Po vjen online...një llaf goje
Mediat qeveritare njoftojnë sot se duke nisur që nga 1 janari 2020 75 shërbime të reja të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të forohen vetëm elektronikisht. Në listën e shërbimeve përfshihen check up, ndihma ekonomike për individë dhe një sërë rezervimesh të ndryshme për vizita të specializuara.
Lajmi në fjalë është propagandistik dhe ka natyrë sensacionale sepse nuk i përgjigjet të vërtetës.
Së pari një numër jo i vogël shërbimesh të kësaj ministrie, si rezervimet apo rekomandimet kryeshin online, apo ishin testuara si të tilla. Dhe vërtet rezervimi online nuk është se nuk ndihmon, pasi shmang shumë kokëçarje. Por është një gjë të kryesh ekzaminimin pa pritur në radhë dhe tjetër gjë të marrësh përgjigjen e tij.
Kush bredh spitaleve publike e di shumë mirë se mes tezgës së lajmeve zyrtare dhe realitetit ka diferencë. P.sh për një ekzamimin të duhet interpretimi i mjekut përkatës. Për një mamografi ta zëmë kërkojne 12 ditë kohë dhe do të duhet të ta bëjë mjeku përkatës që i takon zonës tënde. Pra burokracia është aty dhe nuk lëviz. Çështja është se sot Ministria e Shëndetësisë nuk ka personel që t’i përgjigjet në kohë fluksit të kërkesave dhe të kryejë punën sa më shpejt. Është një torturë psikologjike për këdo që ka marrë rekomandim nga mjeku për një ekzaminim dhe do t’i duhet të presë me ditë të tëra përgjigjen duke vuajtur dyshimin e tmerrshëm se ka një gjë apo një tjetër.
Çështja tjetër është se ky mekanizëm korrigjues që prezanton teknologjinë online nuk vjen në përputhje me nivelin e përgjithshëm të përdorimit të saj, një situatë për të cilën sigurisht që nuk mban përgjegjësi Ministria.
E fundit është sfida e sistemit teknologjik dhe mirëmbajtjes së tij. Kemi parë se jo rrallë sisteme të ngjashme qeveritare siç janë ato që kanë të bëjnë me pagesat dhe bilancet nuk përgjigjen në kohë reale në datat zyrtare të dorëzimit të tyre duke tradhëtuar seriozitetin e pretenduar në investime të tilla.
Dikur edhe qeveria Berisha u mburr se me disa dhjetëra miliona euro dixhitalizoi Qendrën Kombëtare të Biznesit duke mundësuar që çdo veprim I subjekteve tatimore të reflektohej automatikisht aty. E vërteta doli krejt ndryshe. Subjekte që aplikonin p.sh për pezullim NIPT-i, apo mbyllje vijonin t’u gjeneroheshin detyrime dhe gjoba nëse nuk do të deklaronin në sportel aktin e kryer.
Ky është dixhitalizimi alla shqiptarçe.
Add new comment