2020 vjen me një ngushëllim për shqiptarët. OSBE-ja drejtohet nga Edi Rama

Postuar në 02 Janar, 2020 15:39
Skerdilajd Zaimi

 

Në datën 1 janar kryetari i ri i OSBE-së Edi Rama, ka adresuar ato që i quan prioritete të kryesisë shqiptare. I pashëruar nga inflacioni i vizioneve, zoti Rama ka parashtruar si të tilla përmbushjen e koncepteve të OSBE-së për sigurinë si zgjidhja dhe negociimi i konflikteve, moitorimi i reformave, përmirësimi i klimës së sigurisë dhe forcimi i dialogut.

Shqipëria hyn kështu në derën e politikës së madhe teksa përmes kryeministrit të saj ka në dorë altoparlantin e OSBE-së për të folur për p.sh për krizën në Ukrainë – ndër më sfidueset në Europë dhe si të tilla zgjidhja e tyre do të jetë siç tha z. Rama “në krye të axhendës së kryesisë shqiptare”. Kush mund ta besojë se kjo është reale dhe ka ndonjë vlerë serioze? 

Nuk mund të mos shohësh sesi erozioni i besueshmërisë që ka mbërthyer insititucionet ndërkombëtare ka arritur kufijtë e talljes teksa në krye të një entiteti si OSBE vijnë shqiptarët dhe Edi Rama, që janë dëshmuar të paaftë në mënyrë kronike të zgjidhin konfliketet në vendin e tyre. Grotesku arrin kulmin kur për këto gjëra flet një njeri që për çdo gjë që ndodh në vendin që ai drejton, sjell si alibi BE-në dhe SHBA-në si të vetmet kredenciale për të imunizuar politikat e tij të vëna në diskutim dhe të cilat minojnë vazhdimisht stabilitetin e vendit. Do të pranohej një gjë e tillë nëse do të kishim të bënim me teknicienë sepse ata thirren për aftësitë e tyre, por këtu kemi të bëjmë me një politikan që është bërthama e krizave ciklike - edhe kushtetuese madje - në vendin e vet. 

Fjala e z. Rama nuk i lë pushim askujt që pasi është nginjur në natën e ndërrimit të viteve do të qeshë ca për të tretur ushqimin. Pas sfidave të sigurisë, ai ka premtuar se do të merret serozisht me korrupsionin që sipas tij gërryen bazat e “demokracive tona”. Zoti Rama pretendon se Shqipëria është demokraci, kur ajo ndërkombëtarisht është quajtur demokraci hibride. Dhe ndoshta ka harruar se Shqipëria është de facto bazë eksperimantale e korrupsionit që qeveris. Ose nuk e ka parë ndonjëherë si të tillë veçse si repertor për të akuzuar të shkuarën. 

Mos vallë do prezantojë normat e vettingut edhe në vendet anëtare të OSBE-së, për ta renditur këtë si zë më vete në eksportet e shtuara të Shqipërisë? Mbetet për t’u parë, por një Shqipëri zhelane, e vjedhur dhe bastisur nga qeverisje si këto që kemi aktualisht është diçka shumë më serioze për t’u konsideruar nga qytetarët e vet, sesa mund të jetë një OSBE nën drejtimin e z. Rama(kjo është fare e pabesueshme). Në fund të fundit Shqipëria e bandituar nga qeveritë e "drejtorëve që po na nxjerrin bojën" të bën të qeshësh me dhimbje, OSBE-ja e drejtuar prej njerëzve të provuar në drejtim si z. Rama – duke pranuar gjithësesi se e ka seriozisht detyrën që ka marrë – të bën për të qeshur aq sa të ngushëllon. Fundja, fundin po e prekin të gjithë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.