditur se Irani ka ngritur në ajër avionët ushtarakë që po patrullojnë kufirin shtetëror mes të dyja vendeve. Nga ShBA janë përcjellë qëndrimet e para. Sekretari i Mbrojtjes, Marc Esper ka deklaruar se po vlerësohen pasojat e sulmeve dhe mandej do të vendoset për kundërpërgjigjen. Po kështu presidenti amerikan është informuar mbi atë që po ndodh dhe sipas zëdhënësvepër shtyp situata po momitorohet.
Pala amerikane ndodhet në një vështirësi më tepër politike pasi trupat e saj qëndrojnë tashmë në Irak jashtë misionit dhe miratimit të Parlamentit të vendit që ka kërkuar largimin e tyre. Po kështu Parlamenti iranian votoi dje paradite një mocion që e shpall si terroriste ushtrinë amerikane duke përkufizuar kështu tek ajo një objektiv luftarak permanent. Paralelisht me këtë, parlamenti iranian votoi akordimin e 200 milionë dollarëve për forcat Quds që drejtonte Soleimani duke parlajmëruar se mekanzimi i destabilizimit të rajonit mund të vihet shpejt në lëvizje. Forcat Quds janë instrumenti i mobilizimit të Hezbollahut, Hamasit, hutit në Jemen dhe mbështetje thelbësore për regjimin e Asad në Siri.
Irani ka deklaruar se do të hakmerret në objektiva ushtarakë dhe në fakt po vepron në atë drejtim. Nga kjo pikëpamje të dyja vendet mund të jenë në gjendje konfrontimi, por është e vështirë të mendohet kalimi prej Teheranit në sulme ndaj civilëve.
Kjo për arsye se përballja mes të dy vendeve po zhvillohet edhe në nivel propagandistik ku vlen shumë gabimi i kundërshtarit. Një sondazh i Reuters përcjell një fotografi të situatës në ShBA rreth kësaj që po ndodh. 53% e të rriturve nuk e mirëtojnë mënyrën sesi Trump po sillet me Iranin, që është një shifër 9% më e lartë sesa në muajin dhjetor. Megjithatë kjo nuk e ka prekur pozitën e Trump si president pasi sipas sondazheve ai qëndron në një perceptim, por politika e tij ndaj Iranit mund të ndikojë.
Add new comment