Protestë në versionin pacifist, Basha: Do t'i bëjmë realitet ëndrrat e shqiptarëve

Postuar në 21 Qershor, 2019 22:45

Opozita që ka dalë nga parlamenti vijon të demostrojë forcë numrash në terren, me një tjetër protestë në versionin pacifist. Ndryshe nga protestat e tjera ku pas fjalës së Bashës në bulevard, stafeta i kalonte Sahit Dollapit dhe armatës së tij, këtë të premte opozita nuk e bëri tym dhe flakë, duke i hequr një alibi të fortë zotit Rama që ka etiketuar vazhdimisht opozitën si të dhunshme.

Megjithatë, pjesëmarrja tregoi se nuk është vetëm një pakicë që i shkon pas opozitës siç përpiqet ta relativizojë kryeministri.

Në këtë pikë Basha u mundua të legjitimojë aktet e dhunshme në protestat e mëparshme me një alibi të pasinqertë, sepse arkat e fishekzjarreve dihet nga kanë dalë dhe ndryshimi i kursit lidhet kryesiht me presionin e madh ndërkombëtar për të mos patur dhunë.

“E vetmja mënyrë për ta mbytur këtë zhurmë ishte skenari i turpshëm i provokimit të dhunës në këtë protestë më të madhen dhe më qytetaren. Plani për të tërhequr nga skandali që sot dëgjon e tmerruar e gjithë Evropa dështoi. Tiktaku i orës së Edi Ramës po mbaron në çdo kancelari të Evropës dhe perëndimit”-deklaroi Basha.

Në fjalën e tij kreu i PD-së u ndal tek përgjimet e Bild, që sipas tij faktuan natyrën kriminale të një pushteti të dalë nga zgjedhje ilegjitime. Ai tha se Edi Rama e ka të ardhmen në burg. “Jehona e BILD, e 339, në shqip, anglisht, gjermanisht ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë. Nuk ka burrë dhe grua shteti që nuk e di çfarë banditi është kryeministri i Shqipërisë”-theksoi kreu i PD.

Megjithatë presioni nga të dyja palët duket se do të mbetet i lartë deri në fund, pasi Basha parlajmëroi betejë në çdo qytet, me një premtim që sërish e bën irracionale gjithë qasjen e opozitës dhe në veçanti të zotit Basha.

“Në çdo qytet dhe në çdo lagje ne do të mbrojmë demokracinë dhe ligjin. Jemi garancia e vetme që mbrojmë pragjet e shtëpive tona. Një projekt i thellë ndryshimi na pret. Së bashku do ta votojmë. Ju meritoni që të keni ndryshimin që keni ëndërruar në 30 vite. Shqipërinë evropiane. Së pari duhet ta çojmë deri në fund betejën tonë për largimin e së keqes”.

Nga ana organizative protesta ndoqi të njëjtin itenerar, filloi para kryeministrisë, vijoi para parlamentit dhe u mbyll të selia e PD-së.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.