Hallexhiu i Tiranës dhe Shërbimi Informativ i Shamatës
E mbani mend në vitin 2013 sesi Partia Socialiste denigroi publikisht, përmes zgjatimeve të veta mediatike, shefin e sapo emëruar të Shërbimit Informativ, Vizho Ajazin? Nëse jo, kërkoni në internet se do të kënaqeni me muhabetet e përpunuara nga Shërbimi Informativ i Shamatës, sot Zyra e Komunikimit të Kryeministrit Rama. Po kujtojmë vetëm dy aspekte: fakti që Visho Ajazi mbante dy mbiemra dhe se ai paskësh takuar në Pakistan një grua me emrin Ollga që supozohej se kishte lidhje me shërbimet ruse.
Zhurma pushoi sepse ish-kryeministri Berisha vazhdoi emërimin dhe më vonë ne e dimë historinë. Organizatori i këtyre vogëlsive meskine, Edi Rama, e propozoi Ajazin si ambasador në NATO.
Kjo histori banale e Tiranës politike ka shumë ngjashmëri për nga mënyra dhe përmbajtja me atë që po ndodh aktualisht.
Zoti Rama është në hall. Atij i duhet të delegjitmojë protestat e opozitës. Pas përdorimit të çdo argumenti u terezit te teza e spiunazhit rus. Meqenëse duhet ndonjë element që ta bëjë të besueshëm, Hallexhiu i Tiranës ka autorizuar Shërbimin Informativ të Shamatës që të përhapë lajme në emrin e ShISh sipas të cilave Rusia ka shtuar aktivitetin në Tiranë. Se një drejtim është spiunazhi ushtarak kurse tjetri është ai ndikimit në opinion. U soll emri i një atasheu të dikurshëm, u qarkullua një dokument qesharak, më mirë një shkresë përcjellëse, u hap thesi i imagjinatës me bazën e Kuçovës që është normale të jetë në vëmendje të shumë shërbimeve të huaja – sepse qeveria nuk është aq e trashë sa ta lëshojë Kuçovën tonë të dashur vetëm për karburante – dhe në fund me ndihmën e Top-Channel u hodh edhe kryelajmi që i duhet Hallexhiut: ka portale që po vëzhgohen.
Të shkojnë drithërimat kur e lexon gjithë këtë dallaver të botës së sotme. Lajmet në fjalë, që u përhapën me rekrutimin e dy televizioneve kombëtare, pasojnë një deklaratë të presidentit boshnjak, Miroslav Dodik se në Tiranë, Sarajevë dhe Podgoricë ekziston një listë me 300 persona prorusë që mbahen në vëzhgim.
Hallexhiut i duhet kjo temë. I duhet tematizimi i saj si kartë e sigurisë për të sjellë në Tiranë palën amerikane, apo edhe ndonjë zyrtar çfarëdo që deklaron se ka rrezik rus, që protesta dhe çdo zhurmë të kompromentohet si lojë që vë në diskutim sigurinë.
Kujtoni më lart z. Ajazi. Nga takimi me zonjën Ollga përfundoi në NATO. Arsyeja është e thjeshtë: nastradinizmat nuk i merr kush seriozisht. Ato janë shashka të z. Rama që është në sëkëlldi i shkreti. Në sëkëlldinë e Shqipërisë që nuk e kupton, e opozitës që e dëmton, të miqve që nuk e shquajë rrezikun rus.
Mjerim të shohësh sesi ShISh lejon që emri i vet të përdoret në këtë formë, ndërkohë që p.sh nuk ka asnjë fjalë ta zëmë për ndikimin turk, i aktualizuar nga ShBA si problematik. Mjerim edhe të shohësh sesi ata që i ndihin z. Rama në këto kohë nuk dinë çfarë të bëjnë më veç të çaprashisin pa pushim të njëjta gjëra të bindur edhe vetë ndoshta se nuk ka çfarë të bëhet më.
Add new comment