Arrestohet biznesmeni i njohur për vrasjen e gazetares Dafni Galizia
Policia e Maltës ka arrestuar një nga biznesmenët më të njohur të vendit për vrasjen e gazetares Dafni Caruana Galizia, e cila kishte qenë e përfshirë në një investigim mbi Panama Papers.
Sipas Reuters, biznesmeni Jorgen Feneh u arrestua pasi policia gjeti jahtin e tij në brigjet e Maltës. Arrestimi i tij erdhi një ditë pas njoftimit se i dyshuari si ndërmjetës në vrasjen e gazetares në vitin 2017, kishte rrëfyer të dhëna të rëndësishme për hetimin dhe personin që kishte urdhëruar eleminimin e Galizias
Biznesmeni Fenneh është menaxher dhe bashkëpronar i një grupi ndërmarrjesh që në vitin 2013 kishin siguruar nga shteti Maltez një privilegj të madh në sektorin e energjisë për ndërtimin e një fabrike gazi.
Në shkurt 2017, tetë muaj para atentatit, Galizia kishte shkruar në blogun e saj për një kompani misterioze në Dubai të quajtur 17 Black Limited, e cila, sipas saj, kishte lidhje me politikanët maltezë Megjithatë, ajo nuk kishte publikuar asnjë provë. Gazetarja nuk kishte arritur të zbulonte se kush ishte pronari i kompanisë. Një hetim i Reuters më vonë identifikoi si pronar të saj, Jorgen Feneh.
Sipas një emaili të dërguar në dhjetor 2015 që ishte zbuluar nga autoritetet rregullatore, kompanitë sekrete në Panama në pronësi të ministrit të atëhershëm të Energjisë, Conrad Mitch dhe zyrtarit të qeverisë Keith Sebri, do të merrnin pagesa nga 17 Black Limited për ofrimin e shërbimeve të panjohura.
Email-i thoshte që kompanitë në Panama po prisnin pagesa deri në dy milion dollarë, brenda një viti, nga 17 Black Limited. Zyrtarët e qeverisë dhe Fenneh kishin mohuar që të kishte një ndërlidhje mes tyre ose që biznesmeni të paguante para për persona politikë të lidhur me kompaninë.
Add new comment