Kriza e përjetshme shqiptare

Postuar në 20 Nëntor, 2019 12:49
Robert Thomanikaj

  

Është jo thjesht për të ardhur keq, por mjaft për tu shqetësuar, kjo ngritje e re e amplitudës së krizës politiko-juridike në Shqipëri. Pamja më e dukshme e kësaj krize është ajo e neutralizimit të postit të presidentit, post ky i cili duket se po mbahet më së tepërmi nga Ilir Meta dhe jo nga figura e Presidentit si e tillë. Nga gjithë kjo del se legjislacioni shqiptar 1) ose nuk i ka saktësuar shumë gjëra dhe i ka të paqarta, 2) ose ai ka kontradikta mes neneve të tija, 3) ose ai ka edhe mangësi edhe paqartësi. Me ç’po dëgjojmë në shumë raste të këtilla krizash, ku sejcila palë akuzon tjetrën në bazë të nenit x, paragrafit y, të Ligjit 401 për Karrocat e Prishura, apo Ligjit tjetër për Koren e Zezë të Bukës, mund të konkludosh me qetësi, se ky legjislacion shqiptar është një xhungël dhe labirinth, ku hyhet por nuk dilet më dot prej tij.

   Tani të merremi me problemin se kush e bëri, apo kush na i dhuroi këtë Legjislacion, apo të aludojmë se kemi të bëjmë me ndonjë tallje të miqve tanë të rinj perëndimorë me Shqipërinë, apo-apo të mendojmë se kemi të bëjmë me tentakula të vënies së Shqipërisë nën një diktat të ri anglo-sakson, kjo jo vetëm nuk do ta zgjidhte problemin për të cilin po flasim, por me ligjet e reja amerikane dhe ndërkombëtare, si dhe me firmosjen e disa kontratave dhe marrveshjeve midis shteteve, i bie që një aludimi dhe mendimi të tillë ti përgjigjet arrestimi ynë dhe dërgimi me pranga në duar në qelitë e shtetit amerikan, siç –bie fjala– pritet të shkojë edhe australiani Juxhilien Asanxhi (Julian Asange). Pra, është e nevojshme të rishikojmë këtë legjislacion dhe ta ribëjmë atë, në mënyrë që shteti i të ardhmes të funksionojë panvarsisht prezantimit subjektiv të sejcilit funksionar shteti. Duke filluar nga Ligji Themeltar, që është Kushtetuta dhe e cila duhet (po e përsëris: DUHET) të lexohet-diskutohet-aprovohet nga të paktën 2/3 e popullsisë shqiptare mbi 18 vjeç, dhe vazhduar pastaj me Kodet e veçantë, të cilët duhet të jenë në mënyrë të tillë të plotësuar, që të mos lënë fushë të gjërë veprimi për nxjerrje Ligjesh të veçantë, të cilët –këta të fundit– janë më së shumti urdhëra qeveritarë, siç dhe i kemi parë me një duzinë të tillë këto vjetët e fundit.

    Ky legjislacion nuk kishte si të lejonte këtë konflikt interesi, që dallon qartë sot, ku si president i vendit u zgjodh një kryetar partie (Ilir Meta), ndërkohë e shoqja e tij (Monika Kryemadhi) mori, apo vazhdoi, kryetare e partisë së lënë nga i shoqi. Ata që e zgjodhën (deputetët) përpiqen sot ta heqin këtë president, një veprim ky ku sërish dallon një konflikt interesi, pasi nuk bëhet fjalë për gabime të tilla të presidentit, të cilat kanë dëmtuar interesat e vëndit dhe shoqërisë, por bëhet fjalë për interesa partie, egoje personale, apo ndoshta kemi të bëjmë me ndonjë film të kurdisur nga vetë këto palë konfliktuale për interesa nga më të ndryshmet, private dhe kombëtare, por që sidoqoftë kanë efekt negativ në drejtimin e shtetit dhe prezantimin e tij në sytë e opinionit të brendshëm e të huaj. Këto konflikte interesi të kokave lart (Edi Rama dhe Ilir Meta) kanë nisur të përhapen po si konflikte interesi edhe nëpër struktura të tjera të shtetit, ku tashmë po shohim se si një kryetar (Dvorani) i një kolegjiumi të caktuar (Këshilli i Emërtimeve në Drejtësi) bën makinacione në proçedurat e emërtimeve të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, një ministre Drejtësie justifikon nëpër intervista televizonesh punën e këtij kryetari dhe të strukturave të tjera të shtetit, vetë presidenti i vendit ngre padi në prokurori ndaj këtij kryetari të KED. Dhe konflikti i interesit është zgjeruar kështu në shkelje ligjesh, po zgjerohet më tej nëpër instancat e tjera të shtetit, –fundin e tij nuk e dimë.

   E gjithë kjo amplitudë e ngritur krize shtëtërore, siç dhe amplitudat e tjera të saj, i ka rrënjët thellë në histori. Por do të zgjateshim shumë e mund të humbnim fillin e problemit aktual me diskutime të pafundme, nëse do ti hynim historisë thellë. Nuk është e nevojshme as deri tek perandoria e sëmurë osmane të shkojmë, pjesë e së cilës mbetëm deri në fund, për të pasur kështu pasoja të pakëndshme deri më sot. Nuk është e nevojshme as nëse ndalemi tek izolimi 40 vjeçar “socialist” i vendit, i cili zhduku shumë norma demokratike. Nuk është patjetër e nevojshme të merremi as me të gjitha gabimet e këtyre 30 vjetëve tranzicion, –shembulli më i keq ndër të gjitha vendet europiane post-“komuniste”.

   Duhet të shikojmë çfarë ndodhi këto muajt e fundit. Dhe dallojmë se kriza “nisi” me dekretin e presidentit për anulluar zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019 dhe shtyrjen e tyre në tetor. A e ka të drejtën presidenti të caktojë, anulojë dhe ricaktojë datën e zgjedhjeve? Ai e ka këtë të drejtë, ndonëse kjo nuk është tërësisht e saktë. Gjë e cila duhet riparuar në legjislacion. Por edhe pa këtë saktësi të kulluar legjislative, duke u nisur nga llogjika, se këtë të drejtë nuk e ka tjetër funksionar i shtetit, i bie që presidenti të anulojë dhe ricaktojë një datë tjetër. Argumenti i qeverisë, se tashmë ishin bërë gjithato pregatitje për zgjedhjet lokale, nuk përbën Ligj. Edhe argumenti tjetër, se ky fenomen mund të përsëritet, gjithashtu kjo nuk përbën Ligj mbi dekretin e presidentit, por përbën një argument në favor të diskutimit për saktësimin e neneve, që duhet të përcaktojnë qartë shtyrjen e zgjedhjeve.

   Pra, dy dekretet e njëpasnjëshme të presidentit për anulimin dhe shtyrjen e zgjedhjeve duheshin respektuar nga ana e qeverisë dhe forcave politike në Pushtetin Qëndror dhe atë Lokal, panvarsisht se ato ishin kundra këtyre dy dekreteve, panvarsisht se ato e konsederonin gabim shtyerjen e zgjedhjeve. Duke respektuar këtë dekret presidencial, forcat e mazhorancës do të tregonin në radhë të parë se ato ishin për ndërtimin e shtetit dhe jo shkatërrimin e tij, kështu ato edhe do të kishin më shumë shance në fitimin e votave të zgjedhësve në ditën e shtyrë të zgjedhjeve.

   Ky mosrespektim i dekreteve shtetërorë të presidentit, kjo sjellje prej kaubojsësh të qeveritarve të lartë të qeverisë, bëri që në zgjedhjet e anuluara të 30 qershorit të shkonin për votime rreth 15-20 % e të gjithë zgjedhësve! Pra, vetë populli respektoi ligjet e shtetit, të cilat i shkeli kryeministri me qeverinë e tij! Populli në këtë rast, që duhet pohuar se sot nuk kemi ndonjë popull me dije dhe kulturë juridike, u tregua më i pjekur nga vetë ata që duhet të kenë dije dhe kulturë juridike!

    Sjellja prej kaubojsish e disa qeveritarve tanë dhe kriza e nisur habiti mjaft prej të huajve të thjeshtë, të cilët deklaruan në shtyp, se kjo çfarë po ndodhte ishte e paimagjinueshme nga ‘ta, se kjo që po ndodhte paralajmëronte diçka jo e mirë për Shqipërisë. Ndërsa sjellja e emisarve zyrtarë europianë dhe amerikanë ishte jo vetëm e paqartë dhe me ekuivoke, jo vetëm me aludime për mbështetjen e zgjedhjeve të anuluara, por në ndonjë rast edhe me dy fytyra, herën e parë në mbështetje të zgjedhjeve të anuluara dhe herën e dytë për gabimin e mos-respektimit të dekreteve presidencialë. Kjo gjë çoi në kontaktimin me Komisionin e Venecias, në anën tjetër në përpjekjen e një grupi deputetësh për ti hequr imunitetin presidentit.

Tashmë gjënda ka arritur deri aty ku, në proçesin e zgjedhjes së kandidatëve për GjK, presidenti dallon shkelje ligjore të kryetarit të KED, dhe për këtë, në vend që të bëjë vetëm Njoftim në organet kompetente (në Prokurori ose në Gjyk. Adm.), siç është e natyrshme dhe e zakonshme në këto raste, ai bën vetë padi penale, pasi shkeljet ligjore të bëra nga ky kryetar kanë ndikuar edhe në punën e presidentit për zgjedhjen e një pjese të këtyre kandidatëve. Me një fjalë, në vend që presidenti ta ketë vëmëndjen në probleme më madhore të vendit, ai hyn kështu në një proçes degradimi të zyrës së tij! Dhe ky degradim ka përfshirë edhe parlamentin, edhe zyra ministrore të ndryshme, edhe vetë zyrë kryeministrore, që po udhëheq krahun anti-Meta. Pra, ne (apo specialistët e huaj) kemi ngritur një legjislacion të tillë, ku kemi degradim të zyrave të caktuara të shtetit, një legjislacion që i hedh këto zyra dhe personat pas tyre kundra njëri-tjetrit, një legjislacion që nuk ndihmon në zhvillimin e gjithanshëm të vendit, por në bllokimin e këtij zhvillimi! 

 Ne po vërtitemi në një rreth vicioz dhe ka mundësi të mos dalim më prej tij! Përveç dëmit të brendshëm, vendi ynë dëmtohet edhe në imazhin e tij të jashtëm. Padashur dëmton edhe interesat e shqiptarve në vendet fqinje. Ndaj ka ardhur koha të mos merremi me Edi Ramën dhe Ilir Metën, por të merremi me saktësimin dhe plotësimin e legjislacionit. Kjo është detyrë jo vetëm e stafit juridik në Shqipëri, por edhe e njerëzve të thjeshtë, të cilët më 30 qershor treguan se respektojnë një shtet të ligjeve, e të cilët duhet po ashtu të tregojnë se në hartimin-diskutimin-aprovimin e një kushtetute nuk kanë pse të shmangen, siç u shmangën në ndryshimet e pafundme të kësaj Kushtetute aktuale nga “specialistët” juridikë të vendit dhe ata të ardhur nga vendet e ashtuquajtura demokratike! 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.