Edhe Ura Vajgurore shpallet destinacion turistik!
Agjencia Telegrafike Shqiptare jep një lajm që të bën optimist se pushteti në këtë vend ecën me parimin e punës edhe në periferi. Bashkia e Urës Vajgurore ka nisur punimet për realizimin e fazës së dytë të rikualifikimit të sheshit në qendër të qytetit, njoftoi kryetarja e kësaj bashkie, Juliana Memaj, e cila shtoi se sheshi i rikonceptuar është parashikuar të lidhet me pedonalen.
Duke ju uruar një javë të mbarë, dua të ndaj me ju lajmin për nisjen e punimeve për realizimin e fazës së dytë të rikualifikimit të sheshit në qendër të qytetit midis pallateve dhe që do të ketë një integrim me pedonalen. Projekti parashikon shtimin e hapësirave të gjelbra, hapësirave shlodhëse dhe ato me kënde lojërash për fëmijë si dhe vende parkimi
shkruan ATSH.
Në fakt kjo Rilindje Urbane edhe për Urën Vajgurore me drejtim turizmin ngjan disi si pretendim ambicioz.
Në këtë zonë ndodhet kalaja e Krotinës apo qyteza ilire e Dimalit
shkruan agjencia.
Mirëpo distancat nga Ura Vjgurore me këto dy site arkeologjike është minimale me Beratin që është qytet destinacion i turizmit.
Të thuash se Ura Vajgurore do bëhet turistike është si të thuash se meqë afër Delvinës është fshati i braktisur i Kamenicës, edhe Delvina do bëhet turistike. Ndaj o burra një pedonale, një qendër, ca pemë, ndriçim, përurim dhe ja Delvina Rilindi.
Jo çdo qendër urbane quhet qytet dhe jo çdo qytet është turistik. Mund të pranohet se zona e Urës Vajgurore ka potenciale për shumë arsye, ta zëmë për agroturizëm, apo edhe për faktin se afër ka aeroportin e Kuçovës, apo edhe se lidhet me zonën e Dumresë me një rrugë panoramike. Por vetë Bashkia me gjasë duhet të ketë prioritete të tjera zhvillimi. Këto zona të fjetura dhe të lëna pas dore duhet të shikojnë ndryshe raportin ekonomik, sepse formula pedonale = turizëm nuk funksionon përherë.
Nga ana tjetër do të duhet që qeveria dhe Akademia e Shkencave të gjejë një zgjidhje edhe për emrin e qytetit. Ngjitur me Urën Vajgurore është Kuçova që dikur u quajt Qyteti Stalin. Mirëpo kjo histori emërtimesh meriton një pllakatë, sepse mund të kthehet në element interesant turistik, ndërkohë që emri Ura Vajgurore tingëllon si emër i një vendkalimi, jo vendbanimi. I cili është aq modest saqë vështirë të mendohet se duhet të jetë politikë shtetërore krijimi i pedonaleje. Kjo të kujton bulevardin “Rrapo Hekali” në Ballsh që konsiston në një rrugë të gjelbëruar, por që vështirë se mund të quhet Bulevard.
Qeveria aktuale ka krijuar precedentë për këtë gjë. Pak vite më parë, kur prezantoi reformën territoriale, shpalli një zonë të unifikuar Durrës-Tiranë të quajtur Durana. Pra një ndryshim emri ndoshta duhej konsideruar.
Add new comment