Dialogu Kosovë - Serbi nuk mund të relativizohet nga minifundi i Minishengenit
Ka një nxitim dhe shqetësim të madh në qarqet e pushtetit në Tiranë për të korrigjuar perceptimin publik mbi atë që po ndodh me nismën e Shengenit ballkanik. Përpjekja tinzare synon ta shndërrojë izolimin e Kosovës në vetëizolim dhe politikë qorre të Prishtinës zyrtare. Komedia po arrin deri aty saqë i sugjerohet në mënyrë arrogante palës kosovare të shohë se sa herë që Kosova mungon në nisma rajonale, kjo i jep mundësi Serbisë të deklarojë se Kosovën e përfaqson ajo. Një gjë krejt e pavërtetë.
Prishtina zyrtare ka arsye reale për të refuzuar nismën rajonale të Serbisë në të cilën kryeministri i Shqipërisë po sillet si protagonist i historisë. Edhe në qoftë kështu, minishengeni mund t’i vlejë Shqipërisë si një politikë imazhi për hapjen e negociatave duke iu përgjigjur deri diku pretendimeve franceze për reformim përpara zgjerimit, por pa qenë kjo politikë franceze. Por pse kjo duhet t'i leverdisë Kosovës?
Biznesi kosovar ka kundërshtuar, politika po ashtu. Dhe në të vërtetë pjesëmarrja e saj në këtë nismë do të relativizonte vlerën e dialogut dypalësh me Serbinë brenda të cilit kjo e fundit nuk është komode. Sidomos tani që opsioni i shkëmbimit tëbk territoreve ra. Serbia, herët apo vonë do të ulet me Kosovën në një dialog të mbikëqyrur, por firma e kësaj të fundit në deklaratën e Samitit të fundit do të zhbënte marzhin e manovrës në negociata me Beogradin. Pasi përpara se të dakordësohet qarkullimi i mallrave duhet ndarë kufiri. Dhe ky kufi është shtetëror.
Le të mendojmë për një moment sikur pas pjesëmarrjes për figurë në Samit, Kosova të rikthehet në dialog me Serbinë aty ku ai është lënë: te taksa dhe asosacioni. A nuk do të ngrinte atëherë Serbia pretendimin se Kosova ndjek politikë të dyfishtë dhe cenon frymën e bashkëpunimit rajonal? Dhe në këto kushte, a nuk do kërkonte Tirana zyrtare një rol ndërmjetësi?
Është e qartë se Minishengeni në kushtet e tanishme mund të kthehet në kurth për Kosovën dhe pozitën e saj negociuese. Kjo kuptohet fare qartë dhe një ndër arsyet se pse nisma mbiu pa njoftuar në Novi Sad është pikërisht kjo: të detyrohej Prishtina të bashkohej për shkak të befasisë.
Atyre që sot po rënkojnë për festën e prishur të liderit historik të Tiranës duhet të kuptojnë dhe e kuptojnë se me mospjesëmarrjen në nismë Kosova nuk humbet gjë pasi ajo ka objektiv të qartë zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Serbinë. Por edhe ripërkufizimin e marrëdhënieve me Shqipërinë me të cilën vuan përherë pasojat e pabesisë.
Të kompleksosh sot Kosovën thjesht sa tradhëton frikën e një politike pa objekt real, që është zhurmë më shumë sesa zhvillim dhe të kërkosh të parandalosh një bllof që do të aktualizohet në terrenin real ballkanik sapo dialogu dypalësh të rinisë. Tirana mund të firmosë çdo letër që i vënë përpara. Kjo nuk çudit më njeri sepse dihet se çfarë përfaqëson ajo dhe politika e saj në arenën rajonale dhe ndërkombëtare.
Re.Pu
Add new comment