Tjetër skandal me Facebook
Facebook pranoi një tjetër skandal me të dhënat e përdoruesve të saj. Kështu miliona fjalëkalime të përdoruesve janë ruajtur të pakriptuara në serverët e brendshëm dhe të ekspozuar ndaj mijëra punonjësve të kompanisë.
Kodet, disa prej të cilave datojnë që nga viti 2012, ishin të arritshme për gati 20,000 punonjës, sipas blogut të KrebsOnSecurity që merret me çështjet e sigurisë në internet, i cili ishte i pari që zbuloi skandalin më të fundit të platformës popullore.
Duke cituar një punonjës ekzekutiv të rangut të lartë nga kompania, Blogu, raportoi se janë ruajtur fjalëkalimet e 200-600 milionë përdoruesve me tekste të thjeshta, pa kriptografi.
Problemi u zbulua në janar si pjesë e një kontrolli rutinë të sigurisë. Shumica e kodeve i përkisnin përdoruesve të Facebook Lite, një version i aplikacionit që kryesisht përdoret në zonat me internet me shpejtësi të ulët.
Kompania ka siguruar se do të informojë të gjithë ata përdorues të Facebook Lite, por edhe ata që përdorin Facebook dhe Instagram.
"Të jemi të qartë: këto kode kurrë nuk janë parë nga askush jashtë Facebook dhe nuk kemi gjetur ndonjë gjë deri më sot duke sugjeruar se dikush i ka përdorur ato në mënyrë jo të duhur"- thuhet në deklaratën e kompanisë.
Kujtojmë që disa muaj më parë Facebook kishte pranuar se rrjetet kibernetike kishin akses në llogaritë e dhjetëra miliona përdoruesve për shkak të një problemi të sigurisë.
Add new comment