Debati etik mbi përdorimin e një “thesari” që la pas një neurolog nazist

Postuar në 30 Gusht, 2019 19:35
Keiligh Baker

 

Kur kirurges nervore dr. Susan Mackinnon iu desh ndihmë për të përfunduar një operacion, ajo arriti të gjente, siç ndodh shpesh, një libër të anatomisë së mesit të shekullit XX. Falë ilustrimeve komplekse të vizatuara me dorë – që e tregojnë trupin e njeriut shtresë pas shtrese - Dr Mackinnon, nga Universiteti i Uashingtonit në St Louis, arriti ta çonte në fund procedurën. Libri që ajo kishte përdorur, Anatomia Topografike e Njeriut, që tingëllon e pafajshme, konsiderohet gjerësisht si shembulli më i mirë i vizatimeve anatomike në botë. Është më i pasur në detaje dhe me ngjyra më të gjalla se çdo tjetër.

Lëkura, muskujt, tendinat, nervat, organet dhe kockat janë paraqitur grafikisht në detaje. Është një libër që nuk u këshillohet atyre me zemër të dobët. Por libri, i referuar shpesh si Atlasi i Pernkopf-it, nuk është më në shtyp dhe një variant i dorës së dytë - ka disa vëllime - mund të shitet për mijëra paund në internet. Megjithatë, përkundër çmimit të lartë, shumë pak do ta shfaqnin me krenari në klinikën, bibliotekën ose shtëpinë e tyre. Kjo për shkak se gjetjet e librit vijnë nga trupat e qindra njerëzve të vrarë nga nazistët. Janë pikërisht trupat e tyre - të prerë dhe të copëtuar - që tregohen nëpër mijëra faqe. Kritikët thonë se libri është njollosur nga e kaluara e tij e errët dhe shkencëtarët e kanë parë këtë si një problem etik kur vjen fjala te përdorimi i tij.

Dr Mackinnon thotë se nuk ndihet rehat me origjinën e librit, por përdorimi i tij është element thelbësor i të qenit një "kirurg etik" - dhe se ajo nuk mund të bëjë punën e saj pa të. Rabini polak Joseph - një i mbijetuar i Holokaustit dhe profesor i të drejtës shëndetësore - beson se libri është një "enigmë morale" sepse rrjedh nga "e keqja e vërtetë, por mund të përdoret në shërbim të së mirës".

Libri ka qenë një projekt 20-vjeçar i nazistit dhe doktorit të shquar, Eduard Pernkopf, i cili u ngrit në radhët akademike në Austri falë mbështetjes së tij për partinë e Adolf Hitlerit. Kolegët e tij e përshkruanin si një socialist nacionalist "të zjarrtë", i cili, nga viti 1938 e veshi uniformën naziste për të punuar çdo ditë.

Kur u bë dekan i shkollës mjekësore në Universitetin e Vjenës, ai shkarkoi të gjithë anëtarët hebrenj të fakultetit, përfshirë tre laureatë të çmimit Nobel. Në vitin 1939, një ligj i ri i Rajhut të Tretë bëri të mundur që trupat e të gjithë të burgosurve të ekzekutuar të dërgoheshin menjëherë në departamentin më të afërt të anatomisë për qëllime kërkimore dhe mësimore.

Gjatë kësaj periudhe Pernkopf ka punuar 18 orë në ditë duke shpërbërë kufomat, ndërsa një ekip artistësh krijuan imazhe për librin e tij. Ndonjëherë instituti i anatomisë ishte aq i zënë, saqë ekzekutimet duhej të shtyheshin. Dr. Sabine Hildebrandt, nga Shkolla Mjekësore në Harvard, thotë se të paktën gjysma e 800 imazheve në atlasin mjekësor vijnë nga të burgosurit politikë. Ato përfshinin meshkuj gei dhe lezbike, ciganë, disidentë politikë dhe hebrenj.

Në pjesën e parë të atlasit, botuar në vitin 1937, nënshkrimet e ilustruesve Erich Lepier dhe Karl Endtresser përfshijnë edhe kryeqin e thyer si simbol i nazizmit dhe SS. Edhe botimi në gjuhën angleze me dy vëllime i vitit 1964 përfshin firmën origjinale, përfshirë simbolet naziste. Botimet e mëvonshme i kanë fshirë shenjat naziste.

Mijëra kopje të këtij atlasi janë shitur në të gjithë botën dhe ai është përkthyer në pesë gjuhë. Parathëniet dhe prezantimet në libra përshkruajnë "vizatime mbresëlënëse... dhe vepra të jashtëzakonshme arti" ndërsa shmangin çdo përmendje të së kaluarës së tyre të përgjakshme. Vetëm në vitet ’90, studentët e mjekësisë dhe shumë akademikë nisën të ngrenë pyetjen se kush ishin njerëzit e vizatuar në atlas. Pasi u zbulua historia brutale, atlasi doli nga botimi në 1994. Kolegji Mbretëror i Kirurgëve thotë se atlasi nuk është në përdorim në Mbretërinë e Bashkuar, përveç mbajtjes në biblioteka për qëllime historike. Sidoqoftë, një studim i fundit nxori se 59% e kirurgëve nervorë ishin të vetëdijshëm për Atlasin e Pernkopf, dhe 13% aktualisht e përdorin atë.

Dr. Mackinnon thotë se asgjë tjetër as nuk mund të krahasohet me saktësinë dhe detajet e librit dhe është veçanërisht i dobishëm për operacione komplekse, sepse i ndihmon asaj "të kuptojë se cili nga nervat e vegjël që kalojnë përmes trupit tonë po shkakton potencialisht dhimbjen". Vitin e kaluar, rabini polak dhe historiani mjekësor, profesor Michael Grodin, përgatitën një përgjigje (një përgjigje studimore bazuar në etikën mjekësore hebraike), nëse është etik përdorimi i atlasit bazuar në përvojën e dr. Mackinnon.

Ata arritën në përfundimin se shumica e autoriteteve hebraike do të lejonin përdorimin e pamjeve për të shpëtuar jetën e njerëzve - me kushtin që t’u bëhej e njohur historia e atlasit, kështu që viktimave iu rikthehej një pjesë e dinjitetit.

"Shikoni dr. Mackinnon, ajo nuk mund të gjente nerv dhe ajo është një nga më të zonjat në këtë fushë. Pacientja i tha asaj: "Dua që të ma prisni këmbën nëse nuk mund ta gjeni". Askush nuk do që kjo të ndodhë.

"Kështu ajo kapërdiu jo pak kur u kërkoi atyre t’i sillnin atlasin e Pernkopf. Ajo e gjeti nervin brenda disa minutash për shkak të këtyre ilustrimeve.

"Ajo më pyeti, si një mendimtar moral, për situatën. Dhe unë i thashë asaj, nëse kjo do të bëjë të mundur shërimin dhe do t'u kthejë njerëzve jetën e tyre përsëri, atëherë nuk ka dyshim se atlasi mund të përdoret".

Pernkopf u arrestua pas luftës dhe u shkarkua nga puna në universitet. Ai u mbajt në një kamp aleat të burgut të luftës për tre vjet, por kurrë nuk u akuzua për ndonjë krim. Pas lëshimit, ai u kthye në universitet dhe vazhdoi punën e tij me atlasin, duke botuar një vëllim të tretë në vitin 1952. Ai vdiq në 1955, pak para botimit të një vëllimi të katërt. Më shumë se 60 vjet më vonë, atlasi është ende një nga burimet më të mira të informacionit vizual për punë të detajuar anatomike dhe kirurgjikale, sipas Dr. Hildebrandt, e cila jep leksione anatomie. 

"Shumë prej nesh kanë mësuar ta përdorin sa herë kemi pyetje. Në operacionin nervor periferik disa kirurgë e konsiderojnë atë si burim unik dhe të pazëvendësueshëm të informacionit", thotë ajo.

Por, ajo shton: "Unë personalisht nuk i përdor imazhet e Pernkopf në leksionet e mia të anatomisë, nëse nuk kam kohë të flas për historinë e saj".

Dr Jonathan Ives, profesor i bioetikës në Universitetin e Bristolit, pajtohet që atlasi ka detaje të jashtëzakonshme, por thotë se është i njollosur nga "e kaluara e tij e tmerrshme".

"Nëse ne po e përdorim atë dhe po marrim benefitet, kjo nënkupton se ne jemi disi të ndërgjegjshëm", thotë ai.

"Por gjithashtu mund të argumentohet se në rast të mospërdorimit të tij, atlasi do të humbte dhe nuk mund të përdoret si kujtesë të asaj që ka ndodhur".

Për dr. Mackinnon, atlasi mbetet një mjet jetësor - edhe pse e kaluara e tij nuk mund të harrohet kurrë. 

/BBC/TemaTv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.