Pse na streson Shqipëria

Postuar në 27 Prill, 2019 17:18
Shaptilografisti

 

Sondazhi “Gallup 2019 Global Emotions” ka gjetur se 59% e grekëve kishin përjetuar stres gjatë 24 orëve të fundit, nivel ky më i larti në botë. Në vend të dytë vjen Shqipëria me 55%, pasuar nga Qiproja, Italia dhe Portugalia. 

Për grekët mund të hamendësojmë se janë të stresuar për shkak të krizës që nuk mbaron, në Itali sepse ka një akumulim të gjatë emotiv me politikën, Qiproja dhe Portugalia për arsye që nuk i gjejmë dot.

Po Shqipëria?

Vendi ynë ka një specifikë: ka moshë të re të popullsisë edhe pse një pjesë po ikën dhe kështu po e plakin. Disa thonë se ikin nga kriza, disa se ikin si pasojë e lirisë për të udhëtuar. Kështu atë që e njohim si liri për t’u shprehur e shndërrojmë në liri për të relativizuar çdo gjë e për ta mbajtur të vërtetën larg. A është arsye për stres kjo? Me gjasë po, sepse kur paradigmat i ndërton mbi gënjeshtra, edhe strukturat mendore dhe emocionale do të deformohen për të riprodhuar një realitet virtual që përgënjeshtrohet nga xhepi, nga koha që vritet, nga paaftësia, nga pamundësia për të mësuar gjëra të reja, për të qenë i angazhuar, për të patur objektiva etj.. 

Nuk mund të fajësohet qeveria apo politika për këtë. Është struktura jonë ekonomike e këtij tranzicioni që do sillte në këtë depresion i mishëruar te receta e thjeshtë e “Tirana Dream”: Gjej punë, merr kredi, bli shtëpi, laj kredinë, bëj fëmijë, futi kurseve. Dhe bëj ndonjë korrupsion. Ky model është një formë pasqyruese, imituese e modelit real të Shqipërisë: kriminelit që bën lekë me çdo mënyrë dhe pastaj ose hap gazetë, ose jep intervista, ose hyn në politikë. Pra bën ligjin në këtë vend. Qindra mijërat e “proletarëve” e ndjekin pas këtë model duke iu vërsulur të ardhmes me imazhin e shtëpisë në Tiranë në kokë, atyre shtëpive që siç e thotë kënga janë si konserva açugesh.

A streson ky model? A është ky shkak i stresit? Po ndoshta po. Sepse ai po mban gjallë një garë vrastare që nuk i jep kuptim tjetër jetës në këtë vend, pos atij që aftësohet për të zhgrapur majtas dhe djathtas duke pamundësuar mjedis për të tjerët që përndryshe duan të ndjekin ëndrra të tjera. Për katër mure ku të fusësh kokën…

Për Shqipërinë e vërtetë nuk flet kush. Të duhet të flasësh me vete se të marrin për fatkeq, apo të dalë nga mendtë.  

Flet opozita për Shqipërinë e vet, të personalizuar, atë që ishte shumë mirë para 2013-ës e që është për faqe të zezë që nga ai vit.

Flet qeveria, kryeministri, për Shqipërinë e markës së tyre: e shkëlqyer që nga viti 2013 e pas. Më përpara ka qenë ku thërret qameti.

Flasin intelektualët; ca thonë se ka qenë kriminale, ca se ka qenë heroike. Në fakt flasin për veten tutkunët sepse nuk i vërshëllen kush.

Shkruajnë edhe mediat, shqiptare dhe të huaja. Shqipëria është xhevahiri që çuditi turistët, që ka bukuri mahnitëse. Pastaj dalin pamjet e plehrave nga të katër anët.

Është një Shqipëri që ndërtohet dhe prishet periodikisht, që shqipërohet sipas midesë shqiptarizuese të momentit. Dhe kjo të streson, të mban pezull energjitë pozitive, të detyron të kultivosh shqisa të tjera nga ato që kërkohen për të parë përpara me sytë e ballit dhe të mendjes, jo vetëm me sytë e xhepit dhe me sytë e komplekseve gjithfarëshe.

Moralizime pa vlerë?! Patjetër që po. 

Lum kush u mor me hashash, lum kush punoi me prokurimet, me Damianin dhe Edin, me Ridvanin dhe Ilirin, lum kush kapi ndonjë tender, lum kush pati gomone e lum kush çoi femra jashtë! Se ai e pa Zonjë këtë vend. Ne të tjerët na duhet ta gjejmë atë vend interesant, siç edhe është. Jo të stresohemi nga martesa e detyruar me Shqipërinë. Sepse jeta është e shkurtër, martesa e gjatë. Mençuria na duhet dhe ajo na thotë: Vari teneqenë Shqipërisë, shih të hash e të pish.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.