Italia propozon komsion dypalësh për problemet e biznesit italian me administratën shqiptare
Qeveria shqiptare dhe për më tepër administrata janë gjithmonë e më pak të besueshëm tek partnerët dhe në veçanti te investitorët e huaj. Këtë shqetësim kryeministri italian Giussepe Conte e ngriti në vizitën që pati në Tiranë dhe pa kaluar pak javë e materializoi me krijimin e një komisioni të përhershëm dypalësh që do të marrë në shqyrtim problematikat më kryesore dhe kundërshtitë që ekzistojnë midis ndërmarrjeve italiane dhe administratës shqiptare. Conte e theksoi këtë në konferencën që pati me zotin Rama në Romë, pasditen e kësaj të enjte.
“Kemi vendosur të krijojmë një komision ekonomik të përhershëm dypalësh, për të gjetur mundësi të tjera për investime ekonomike në Shqipëri nga ana e ndërmarrjeve italiane, duke marrë në shqyrtim dhe problematikat më kryesore dhe kundërshtitë që ekzistojnë midis ndërmarrjeve italiane dhe administratës shqiptare. Ky mund të jetë një instrument për të ndihmuar ndërmarrjet tona që kanë dëshirë ta fuqizojnë praninë e tyre në Shqipëri, të investojnë më shumë dhe më mirë dhe nëse kanë ndonjë shqetësim lidhur me edhe ato aspekte negative që kanë dalë në pah edhe vitet e fundit, që mund të krijojnë një pengesë për investime të mëtejshme italiane në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare, duke filluar nga turizmi, infrastrukturat dhe energjia”- deklaroi Conte.
Ai tha se me qeverinë shqiptare do të vlerësohet edhe mundësia për marrëveshje të mëtejshme edhe në fushën e pensioneve. Ndërsa kryeministri Rama lajmëroi se në javët e ardhshme do të hapim një tender ndërkombëtar për Aeroportin e Vlorës dhe më vjen mirë që shumë grupe italiane kanë shprehur interes në këtë vazhdimësi të përbashkët. Conte ishte i pari nga ndërkombëtarët që i kërkoi publikisht qeverisë shqiptare t’i propozojë opozitës një platformë bashkëpunimi për zgjidhjen e krizës Të njëjtin apel kreu i qeverisë italiane e bëri edhe nga Roma ku priti për vizitë kryeministrin Rama.
Add new comment