Ministri serb Vulin: Na duhet kufiri me Shiptarët. Me ta kemi patur vetëm luftëra dhe mizerje
Beogradi zyrtar nuk e ka fshehur pakënaqësinë e vet për samitin e Berlinit, ku mesa duket liderët europianë nuk kanë arritur të bindin qeverinë e Kosovës që të heqë taksën 100% ndaj mallrave serve. Zyrtarët serbë po propagandojnë idenë se pas kokfortësisë së Haradinajt dhe dobësisë së BE-së fshihet projekti i Shqipërisë së Madhe. Diçka e kuptueshme në kushtet kur presidenti serb Vuçiç duhet të shpjegojë se çfarë u bë me Dialogun e Madh dhe Marrëveshjen historike me shqiptarët.
Nervozizmi apo shfaqja si nervozë ka arritur në pikën që ministri serb i Mbrojtjes, Aleksander Vulin ka bërë ditur se Serbia mund të gjejë partnerë të tjerë përveç BE-së që e trajtojnë atë në mënyrë të barabartë.
Nëse nuk na duan ka aleanca të tjera dhe kombe të tjerë që duan të bashkëpunojnë me ne në mënyrë të barabartë
është shprehur Vulin për Tv Pink. Më tej ai ka përcjellë edhe urrejtjen apo përbuzjen për shqiptarët teksa e ka cilësuar nevojën e një kufiri me ta si nevojë për të ndarë përfundimisht hesapet me një popullsi me të cilën siç tha ai serbët kanë patur vetëm luftëra.
Presidenti i Serbisë ishte i vetmi në atë takim që kishte një politikë të jashtme të pavarur…I vetmi shtetar në Ballkan që ka kurajën të drejtojë një politikë të jashtme të pavarur. Të tjerët bëjnë atë që u thonë…Mendimi im personal është se ne kemi nevojë të ndajmë kufirin, të kemi një kufi të qartë, të palëvizshëm mes Nesh dhe Shiptarëve (shqiptarëve). Nuk kemi qenë në gjendje të ndahemi nga ta për shekuj me radhë. Sa herë kemi qenë me shqiptarët kemi patur konflikte, mizerje, luftëra
tha Vulin që shtoi se rreziku kryesor i paqes në Ballkan vjen nga koncepti ekspansionist i Shqipërisë së Madhe.
Add new comment