Vetëm Shqipërisë i kërkohet vetëpërmbajtje
Nuk është vetëm Shqipëria që po tërheq vëmendjen e mediave europiane për situatën e krijuar nga protestat e opozitës. Ditët e fundit edhe në Serbi dhe Mal të Zi ka patur lëvizje të qytetarëve kundër pushtetit. Megjithë ngjashmëritë vihet re se çdo situatë ka specifikat e veta që lidhet sa me qeveritë e tri vendeve, opozitat respektivë dhe ndërkombëtarët.
Nëse në Shqipëri Rama akuzohet si i korruptuar dhe i lidhur me krimin, Vuçiç etiketohet si gënjeshtar, ndërsa Gjukanoviç "hajdut". Ekziston gjithashtu një ndryshim në mënyrën se si kanë reaguar qeveritë ndaj mobilizimeve të qytetarëve.
Kështu, Vuçiç u përball me demonstruesit duke luajtur shah, Gjukanoviç thotë se protestat respektohen për aq kohë sa nuk ka dhunë, ndërsa Rama i shpërndan me gaz lotsjellës dhe pompa uji. Kjo ndodhi të shtunë në Tiranë, kur një grup i vogël protestuesish nisën të hedhin gurë tek policët që ruanin parlamentin.
Shqipëria është në fakt i vetmi nga tre vendet ku Shtetet e Bashkuara dhe BE kanë bërë rekomandime që palët të tregojnë vetëpërmbajtje. BE madje kritikoi vendimin e deputetëve të opozitës për të djegur mandatet. Kujtojmë që të tre vendet, janë në negociata për anëtarësimin në BE.
Add new comment