Po vjen Palmer...

Postuar në 01 Shtator, 2019 17:00

Caktimi prej Departamentit Amerikan të Shtetit i Mathew Palmer si Përfaqësues i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, është përcjellë si një lloj fitoreje apo lajmi i mirë nga qarqet pranë pushtetit në Tiranë. Edhe ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj e cilësoi atë shenjë të vëmendjes që SHBA po kthen drejt rajonit dhe si një mundësi që konfliktet të zgjidhen.

Ky lloj qëndrimi dëshmon për nivelin e impotencës që karakterizon politikën shqiptare dhe atë ballkanike në përgjithësi. Më tej akoma, Palmer pritet të angazhohet në zgjidhjen apo negociimin e problemeve të tilla si dialogu Serbi-Kosovë, por referimi përherë e më tepër në adresën amerikane, priret të anashkalojë institucionet europiane.

Konkretisht Palmer, një zyrtar i dorës së dytë që caktohet për një rajon të dorës së dytë do të duhet të menaxhojë një situatë jo të lehtë, në funksion të integrimit të vendeve të rajonit në institucione europiane. Mirëpo tanimë që KE-ja drejtohet nga Gjermania ngjan disi problematike që punën ta kryejnë amerikanët dhe BE-ja thjesht të hapë derën për vende që janë bërë gati nga SHBA.

Më tej akoma, duket qartë objektivat eventuale të Palmer minohen nga qëndrimet e presidentit të tij që është shprehur hapur kundër NATO-s dhe bashkëpunimit pa fitim në përgjithësi. Detyra më e vështirë e Palmer me gjasë është bindja e Serbisë që të heqë dorë nga politika e neutralitetit ushtarak për të hapur rrugën drejt anëtarësimit në NATO. Kjo do ta bënte shumë më të lehtë procesin e imponuar të pajtimit me Kosovën dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje mes të dy vendeve. Por si do ta bëjë Serbia një gjë të tillë kur në fakt marrëdhëniet ekonomike kanë të tjera drejtim? Dhe si do të pajtohet ky rol i shumëpritur i këtij zyrtari me Procesin e Berlinit që është organizuar nga Gjermania?

Është e vërtetë që Marrëveshja e Prespës u ndikua nga SHBA, por këtu ka një dallim të madh. Së pari në raport me Greqinë, SHBA ka kohë që ka shprehur interes të thellë ekonomik që lidhet ngushtë me rezervat e gazit në detin Egje. Maqedonia ishte asgjë më shumë sesa një ushtar në këtë lojë dhe sot shohim që Shkupi zyrtar po i lutet Brukseslit që ta shkëpusë nga Shqipëria në procesin e negociatave me BE-në. Çka do të thotë se përmbushja e kërkesave amerikane në drejtim të sigurisë, nuk nënkupton hapje dyersh automatikisht në Europë.

Sa për Shqipërinë ky lloj celebrimi është komik dhe nuk kuptohet se nga vjen përveçse nga disa qëndrime të z. Palmer kundër opozitës në kohën e protestave. Nëse z. Palmer do të ishte ai që sot duan të na e shesin ai do të duhet ta përkufizojë Shqipërinë se çfarë vendi është, duke hequr përrallën idiote se SHBA dhe Shqipëria janë partner strategjikë.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Shume analize me vend. Mjafton te jete amerikan dhe per shqiptaret eshte jete ne prag te vdekjes. Qe te gjithe do te shkojne e pergjerohen tek Palmeri, do te spiunojne e shajne njeri tjetrin njesoj si dikur tek Partia.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.