Kafeneja strategjike e Tiranës

Postuar në 06 Prill, 2019 02:27
Skerdilajd Zaimi

 

Marrëdhënia e shqiptarëve me Perëndimin hyn ndër ato mite që mbahen gjallë  prej më shumë se një shekulli. Tematizimi i tyre si drejtim strategjik për kombin shqiptar nisi me Rilindjen Kombëtare dhe vijon ende sot duke manifestuar defektin endemik që buron nga vetëmashtrimi se lidhja jonë me Perëndimin është fiziologjike, ndërkohë që ajo është në rastin më të mirë taktike, koniunkturale dhe historiografike. Si e tillë ajo i ngjan raporteve të vendeve të tjera të Ballkanit me fuqi të mëdha, me ndryshimin se rrethanat e ndryshme kanë sjellë që në rastin tonë të dozohen me një mbivlerësim emocional që tradhëtohet nga historia e vërtetë e Shqipërisë dhe rajonit. 

Është kjo sajesë e politikës që e ka përmbysur raportin në fjalë duke i lënë terren një lloj inferioriteti, besimi naiv, apo edhe vetëdorëzimi të atributeve dhe përgjegjësive të një shoqërie “miqve të huaj” që sajdisen me virtyte edhe kur shihen qartë se janë këtu për interesa. 

Kjo qasje buron edhe nga intuita se historia herët apo vonë do kërkojë shpagimin e vet dhe ky shpagim vjen jo përmes kundërvënies apo refuzimit, ndarjes apo vetëizolimit, por përmes realizmit. Atoj realizmi që apelohet nga vetë Perëndimi, por që reflekton tek “indigjenët” një lloj venerimi absurd që nuk lë mundësi korrigjimi dhe sjelljeje dinjiteti. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që ekzistencën, normat shoqëore dhe juridike ia ka dorëzuar recetave të importuara nga jashtë nga elita të cilat edhe pse vetëperceptohen apo vetëpërcaktohen si dorëzanë të Perëndimit, rezultojnë përherë të korruptuara. Moralisht po e po, por edhe politikisht duke vënë në diskutim edhe vetë dëshirën dhe ambicien për të hyrë në familjen europiane. 

Nëse hedhim sytë në histori, sindroma e “zbarkimit të Aleatëve”, nëse mund ta quajmë kështu, nis herët. Në Mesjetë, kur toka e Arbërit kishte të paktën liderin e duhur, u prit Kryqëzata e organizuar nga Enea Silv Picolomini, i njohur si Papa Piu II, por ajo për fat të keq(vdekja e Papës) nuk ndodhi. 

Më pas Shqipëria, apo Arbëria nuk vlente aq sa të sakrifikohej marrëdhënia me Perandorinë Osmane sa që projekti të zbatohej pavarësisht aktorëve. Finalja e Perëndimit me osmanët u zgjidh në Ballkan, por jo në territorin shqiptar. 

Episodi i dytë do të aktualizohej shekuj më vonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, por historia provoi se as Shqipëria dhe as aktorët nuk vlenin për të rrezikuar marrëdhëniet me aktorin tjetër në Lindje, Bashkimin Sovjetik. E njëjta gjë ndodhi edhe kur siç thuhet Enver Hoxha kërkoi të paktën normalizimin e raporteve me ShBA-në pas prishjes me sovjetikët. 

Në vitin 1990 Perëndimi u bë i gjithëpranishëm, por Shqipëria asnjëherë nuk ishte gati të bëhej pjesë e tij. Jo vetëm kaq, por as shqiptarët nuk u pritën si europianë në Europë, përderisa me vite të tëra trajtoheshin si blerës vizash nëpër ambasada dhe konsullata. 

Zbarkimi i aleatëve në Shqipëri ndodhi de facto me Luftën e Kosovës dhe simbolikisht në vitin 2007 kur presidenti amerikan George Bush erdhi në Tiranë. 

Kanë kaluar 9 vjet nga ajo kohë dhe kalimi në atë që mund të quhet sferë perëndimore nuk ofron asnjë garanci afatgjatë për vendin tonë. Dalldia pas Perëndimit është vënë në diskutim jo nga ndonjë marifet oriental, nga ndikimi rus, apo neootoman, por nga fakti se Liria politike që ofrohet nga të qenit nën suazën perëndimore ka evidentuar strukturën e shoqërisë sonë, mentalitetin e saj që dominohet nga korrupsioni. Është ky korrupsion në bazë të një raporti që e sheh praninë perëndimore si të gjithëhershme, e absolutizon atë në cilësitë e veta duke paralizuar atë që është thelbi i sistemit politik perëndimor: iniciativa dhe veprimi. Aktivizimi. Kjo është njëra anë. Ana tjetër është pala mike. 

Sot kampionë të Perëndimit në Tiranë janë njerëzit më të korruptuar në vend, ata që figurojnë si problemi thelbësor i këtij vendi që kanë shtuar pasurinë dhe që bëjnë me këtë Dogmë biznesin kryesor të tyre. Dhe ky biznes kërkon që disa të vërteta të mos thuhen dhe kur thuhen të diskreditohen si shfaqje të huaja. Kërkoj që shqoëria të mos adoptojë kritikën si atu të vetën.

Pak ditë më parë në një televizion kombëtar u përcoll një material për rrezikun rus, në të cilin një ish-zyrtar i FBI-së fliste me terma moralë duke u shprehur se “qëllimet e Rusisë në Shqipëri nuk janë altruiste”. Lidhja që bëhej ishte se investimet e Rusisë në sektorin e hidrokarbureve udhëhiqen nga premisat e kapjes politike. Por një media që kërkon të hulumtojë do të duhet që të sqaronte se cilat janë synimet altruiste të Bankers Petroleum në Shqipëri, një kompani amerikane me qendër në Kanada, apo se cilat ishin synimet altruiste të Behtel Enkas në ndërtimin e rrugës Durrës - Kukës pa projekt?

Sot në media u qarkullua një tjetër lajm, që njoftonte një takim të Rudina Hajdarit me një zyrtar në ShBA prej nga ku zonja deklaronte se ShBA është engjëlli mbrojtës i Shqipërisë. Këto mund të jenë konsiderata personale, por në një kryqytet që presupozon se drejtohet nga ata që janë më e mira e këtij vendi, nuk mund të mungojë kritika ndaj këtyre pozave dy lekëshe që në të vërtetë as kërkohen nga pala amerikane. Tentativa të ngjashme me “amerikanë që janë nga pas”, provoi në vitin 2009 edhe z. Veliaj por ai mori vetëm 1% në zgjedhje. Por kostumi amerikan i dha frymë gjatë në politikë këtij zotërie që sot është i shumëakuzuar si një ndër njerëzit më të korruptuar në Shqipëri. 

Nuk po përmedim se çfarë bënte PD-ja në vitet 1992-1996 me këtë lloj mbështetjeje e cila hidhet përherë si serum çudibërës në diskursin politik në Shqipëri. 

Këtë panoramë shohim në Kosovë, në Maqedoni. Kudo ku Perëndimi operon për interest e veta zëdhënës të tij, të paktën në hapësirën shqiptare janë njerëzit më të korruptuar. 

A është korruptimi një njësi kompliciteti që përdoret për të kontrolluar situatën, apo ai gjenerohet nga poshtë lart? A është kjo oferta që nuk mund të refuzohet nga shqiptarët, të cilët sapo kujtohen se duhet të bëjnë diçka, u kujtohet ambasada, pastaj rreziku malinj, më tutje Presidenti Wilson, komunizmi, sllavizmi, të gjitha izmat e mundshme që janë alibi e atyre që qeverisin me kredenciale të falura hoteleve apo në korridoret e kancelarive ku i presin vetëm për t’u dhënë detyrën bashkë me përçmimin që vjen pas? 

Ndikimi i huaj ështtë shndërruar në një njësi psikologjike të menduari në këtë vend dhe është e qartë tashmë se kjo i leverdis vetëm politikanëve shqiptarë që rropaten të mjelin pak legjitimitet, të shfaqen si Dikush me lloj lloj fotosh, lobimesh, raportesh e deklaratash përpara një populli që rri e sheh dhe duartroket një përrallë që është qepur shumë trashë. 

Duçja e ka për zemër Shqipërinë. 

Kjo dëgjohej në një nga filmat e dikurshëm që ironizonte mendësinë e pritjes dhe bashkëpunimit me të huajt, që dikur do ikin, e ndoshta edhe do ftohen. Për ta lënë këtë vend ashtu siç ka qenë, pa rëndësi dhe në klaustrofobinë sociologjike të pashpjegueshme që kërkon shpëtimin e vet te padroni i radhës. 

Është groteske të shohësh sesi në ditët më të mira të lirisë politike që ka patur ndonjëherë ky popull po minohet çdo vlerë dhe normë që ka siguruar kohezionin dhe identitetin e tij historik. Sesi liria e dhuruar dhe siguruar nga të tjerë, në vend se tw rrokje si shans unik që do ta transferonte këtë shoqëri në shekullin e 21, po e pajton atë me një stanjacion vrastar dhe një parazitizëm që e thyen monotoninë me palaçollëkun e duarve shqiponjë dhe thirjet “sa mirë me qenë  shqiptar”: cirku apo folklori i saapozbuluar i të fundmëve të Europës, që ngazëllehen për një deklaratë, që vrasin kohën, por edhe miqësitë e shumëkërkuara, përderisa zot të kësaj shtëpie janë lënë të jenë plaçkitësit dhe lloj- lloj snobësh apo rrufjanësh me të cilët argëtohet një botë e tërë, por të cilët neve na rrinë në krye me kërbaç dhe para, njëherë të ligjit e njëherë të banditizmit. Por duke ndjerë se kështu po humbasin monopolin kryesor: atë të  fabulës që i prralliset këtij populli. 

 

Comments

Submitted by John (not verified) on

Une pothuajse e kuptova kete "shkrim" dhe qendrimin e autorit. Ai eshte kunder perendimit. Ai eshte kunder shqiperise. Ai eshte kunder rusise. Por nuk jam I sigurte a eshte keshtu se ai nuk di te shkruaje qarte. Nuk shprehet qarte. Ai ka frike te shprehet hapur se kujton se eshte akoma ne komunizem dhe e denojne per agjitacion, kete radhe kunder te huajve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.